Të kërcënuara nga bombat, mrekullitë arkitekturore të Ukrainës (Foto)

Sulmet dhe bombardimet ruse po shkatërrojnë qytete dhe fshatra kudo nëpër Ukrainë. Dëmet janë të shumta nëpër pallate, universitete, shkolla, institucione, dyqane etj. Por edhe trashëgimia kulturore po vihet në rrezik, pavarësisht përpjekjes së ukrainasve për t’i mbrojtur ato me çdo kusht – si në Lviv, ku qytetarët zhvendosën dhe mbuluan një sërë monumentesh. Më poshtë, po rendisim disa nga mrekullitë arkitekturore që janë të kërcënuara nga sulmet e vazhdueshme me bomba.

Muzeu Lore, Poltava

Ky muze është një nga më të vjetrit në Ukrainë dhe mund të konsiderohet ndërtesa e parë moderniste e vendit. Një ndërtesë e mrekullueshme, e ndriçuar nga çdo anë, e zbukuruar me motive tradicionale dhe stema lokale. Projektuesi i saj, Vasyl Krychevsky, konsiderohet themeluesi i identitetit kulturor ukrainas. Ai ishte arkitekt, piktor, skenograf dhe projektoi stemën kombëtare të Ukrainës, si dhe kartëmonedhat. 

Chimaeras, Kiev

Në ditën e dytë të sulmit rus, presidenti Zelenskiy teksa filmonte, qëndronte përballë kësaj ikone shumë të dashur, e cila ndodhet pranë zyrës së tij. Një ndërtesë fantazmagorike; një rezidencë madhështore arti e zbukuruar me ornamente të tematikave të ndryshme. Skica të shumta kafshësh: delfinë, shqiponja, krokodilë, sirena, hardhuca, bretkosa, elefantë, që ngjiten dhe zvarriten nëpër fasadat e ndërtesës. Jo më kot, arkitekti i saj me origjinë polake, Wladyslaw Horodecki, njihet ndryshe edhe si Gaudi i Kievit, transmeton ‘a2news.com’.

Muzeu Pysanka, Kolomyia, Pokuttya

Një “pysanka” është një vezë tradicionale e dekoruar e Pashkëve, e lidhur veçanërisht me identitetin kulturor e fetar të Ukrainës. Ata u ndaluan gjatë kohës sovjetike, ndërsa pas pavarësisë janë bërë simbol i identitetit kombëtar. E gjithë kjo e bën këtë muze shumëngjyrësh në formë “pysanka” të vetmin e këtij lloji në botë. E hapur në vitin 2000, struktura e saj – e projektuar nga artistët vendas Vasyl Andrushko dhe Myroslav Yasinskyi – përmban një koleksion prej mbi 12 000 “pysanky” nga e gjithë bota. 

Manastiri i Shpellave (Pechersk Lavra), Kiev

I ndërtuar në majë të një kompleksi shpellash me pamje nga lumi Dnieper, ky manastir daton në shekullin e 11-të, por në sipërfaqe është vendosur një fasadë e shekullit të 17-të, tipike e barokut ukrainas, me gjethe ari. Kulla e Kambanës së Madhe e shekullit të 18-të është një pikë referimi lokale. Ndërsa, kisha kryesore e kompleksit, u shkatërrua nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe u la si një gërmadhë gjatë epokës sovjetike, por u rindërtua dhe u shenjtërua në vitin 2000.

Kalaja, Kamianets-Podilskyi

Legjenda thotë se kjo kështjellë mesjetare ka rënë në duart e armiqve vetëm dy herë, një herë nga lituanezët në shekullin e 14-të dhe një herë nga turqit osmanë në shekullin e 17-të. E ndërtuar mbi një shkëmb gëlqeror, rrethuar nga lumi Smotrych nga të tria anët, i arritshëm vetëm nga një urë. Kalaja ngjason me një libër me figura: një oborr i madh i rrethuar nga mure të trasha me shtatë kulla të rrumbullakëta (fillimisht ishin 12). Kalaja është rindërtuar shumë herë gjatë shekujve, duke e bërë atë treguese reale të historisë së rajonit.

Derzhprom, Kharkiv

Në kohën e hapjes së tij në 1928, ky kompleks qeveritar ishte një nga strukturat më të mëdha që përmbante rrokaqiejt e parë sovjetikë (13 kate të larta). Duket ende si një set nga një film fantastiko-shkencor: blloqe xhami dhe betoni të pazbukuruar të lidhur me “ura qiellore” horizontale. I ndërtuar në vetëm tre vjet, ai është një monument i dizajnit konstruktivist, po aq i ndikuar nga qytetet amerikane sa Bauhaus. Bombardimi i fundit rus i Sheshit të Lirisë e ka dëmtuar shumë këtë monument.

Kisha e Shën Gjergjit, Drohobych

Ka rreth 2000 kisha prej druri në Ukrainë dhe fakti që ende janë ruajtur është thuajse një mrekulli duke pasur parasysh historinë e trazuar të rajonit. Tsverkas (kisha) e Karpateve, afër kufirit polak, ka statusin e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, ndërsa kisha Shën Gjergji e shekullit të 16-të është një nga më të vjetrat dhe më të ruajturat. Këto ndërtesa janë një bashkim befasues i zdrukthëtarisë së sofistikuar lokale dhe dizajnit të kishës ortodokse. Në ndryshim nga pjesa e jashtme e thjeshtë, pjesa e brendshme ka afreske dhe dekorime të pikturuara.

Potemkin, Odessa

Siç u përjetësua nga filmi historik i Sergei Eisenstein në vitin 1925, Potemkin, u bë sfondi i masakrës së ushtarëve caristë ndaj civilëve që mbështesnin rebelimin historik – një skenë që në fakt nuk ndodhi kurrë në jetën reale. Shkallët u ndërtua në vitin 1873 për të lidhur portin me qendrën e ngritur të qytetit. 

Hotel Salyut, Kiev

Kievi ende mban plagët arkitekturore të pushtimit sovjetik. Hotel Salyut është një nga këto trashëgimi, i parashikuar në fakt të ishte dy herë më i lartë, por burokracia lokale e kohës nuk e lejoi këtë gjë. Edhe ky hotel është vënë në rrezik nga bombardimet ruse.

Rezidenca e Mitropolitëve Bukovinianë dhe Dalmatë, Chernivtsi

Chernivtsi ka qenë në mënyra të ndryshme pjesë e Rumanisë, Moldavisë dhe Perandorisë Austro-Hungareze, dhe historia e saj kozmopolite pasqyrohet në përzierjen e stileve arkitekturore (dikur njihej si “Vjena e vogël’). Ky kompleks i madh i shekullit të 19-të, tani është pjesë e kampusit të Universitetit Chernivtsi. Projektuar nga arkitekti çek, Josef Hlavka, është një shkrirje mjeshtërore e stileve historike. 


Lexo edhe:

RAKETAT RUSE GODITËN BANESËN E SAJ, NDËRRON JETË AKTORJA E NJOHUR UKRAINASE

ObserverKult