(25 janar 2002-25 janar 2022;
20 vjet nga kthimi prej kampeve serbe të përqendrimit)
Nga Besim Zymberi
…Në errësirën e zezë të ndezësh një shkëndijë
Në dëshpërimin më të thellë të gjesh një fije shpresë
Buzë vdekjes së mundimshme të qeshësh si fëmijë
Etjen e padurueshme ta shuash me një pikë vesë
Çjerrjen lemeritëse ta kthesh në melodi
Një pikë lumturi në dhembje ta gjesh
Në sy ta zbresësh qiellin dhe yjet e tij
Me buçimën e zemrës si ninullë, të flesh
Mallin, vetëm hijes sate t’ia besosh
Një letër, erës në gushë t’ia varësh
Një pikë ujë, nga lotët ta huazosh
Grilave kryeneçe një rreze t’ua marrësh
Paqen ta gjesh në frymëmarrjen e rënduar
Urrejtjen e shpifur ta përtypësh me dhëmbë
Drithmat në thërmija t’i kesh imtuar
T’ua besosh atyre shkronjat e emrit tënd
T’i lexosh ata në sy thellë, thellë shumë
Ta kuptosh çfarë duan në të vërtetë
Ata duan të bërtasësh: “Nuk jam më unë..!
Ata duan të bëhesh, siç janë janë ata vetë
T’i bindësh duhet, që mbetesh po ai…
Një klithme lirie ta shohin në ty
Ta ndjejnë që s’ta ndërruan dot një qiell përmbi
Më pas, fitimtar t’i shohësh thellë në sy
Ta dish, me dhembjet barbare që t’i dhanë
Ata, njerëzoren brenda vetes vranë…
ObserverKult
Lexo edhe:
KY ËSHTË I BURGOSURI QË MINUTAT E FUNDIT E JETËS FOLI VEÇ PËR NJË POEZI…