Riza Braholli: Të kam dashur dhe urryer tërë jetën
Tërë jetën të kam dashur, adhuruar pëllumbeshë.
Me krahë e pupla, sy të perëndishëm e çapa të lazdruar,
Ti ishe liria, ëndrra fluturake, burgu m’i dashur për mua,
Ishe dashuria e lirë e botës: e së sotmes, filluar kahershëm,
Ndaj të kam dashur, ta dish, por urryer të kam tërë jetën.
Jam drithëruar, dëshiruar, ndaj, të paktën, veç njëherë
T’i ktheje sytë e shkruar e të bëheshe qiell për mua
Edhe pse nuk prita kurrë, kurrë të më jepje ç’desha, ç’dua,
Ti ishe ëndrra, ylli që më bëri të vrapoj pas tij i shkretë,
Ndaj të kam dashur, ta dish, por urryer të kam tërë jetën.
Ti e ktheje nga unë kokën, atë qafën e bukur si mjellmë
E kaq më duhej të dorëzohesha, të shtrohesha më gjunjë,
Të numëroja gurët e kalldrëmeve, të gdhija pa gjumë,
Të ngazëllehesha për çdo gjurmë të këmbës tënde të lehtë,
Ndaj të kam dashur, ta dish, por urryer të kam tërë jetën.
Të urrej, të urrej, se vetëm ty të dashurova, asnjë tjetër,
Se mendja, se zemra ime u eshkuan vetëm pas teje,
Se mbrëmjet, mëngjeset, borërat e shirat, zjarret e rrufeve
Derdheshin, binin vetëm prej syve, fjalëve të tua, të shkretën,
Ndaj të kam dashur, ta dish, por urryer të kam tërë jetën.
Të urrej, të urrej ta dish, se s’munda e s’mund të dua më tjetër
Se vajzat, gratë që shkonin e shkojnë gjat meje e që duhet t’i doja
Ti, moj ti më bëre t’i shoh veç si shoqe e si motra t’i largoja,
Ndonëse ato ishin jugë, prill e maj që çon tërë botën në shtretër,
Ndaj të kam dashur, ta dish, por urryer të kam tërë jetën.
ObserverKult
_ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _
Lexo edhe: