Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit zhvilloi protestën e radhës në Lezhë, për të kërkuar mbështetjen e banorëve në protestën e rezistencën deri sa Teatri Kombëtar, të rindërtohet ashtu siç ishte dhe aty ku ishte.
Gjatë fjalës së saj, aktorja Adriana Tolka, tha se me shembjen e asaj godine “nuk u shemb thjesht një ndërtesë, por sikur u gërrye gjithë kombi shqiptar. Duket se ne nuk kemi zënë mend nga gabimet e së shkuarës. Nëse asnjë kriminel, qoftë në ato 45 vite e qoftë edhe tani, nuk është dënuar, jeta jonë nuk do të ndryshojë”.
Ndër të tjera, aktorja tha se nuk do të jetojë më si skllave.
“E kanë ndotur Shqipërinë, me këto ndërtimet që po bëjnë, po rrafshojnë çdo gjë, duan të na shkombtarizojnë. Dje një pseudoshqiptar, një pseudohistorian, ka thënë që Skëndërbeu ishte sllav. Duan të na çnderojnë, të na marrin edhe individualitenin tonë, për të na thënë “ju nuk keni vlerë”. Unë nuk dua të jetoj si skllave, do të jemi këtu deri sa të dënohen kriminelët e 17 majit, derisa aty të rindërtohet teatri i ri, ashtu siç ishte”.