“Të dalësh mbi dhunën” është një dokumentar i fuqishëm kundër dhunës ndaj grave, i cili u promovua në Tiranë.
Me ide dhe skenar nga Valbona Sulçe, dokumentari është një dëshmi e asaj se çfarë ka ndodhur në këto 15 vjet në Shqipëri.
E pranishme në premierën e këtij dokumentari, ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim vlerësoi se. “Ky është një dokumentar i fuqishëm kundër dhunës ndaj grave dhe mbi mjetet në dispozicion për të ndihmuar dhe fuqizuar viktimat”.
Ajo citoi se “sipas Kombeve të Bashkuara ‘rreth 736 milionë gra në mbarë botën kanë qenë subjekte të dhunës nga partneri intim. Të dhunës seksuale jo nga partnerët e tyre, ose të dyja, të paktën një herë në jetën e tyre’. Që nënkupton 30 % të grave nga mosha 15 vjeç dhe më sipër”.
“Secili prej nesh, ligjzbatues, miq, familjarë, aktivistë, mund dhe duhet të luajë një rol të rëndësishëm në parandalimin dhe dhënien fund të dhunës ndaj nënave tona. Motrave tona, kushërirave tona, vajzave tona, mikeshave tona, qenieve njerëzore si ne”, tha ambasadorja Kim.
Nga ana tjetër, Sulçe u shpreh se “në Shqipëri jepen mesatarisht 300 urdhra mbrojtjeje në vit ndaj grave të dhunuara”.
“Këto gra ne nuk i shohim. Gratë shfaqen në ekran vetëm kur vriten. Ky është një dokumentar që u kushtohet grave të gjalla. Grave që luftojnë, grave që nuk dorëzohen. Grave që besojnë se me ndihmën e institucioneve ka jetë përtej dhunës”, tha Sulçe.
Sipas saj, ““Të dalësh mbi dhunën” nuk është një dokumentar që ta çojmë në festival filmash. Por është një dokumentar gazetaresk ndërgjegjësues që hedh dritë mbi një proces siç është lufta ndaj dhunës”.
Dokumentari synon ndërgjegjësimin e institucioneve dhe aktorëve të tjerë të cilët ndihmojnë gratë të luftojnë dhunën.
LEXO EDHE: SEKRETI QË FSHIHET PRAPA SERIALIT “SQUID GAME”- AKTORËT DHE STAFI REALIZUES TREGOJNË PRAPASKENAT