Pablo Ruiz Picasso lindi në 25 tetor 1881 në Málaga, Ishte piktor, projektues grafik dhe skulptor spanjoll.
Konsiderohet si njëri nga artistët më të rëndësishëm të shekullit XX. Ka punuar më shumë se 15.000 piktura, vizatime, grafika, plastika dhe qeramika dhe bashkë me Georges Braque themeloi Kubizmin.
Rreth 51 vjet më parë, më 8 prill të vitit 1973, në Mougins të Francës, vdiq piktori spanjoll Pablo Picasso, pionier i kubizmit, duke refuzuar të kthehet në Spanjë gjatë regjimit të Frankos, ai e kaloi pjesën më të madhe të jetës në Francë.
Veprat e tij më të shquara janë “Zonjushat e Avinjonit” dhe ” Guernika “. Shpesh herë punët e Pikasos kategorizohen në periudha, emrat e të cilave janë bërë edhe objekt debatesh.
Periudhat më të pranueshme janë: periudha blu 1901-1904, periudha rozë 1905-1907, periudha e influencës afrikane 1908-1909, periudha e kubizmit analitik 1909-1912 dhe e kubizmit sintetik 1912-1919.
Pasi studioi për arte në Madrid bëri udhëtimin e parë në Paris në vitin 1900, në kryeqendrën e artit botëror. Atje banoi me Max Jacob një gazetar dhe poet që e ndihmoi të mësonte frëngjisht. Përgjithësisht Pikaso punonte natën dhe flinte ditën.
Ishte një kohë varfërie dhe të ftohti dhe shumë prej punëve të tij u dogjën për të ngrohur sado pak dhomën. Një vit më vonë, së bashku me mikun e tij themeloi gazetën “Arte Joven” në Madrid.
Edicioni i parë u ilustrua i gjithi prej tij, prej asaj dite nisi t’i nënshkruante veprat e tij vetëm “Picasso”.
Në vitet e para të shekullit të 20-të e ndante jetën mes Parisit dhe Barcelonës, kur nisi edhe një marrëdhënie me Fernande Olivier, me të cilën u bë objekt i shumë faqeve rozë në gazetat e kohës.
Pasi fitoi famë dhe pak pasuri, Picasso e la Olivier për Marcelle Humbert, të cilën ai e thërriste Eva.
Dashurinë për të ai e shprehu në shumë prej veprave të tij kubiste. Miqtë e tij të asaj kohe ishin André Breton, Guillaume Apollinaire dhe Gertrude Stein. U martua dy herë dhe pati katër fëmijë me tre gra. Në 1918 u martua me balerinën Olga Kholhlova, e cila e integroi piktorin në shoqërinë e lartë.
Por jeta e tyre ishte një luftë e vazhdueshme, jeta e lartë që dëshironte Olga binte ndesh me jetën boheme të piktorit. Gjatë kësaj kohe pati edhe një lidhje të fshehtë me 17- vjeçaren Maria Therese Walter.
Gjithsesi qëndruan ligjërisht të martuar deri në vdekjen e balerinës në vitin 1955. Fotografja dhe piktorja Dora Maar ishte gjithashtu një shoqe dhe e dashur konstante e Picassos.
Pas çlirimit të Francës pati një tjetër lidhje me një studente të re arti Françoise Gillot, me të cilën pati dy fëmijë.
Ajo u nda prej tij për tradhti. Më tej pati të tjera të dashura edhe pse në një moshë të thyer. Gjatë luftërave ai mbajti një qëndrim neutral, duke refuzuar të luftojë në njërën, apo tjetrën anë.
Edhe pse nuk e komentonte asnjëherë një gjë të tillë, e grishte ideja e të qenurit pacifist.
Në vitin 1948, Picasso u bë mik me Ibrahim Kodrën, pikërisht në këtë temë në “Konferencën Ndërkombëtare për Paqen e Romës”, në të cilën të dy së bashku kryen një hulumtim të thellë artistik.
ObserverKult ju sjell disa fakte interesante për të:
1- Ai lindi “më herët“
Pablo Picasso ishte një foshnje tepër e dobët kur lindi, sa mamia mendoi se mos kishte lindur para kohe. Ajo e la në tavolinë që të kujdesej nëna e tij.
Ishte xhaxhai i tij që i vuri emrin Don Salvador, që e shpëtoi. Ai thotë: “Doktorët në atë kohë i thanë se nuk do të mbijetonte, por ai ia doli shumë mirë. I fryva duhan në fytyrë dhe menjëherë ai reagoi”.
2- Fjala e parë: laps
Picasso duket se ka lindur artist. Fjala e parë ishte laps, “piz”, shkurtimi në spanjisht. Babai i tij, Ruiz, një profesor arti dhe artist, e arsimoi në këtë fushë duke filluar nga mosha 7-vjeçare.
Ruiz u zotua se do të hiqte dorë nga piktura, pasi në moshën 13-vjeçare, Pikaso ia kishte kaluar për mjeshtëri.
3- Vizatimi i parë i Pablos
Në moshën 9-vjeçare, Pikaso përfundoi pikturën e parë, “Le Picador”, një burrë që kalëronte një dem. Piktura e parë në moshë madhore quhet “First Communion, ku portretizohet babai, nëna dhe motra e vogël, të gjunjëzuar në altar. Picasso ishte 15 vjeç kur e përfundoi.
4- Picasso ishte nxënës i tmerrshëm
Për këtë nuk ka dyshim, Picasso ishte brilant, nga ana artistike. Ai ishte shumë vite më para se shokët e klasës, edhe pse ishin katër ose pesë vite më të vjetër se ai. Por Picasso shpesh sillej keq dhe dënohej. Atë e nxirrnin nga klasa dhe e linin të ulur në stol në fund të klasës.
5- Puna e parë e Pablo Picassos
Ai e nënshkroi kontratën e parë në Paris me një shitës arti, Pere Menach, i cili ra dakord ta paguante 150 franka në muaj (750 dollarë sot).
6- A e grabiti Picasso Mona Lizën?
Në të vërtetë, jo, por në vitin 1911, kur Mona Liza u grabit nga muzeu i Luvrit, policia mori shokun e Picassos, poetin Guillaume Apollinare, në polici. Apollinaire i vuri gishtin Picassos si të dyshuar, kështu policia e mori në pyetje edhe atë. Të dy më vonë u liruan.
7-Kubizmi: Plot me kuba të vegjël
Në vitin 1009, Picasso dhe artisti francez, Georges Braque, themeluan lëvizjen e artit, kubizmin. Në të vërtetë, ishte kritiku francez i artit, Louis Vauxcelles, që fillimisht e quajti “kuba të çuditshëm”, pasi vuri re se Picasso dhe Braque pikturonin piktura “plot me kube të vegjël.
8- Makina e Picassos
Kjo nuk është me saktësi makina e tij, por e ka një histori. Para disa vitesh, mekaniku Andy Saunders nga Dorset, Angli, e konvertoi makinën e tij “Citroen 2CV” në një vepër arti të frymëzuar nga Pablo Picasso. Saunders e quajti makinën “Picasso’s Citroen”, sepse dukej më e bukur nga sa ishte fillimisht.
ObserverKult
Lexo edhe:
“NËSE GJELI KËNDON NË MBRËMJE- VDES NJË MIK”/ JA DISA BESTYTNI SHQIPTARE PËR MIQTË…