Të pathënat për Avni Mulën, miqtë e ngushtë flasin për pengjet, marrëdhënien me Ninën dhe të bijat

Imazhi i tij lartësohet në hollin e “Arteve”, ndërsa karvani i personaliteteve përkulet me mirënjohje. Avni Mula mbetet “Nderi i Kombit”, “Artisti i Popullit”, por dekorata që e lartëson më shumë është muzika e tij, që e përcjell në atëbotë, këtë të premte të trishtë.

Zëri bariton, tek i këndon vendit e dashurisë, u jep forcë të bijave artiste, Adelinës dhe Invës, teksa presin dashamirësit e shumtë, që japin “përqafimin me dorë në zemër”. Me sytë të përlotur e bashkëshortin në krah, Inva këtë fundtetori është më shumë se kurrë bija e dhimbsur që kujdeset të përcjellë atin me dinjitet, sikundër ai diti të jetojë. Kanë bërë kështu këto kohë, siç tregojnë të afërm, pa dashur t’i trazojnë shpirtin ikonës së skenës, e duke e rrethuar me dashurinë e miqve më të ngushtë.

“Na i lehtësuat dhimbjen e fortë që kemi përjetuar me humbjen e babait tonë të shtrenjtë”, thotë sopranoja.

Më tej, e mallëngjyer tregon pse për lamtumirën e fundit zgjodhi “Artet”, ku ai pati punuar si pedagog kantoje.

“Ne zgjodhëm këtë vend, sepse këtu është zanafilla e operës. Këtu nisi arti mitik. Këtu është fabrika që prodhon artistët shqiptar”, shton ajo.

Homazhet e Avni Mulës këtë të premte, ndonëse në kohë pandemie, bën bashkë dhjetëra artistë të tre brezave, nga Tirana e mbarë Shqipëria. Nuk munguan as përfaqësues nga Kosova, për artistin me origjinë gjakovare. “Ai është bir Kosove, është bir shqiptarie. Avni Mula i përket të gjithë kombit dhe kontributi i tij mbetet i pazëvendësueshëm”, thotë ministrja e Kulturës së Kosovës, Vlora Dumoshi.

Blloku i bardhë i shënimeve, lënë në hyrje të “Arteve” përgjatë tri orëve (nga 11.00:13.00) peshon shumë. Mes falënderimeve, mirënjohja për artistin vjen edhe nga shkolla 9-vjeçare “Servete Maçi”, salla koncertore e së cilës, mban emrin e Mulës. “Zërat e tingujt e rinj” të Artit shqiptar do jetojnë duke ecur nën gjurmën e artit tënd, që do flasë gjithnjë shqip. I madhi baca Avni! U prehsh në ‘Valsin e lumturisë’”, shkruhet në shënim.

“GJYSMA ËSHTË AVNI E GJYSMA NINË!”

“U shemb edhe një shkëmb nga mali. Sot, duhet të jetë zi kombëtare”, thotë kompozitori Robert Radoja, për mikun e kolegun e tij, Avni Mulën. E veçon si një këngëtar të paarritshëm e kompozitor, këngët e të cilit do të dëgjohen në shekuj. Ndër dy rolet më të arrira nga Mula si bariton, ai përmend Figaron te “Berberi i Seviljes” dhe Eskamiljon te “Karmen”.

“Janë dy shembuj që nuk janë përsëritur më kurrë”, shprehet Radoja.

Mik i një jete me Mulën, ai e di se ky largim fizik do të shënojë, bashkimin me dashurinë e madhe të jetës së tij, Ninën. “Ata të dy bëjnë një. Gjysma është Avni e gjysma Ninë, një zonjë e artiste e bukur”

Ndoshta ndarja fizike me mikun e trishton, në çdo etapë të njohjes me të i zgjohen kujtime të bukura. Si ai i afro 7 dekadave më parë, kur njohu mësuesin e tij të dashur. Një zotëri i ri, me emrin Avni.

“Isha në klasë të katërt në shkollën “Vasil Shanto” dhe na erdhi një mësues i ri. Mësues Avni Mula, pas të cilit u afeksionuam shumë shpejt. Aq shumë na bëri për vete, saqë kur i erdhi koha për të bërë ushtrinë, ne u çuam si klasë dhe protestuam: Mos na merrni mësuesin! Mos na hiqni mësuesin!”

Por, do të ishte pikërisht Ansambli i Ushtrisë, ku gjatë viteve ’40 Avni Mula do të dallohej për zërin e tij të rrallë e do të jepte shfaqjet e para jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik.

“TI JE IKONA IME”

“Këtu e 60 vite të shkuara, ai më mori pranë vetes dhe unë i thashë: Avni, ti je ikona ime. Prej asaj kohe, mes nesh lindi një miqësi e ngushtë, që vitet vetëm e forcuan”.

Baritoni Minella Kriqi, mik i ngushtë i kompozitorit kujton njohjen me të. Në fund të viteve ’50, artisti ishte kthyer nga studimet në Moskë dhe nisi punë në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit.

“Mua më gjeti pjesëtar të korit të operës kur erdhi me studime. Tek ai vërejta një njeri të kompletuar, si dhe një njeri që mahniste në skenë”.

Me kalimin e viteve, njoha tek Avniu edhe bashkëshortin e babanë shembullor. I devotshëm në rritjen e dy vajzave, por po aq i përkushtuar edhe në shoqëri. Kushdo që shkonte tek ai për ndihmë, do bënte të pamundurën për ta ndihmuar”.

Sa i përket pengjeve që mund të kishte miku i tij, Kriqi, thotë: “Avniu mund të kishte pengjet e tij. Ai ishte i pangopur për kontributin që donte të jepte, ndonëse vepra e tij është shumë e pasur. E filloi karrierën e kompozicionit që nga këngët për fëmijë e të rritur, romanca, balada, opera, opereta, sinfoni. Të gjitha gjinitë e muzikës i ka lëvruar”, thotë baritoni.

Sa i përket takimeve të fundit, ai tregon se me pandeminë dhe sëmundjen ato ishin limituar.” Prej pandemisë u vetëizoluam në shtëpi. Por, e kam ndjekur vazhdimisht në telefon se isha dhe mik i familjes dhe më informonin për shëndetin”, shton më tej.

Ka qenë, sipas Kriqit, harmonizimi gati i përkryer i virtyteve humane dhe ato artistike, që e bëjnë atë të pavdekshëm. “Avni Mula ka mbetur ylli me vezullim që nuk do të shuhet kurrë”.

Nga Meta te Berisha, shënimet e politikanëve për Avni Mulën

Politika nuk njeh ngjyra këtë të premte e duket se nxjerr prej vetes çfarë është humane, ndërsa i jep lamtumirën ikonës së skenës, Avni Mulës.

Presidenti Ilir Meta përulet me nderim para imazhit të kompozitorit të jetësuar në foto, ndërsa në dalje, lë shënimin e tij.

“I përjetshëm, zëri dhe vepra e kolosit të muzikës dhe kulturës sonë kombëtare, Avni Mulës”, shkruan ai. Homzhet i bën menjëherë pas kreut të Bashkisë, Erjon Veliajt, që ndryshe nga politikanët e tjerë zgjodhi të heshtë në shenjë respekti.

Pas ardhjes së Lulzim Bashës, ish-Kryeministri Sali Berisha, për t’i dhënë lamtumirën artistit, shënon një nga daljet e tij të rralla, duke firmosur edhe në letërvlerësimin e tij:

“Me nderim dhe mirënjohje të thellë për Avni Mulën, kolosin e muzikës dhe kulturës shqiptare”.

Ndërsa ministrja e Kulturës, Elva Margariti, shkruan se Avni Mula përmes veprës, e ka siguruar përjetësinë:

“Humbja e një njeriu të tillë është veç fizike. Ai nuk do të zhduket kurrë nga historia e kulturës së Shqipërisë”, shton ajo.

Po ashtu, ambasadori i Kosovës, Nait Hasani, shkruan se do t’i qëndrojë kohës dhe epokave zëri mallëngjyes i këngëve që këndoi dhe krijimtaria e tij./Anila Dedaj-Panorama.com.al