Pas propozimit të Agron Tufës e Virion Graçit për ndalimin e filmave të socializmit me diversantë, reaksionarë pasi janë propagandë komuniste, një prej regjisorëve të kohës ka reaguar
Alfred Bualoti kohë më parë në një prononcim tha se, për çështjen nuk mund të japësh një mendim të prerë apriori, por po të nisemi nga ky vështrim, atëherë të gjithë filmat për Luftën e Dytë Botërore, të gjithë filmat që janë bërë në vendet e ish-socializmit, apo ato që jepen në filmat e neorealizmit italian, etj., i bie që nuk duhet të shfaqen fare, sepse po e njëjta histori është, nuk është kaq e thjeshtë.
“Duhet ta shikosh edhe nga një anë tjetër: që tregojnë çfarë diktati kishte e si trajtoheshin tema të tilla, a ishin reale a jo? Dikush e shikon edhe me këtë sy, nuk e shikon vetëm ashtu. Mund të diskutohet a kanë nivel të dobët, ose jo të këndshëm; cila ka qenë korniza në të cilën duheshin standardizuar, si duheshin futur brenda ideologjisë e duhej vënë me domosdo”, thotë Bualoti.
Në këtë pikë, regjisori shton se nëse “unë, që bëja heroizmin e popullit tonë në shekuj, po të mos e vija ‘të rrojë Partia’ në fund, do kisha probleme. Nëse unë nuk e vija një fjalë të tillë në gojë të atentatorit, nuk ishte e udhës. Duhej vënë për kohën, kjo nuk ka të bëjë me propagandën, ka të bëjë me faktin që në atë periudhë, sigurisht duhej futur brenda kësaj kornize”. Duke shtuar se edhe sot thërrasin të rrojë partia, “nuk thonë Shoku Enver, po thonë Edi Rama”, Bualoti shton se, “sigurisht që ishte propagandë, po sot nuk shihet me këtë sy”.
Sipas Bualotit, “duhet të jesh miop të mos kuptosh çfarë ndodh. Është tjetër gjë që rinia, ose për shembull edhe vajza ime e të rinj më të vegjël se ajo i kanë qejf filmat shqiptarë, ata nuk e kanë nga propaganda, e kanë nga gjuha në radhë të parë, që është shqipja, e kanë nga naiviteti, mënyra e marrëdhëniet e thjeshta, përqendrimi në një problem, që për ta duket edhe si lodër e këndshme”. Rishikimi sipas regjisorit, ana artistike e tyre ha debat. “Ama që të thuash se apriori, duhet ndaluar, nuk jam për këtë. Se i bie të gjithë filmat këtu, ose në ish-kampin socialist të ndalohen e nuk shkon kjo histori”, thotë Bualoti.
Duke shtuar se ka ca vese, që prej asaj kohe, vijojnë ende, “Për shembull sheh ende pensionistë që duartrokasim me ovacione Edi Ramën, sa duket sikur edhe ritmi i duartrokitjeve është si në kohën kur bërtitej ‘Enver Hoxha’. Këto kanë mbetur njësoj. Kur nuk i themi kësaj propagandë, çfarë mendojmë, të themi propagandë për filmin artistik të dikurshëm?”, – pyet Bualoti.
I pyetur nëse do rishihte ndonjë pjesë nga filmat e tij, Alfred Bualoti pohon – “Po, unë do i rishihja. Për shembull te ‘Pylli i Lirisë’, e gjithë skena në fund, që ky djaloshi del partizan, ajo skena e të dashurës Lenën, ajo u shtua se nuk kalonte filmi dot ndryshe. Ajo është mballomë, po ta shohësh djaloshin me lirinë, me kalin, pyllin – një mballomë që s’ka lidhje me këtë, por për ta kaluar filmin, ajo u shtua. Gjëra të tilla, ka”, thotë Bualoti.
Propozimi të ndalohen filmat artistikë socialistë me “diversantë” e “reaksionarë”, janë propagandë e komunizmit, përceptohen gabimisht si dëshmi historike, shkruan “Gazeta Shqiptare”. Ky ka qenë konkluzioni i një takimi të mbajtur nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri. Ndërsa diskutohej mos-dijenia e brezit të ri, sidomos të gjimnazistëve mbi çfarë ka ndodhur në vendin tonë gjatë periudhës komuniste, pyetja e Agron Tufës ka qenë, çfarë mund të bëjmë ne sot për përhapjen e njohurive mbi ngjarjet e kohës, e jo vetëm tek brezi i ri. Pyetjes së Tufës i është përgjigjur me një propozim, shkrimtari Virion Graçi. I pyetur mandej nga “GSH” se për ç’filma e kish fjalën, për dokumentarë a artistikë, Graçi tha se, “nuk jam kundër kinemasë e trashëgimisë sonë, por kur flitet për dekomunistifikim, për qëndrim ndaj diktaturës, etj., kritere që ia kemi vendosur vetes për t’u bërë shoqëri demokratike e shtet evropian, një numër veprash tipike propagandistike nuk mund t’i jepen me brezit të ri”.
Në prononcimin e tij për “GSH”, shkrimtari sqaroi se sipas tij, ata “fyejnë historinë, martirët, ata që e deshën Shqipërinë të lirë, perëndimore”.Poeti Agron Tufa Ai tha se çështja e filmave, “është një temë e prekshme, është një realitet që për fat të keq vazhdon. Në fund t’u drejtohesh këtyre filmave që kanë qenë inxhinieria më e madhe propagandistike e komunizmit, e vetmja vlerë ‘që kanë’ është se mësojnë fëmijën si të bëhet spiun i prindit, se si shokohen marrëdhëniet njerëzore për çështje parimore a ideologjike”. Sipas tij, në këta filma, ata që mbrojnë, pronën, fenë a shtetin janë personazhe negativë./revista-ai.com
ObserverKult
Lexo edhe:
KUSH ISHTE KOMPOZITORI I KËNGËS “QINGJI I VOGËL” QË U BURGOS NGA KOMUNISTËT