“Të burguemit nuk thyhen”/ Cikël poetik nga libri i ri i Halil Matoshit

halil 11

Ju ftojmë të lexoni disa poezi të shkëputura nga libri më i ri i Halil Matoshit “The Lil’s Poem”, Littera, Prishtinë, 2023.

Zinxhirë burgu -I

Zvarritja e zingjirëve
ka nji vistër gjatësish valore

shkalla e parë nji kërsitje
e gjatë dhe e vazhdueshme
e zinxhirit
për shkak të lëvizjes së duerve dhe kâmbëve
I burgosuni dërgohet
me u marrë në pyetje në zyrat e milicisë sekrete

Shkalla e dytë
rrehjet e shkurta të lëvizjes
së zinxhirit dmth i burgosuni
ka humbun ndjenjat

I hedhin ujë me kovë
zinxhirët e lagun
lëvizin dhe forca tonale
e sinjalit zbutet

I torturuemi ngrehet zvarrë në qeli

Gardianët mshelin dyert
me rrapullimë. Fshijnë dyshemenë.
Dalin nga burgu.

Burgu i Prishtinës. Zinxhirët -II

Aty e mëson rrapullimën
e zinxhirëve deri në imtësi
përcakton shkallët e tonalitetit
nën presion dhe mprehtësinë e rrahjes së hekurit me hekur

Zinxhirët. Ata kur janë të shlirtë lëshojnë
zhurmërimë ma mbytëse
kur ngrehen zhag ose kur hidhen tingëllojnë ndryshe
Jo. Zinxhirët nuk tingëllojnë
ata ZINZINKËROJNË!

kur këputen hallkat dëgjohet
nji rënkim i shkurt si kërhatje
e kur janë të nxetë lëshojnë tinguj
mâ t’ashpër e në acar nihen mâ pak
si të xhamtë bâhen

Pshtjellun me lkurë t’burguemsh

Zinxhirët, ata të shohin
me sytë e gemtë dalun duq
si nga thelbi i nji planeti p’ej hekuri
se si lëshojnë ata tinguj që flasin
për vrazhdësinë e nji regjimi
si gjâmë kuajsh apokalipsi

e si dokën unaza t’thyeme dinosaurësh
mekanizma primitivë që mbërThejnë

E âsht dashtë me u zhdukë
shumë para se me ardhë
epoka e hekurit
para 65 milionë vjetësh
në Cretaceous

T’burguemit NUK THYHEN
LËMOHEN

Shina bâhen mbi të cilët kalojnë trenat e
pushtuesit ngarkue me urrejtje

—————————————

Si refleksion tue pa fotografinë e disa burrave të Kabashit që t’lidhun me zinxhirë u dërguen në pushkatim. Dëshmitë flasin për 98 burra të Kabashit dhe Korishës,
t’vramë nga xhandarët serbë te Kisha e Sh’Markut më 19 mars, përkatësisht më 1 prill, 1913.


Burgu i Prishtinës -III-

(Nji lekcion i mësuem më 1990)

Se liria ka me ardhë shpejt
anmiku na i shtoi iluzionet
na rrasi në burgje!

Thânë se në burgun e Prishtinës
mëson ma shumë për lirinë se në krejt librat
për revolucionet botnore

E vërteta âsht se aty mëson
veç për vese robi

sa poshtë ke râ

Vijshin në vizitë njerëz realë
e përpiqeshin me na bindë
se liria e Kosovës
bash nëpër burgun e Prishtinës kalon!?

… shpejt ke me dalun n’liri!?

rrethue isha nga fantazma
me këmisha t’përgjakuna
e sy çatall
që na tallën bythën sa ke nata

Liria? Hmmm!
je krejt në fillim o burrë!

Terr

(Kampi serb i përqendrimit “Zabela”, Požarevac)

Nji gjyserrësinë
si me i vu diellit trinë

Dritë me vrima e shkulme terri
me thepa

i ndryshëm nga i rëndomti
pak i ngurt

ObserverKult

Lexo edhe:


LITTERA SJELL PËR LEXUESIT LIBRIN MË TË RI TË HALIL MATOSHIT “THE LIL’S POEM”