50 vjet nga Kongresi i Drejtshkrimit, studiuesi Xhevat Lloshi, shpjegon peshën e standardit të shqipes, dhe përgjigjet për pretendimet, se në ‘72-shin, dialektet nuk u trajtuan në mënyrë të balancuar. Kultura gjuhësore e politikanëve, nëpunësit që shkelin rregullat gramatikore e arsimtarët që nuk kalojnë testin e gjuhës, vihen në kritikën e gjuhëtarit
Nga: Anila Dedaj
Një shekull më parë, kur Shqipëria ende nuk kishte mbushur një vit si shtet i pavarur, gjuha shqipe zinte faqet e gazetave të kohës. Vetë kryeministri Ismail Qemali, këmbëngulte, që njohja e mirë e gjuhës, të ishte të kusht për ata që synonin të bëheshin pjesë e Qeverisë, e të tjerë që kërkonin të ishin në radhët e nëpunësve a arsimtarëve.
Këndimi i shqipes, nuk ishte i mjaftueshëm, ndaj zyrtarët e lartë që do të ishin në ballë të diskutimeve publike ishin vendosur para përgjegjësisë, që të mësonin drejt shkrimin e gjuhës.
Vizioni i tij ishte i qartë, shqipja, për të cilën të parët ishin përpjekur ta ruanin me fanatizëm ndaj trysnisë së pushtimit osman, nuk ishte një relikt gjuhësor, por një ‘armaturë’ e fuqishme, me të cilën kërkohej të vishej mendimi intelektual. Për kreun e Kuvendit të Vlorës, e ardhmja e Shqipërisë së vogël, nuk mund të ishte e sigurt pa prioritete gjuhësore.
Më shumë se një shekull më pas, shohim se shumëçka ka ndryshuar. Gjuha shqipe, jo vetëm që nuk trajtohet si prioritet, qoftë edhe në aspektet më thelbësorë të komunikimit, por lihet pas dore. Në Kuvend, shumë prej ligjëruesve përfaqësues të popullit, kanë një artikulim të dobët e fjalor të vakët. Rastet më të zhurmshme, janë ato, ku ligjvënësit jo vetëm në shkrim por edhe në lexim, u nevojitet falja, sepse s’dinë ç ‘thonë.
Në më të mirat e rasteve, që vijnë rrallë, banaliteti nuk është pjesë e fjalimit të tyre. Monologët e “çoroditura” gjuhësore janë tipike, ndërsa në dialogë, shqipja përdoret për sulme verbale, ku epitetet fyese mbizotërojnë.
Nëpunësit e administratës, në këto rrethana, vështirë të vihen para përgjegjësisë morale, për një shqipe të pastër, në komunikimet që përcjellin. Fjalitë e stërgjata, termat e huaj, e shpesh dy germa të alfabetit “mangët”, janë karakteristike në njoftimet a përgjigjet e tyre.
Absurdi që vërehet në ditët e sotme, është se, pavarësisht se të rinjtë arrijnë nivele më të larta të arsimimit, ky fakt nuk ecën paralelisht me përgatitjen e tyre gjuhësore. Madje problematika në të folur e të shkruar, kanë jo rrallëherë edhe mësues, a pedagogë. Ndodh edhe të jenë të njëjtët, që zgjedhin, përkthejnë e përgatisin tekste shkollore.
Ndonëse Kongresi i Drejtshkrimit këtë vit shënon 50-vjetorin, standardi i vendosur i gjuhës shqipe, sot diskutohet ende. Bilanci mes asaj çka është marrë prej dy dialekteve bazë për njehsimin e shqipes, shpesh nxit debate, nëse Kongresi i ka “hyrë në hak” gegnishtes dhe pasojat që ky mënjanim i pretenduar mund të ketë.
Dialektet, përfaqësojnë të folurën e një konteksti territorial, e kështu, lind shqetësimi, se sa mund të shkojë kjo “e folme” në anën tjetër të Shqipërisë në qytete a kryeqytet, ku dialektet e kanë të vështirë të mbijetojnë. Gegnishtja në prozë lëvrohet pak, ndonëse poetët e ringrenë forcën e saj. Në këtë pikë duket se, ende lipset sqarim për raportin e standardit me dialektet e për rëndësinë që mbart njehsimi gjuhësor i vitit 1972.
Shqipja haset gjithnjë e më pak edhe në emërtimet që e prezantojnë vendin tonë. Nëse në Kosovë, të jepet mundësia të bësh një rrugëtim gjuhësor në qytete, ku shpesh për të huajt dygjuhësia lehtëson orientimin edhe përmes anglishtes, në Shqipëri alternativa është vetëm një.
Dhe për absurd, ajo nuk është gjuha mëmë. Ajo çka e bën dhe më kritike situatën, është kur kjo është zgjedhje e vetë strukturave shtetërore. Rasti i stadiumit “Qemal Stafa” është një prej shembujve, që shikohet me sy kritik nga gjuhëtarët. Emërtimi “AirAlbania”, është një nga shembujt tipik që e ‘ftohin’ objektin jo vetëm me shqipen, por edhe me historikun që mbart ai vend.
Ndonëse dokumentet e shkruara janë të vona, prejardhja e shqipes, siç theksojnë studiuesit, është e lidhur në mënyrë të pashmangshme me prejardhjen autoktone të gjuhës sonë. Por, pretendimet e përcjella mediatikisht, se nga shqipja rrjedhin edhe gjuhë të tjera, deri edhe vetë latinishtja, studiuesi i quan si abuzime që nuk meritojnë t’u jepet zë.
Prej vitit 1980 kur u hartua Fjalori i Gjuhës Shqipe, me 41 mijë fjalë, pasurimi i tij ka shoqëruar diskutimet në tryezat shkencore të gjuhës. Në vitin 2006, studiuesit sollën një fjalor të ri me shtatë mijë fjalë shtesë, por hartimi i një Fjalori normativ është paraqitur gjithnjë si emergjencë.
Studiuesi Xhevat Lloshi shpjegon pse nuk ka marrë pjesë në hartimin e Fjalorit të Madh të Shqipes, një nga tre projektet e Akademisë së Shkencave që vetëm për vitin 2021 u llogarit në vlerën prej 23.1 milionë lekë.
Puna për hartimin e tij, si dhe shpërndarja e buxhetit, vijon edhe për vitet 2022 dhe 2023, por gjuhëtari thotë, se përparësi nuk duhet të ketë shtimi i fjalëve të reja, por përzgjedhja e kujdesshme e termave. Kjo, veçanërisht sa i përket fjalëve të reja e huazimeve që kanë lindur me zhvillimin e sektorëve të ndryshëm, veçanërisht teknologjisë.
Vetëm gjatë muajve të fundit, gjuhëtarët kanë dëgjuar me qindra herë përdorimin e fjalës incenerator, duke mos u shqiptuar asnjëherë fjala shqipe shkrumbatore. Përdorimi i fjalës ‘bypass’ për infrastrukturën rrugore, por edhe në mjekësi, po ashtu krijon ‘turbulenca’ gjuhësore.
Si këto ka edhe shumë terma të tjerë. Nga ana tjetër në media, dokumente zyrtare apo edhe tekste ende nuk është bërë e qartë se si duhen shkruar fjalët në anglisht. Në disa raste i shohim të shkruara në versionin e tyre origjinal e në të tjera, shkruhen ashtu siç shqiptohen në shqip.
Siç thotë studiuesi, ka ardhur koha që përdorimi i drejtë i këtyre fjalëve, të vendoset nga gjuhëtarët, e për zgjidhjen e këtyre çështjeve gjuhësore, të ngrihet Komisioni Shtetëror i Terminologjisë./shqiptarja.com
Më poshtë e gjeni videon e intervistës me Xhevat Lloshin:
Lexo edhe:
XHEVAT LLOSHI: DUHET HARTUAR NJË FJALOR I RI PËR GJUHËN SHQIPE
ObserverKult