Të pikturosh vjeshtën në poezi/ Recension për poezinë e Pem’za Pesos

Emine Maliqi pem'za

Leximi i poezisë së Pem’za Pesos ( Emine Maliqit) , “Mozot e m‘ke harru” e përfshirë në librin “Kuqmi flokët e thime”(LITTERA, Prishtinë, 2022, fq.38) të mrekullon me atë të verdhën e vjeshtës së tretë në vargje, një të verdhë të theksuar që ngjyros me vjeshtërinë e saj jo vetëm fjalët, por edhe imazhin e saj poetik.

pem'za

Nga Timo Mërkuri

I– Qysh në leximin e parë, e verdha e vjeshtës së bashku me koloritin melodioz dialektikor të ofron mendimin për të kuptuar poezinë si një “pikturë që flet”dhe ndjen se kjo është mënyra e duhur për të shpjeguar kontekstin artistik të saj. Ky koncept është në thelb të interpretimit të poezisë si imazh vizual, e trajtuar si një pikturë me ngjyra, forma, dhe imazhe që transmetojnë një histori jetësore.

Kur thuhet se poezia është një pikture që flet, kjo përbën një krahasim mes imazhit të vizatuar në një pikturë dhe imazhit që krijohet në mendjen e lexuesit nga vargjet e poezisë, pasi poezia është e pasur me imazhe:”e kâm ngjy/ me dy gishta vjeshtë”, “mozot/e s’rrudhet vjeshta”,”mozot/e humb/si dielli kur bjen n’ujna të thella”, “m’e fshehë mallin/derisa më diktunë/e më përzunë/lisat“.

Këtu, si në një pikturë që flet, detajet dhe elementet e poezisë (si vargjet, imazhet, e metaforat) janë pjesët e ndërtimit të një pamjeje të plotë e të ndjeshme në mendjen e lexuesit, veçse shtojmë se te kjo poezi-pikturë ka dominimin e ngjyrës së verdhë të vjeshtës, e cila zotëron strukturën shpirtërore të poezisë, pavarësisht se përmendet vetëm dy herë: “dy gishta vjeshtë” dhe “s’rrudhet vjeshta”.

Kjo qasje e poezisë me një pikturë që flet ndihmon në të kuptuarin më të mirë të thellësisë së poezisë, si dhe në shprehjen e ndjenjave dhe përvojave në mënyrë artistike, që ngjan me aftësinë e një pikture për të bërë të njëjtën gjë përmes elementëve vizualë. Sigurisht, që poezia mund të shihet si një imazh i shprehur përmes fjalëve, si një vizatim i shfaqur me ngjyrat, format, dhe emocionet nëpërmjet vargjeve dhe imazheve poetike. Në këtë drejtim, vargjet dhe fjalët në poezi krijojnë një imazh, si piktura në një tablo, duke shfaqur ngjyrat, format dhe detajet emocionale e shpirtërore të heroinës. Përmes fjalëve dhe imazheve verbale, poeti krijon një pamje të hollësishme që prek shpirtin dhe imagjinatën e lexuesit.

Poetët përdorin strukturën e poezisë si një kompozicion artistik që përfshin linjat, format dhe gjithë elementet për të bërë një vizatim të qartë. Forma e poezisë (si strofat, rima, apo struktura e lirë) është si baza e një tabloje mbi të cilën krijohen imazhet dhe emocionet poetike.

Kjo poezi e Pemzës transmeton ndjenja dhe krijon një atmosferë, ku përdorimi i ngjyrave, detajeve, dhe metaforave reflekton thellësinë e ndjenjave, duke bërë që lexuesi të përjetojë ato në një mënyrë vizuale dhe emocionale. Pavarësisht se interpretimi i një poezie është subjektiv dhe varion nga lexuesi në lexues, koncepti i poezisë si një pikture që flet ofron një perspektivë të bukur për të kuptuar, perceptuar dhe ndjekur imazhet dhe emocionet e shprehura në një mënyrë poetike dhe artistike.

II– Poezia “Mozot e m’ke harru” është thelbësisht metaforike dhe simbolike në natyrën e saj dhe përmban imazhe që reflektojnë botën e brendshme e përvojat duke i dhënë një dimension më të thellë tekstit. Kështu te vargjet: “Mozot (mos për atë Zot)/e s’rrudhet vjeshta/mbi shuplakë dorë/e vjen ti para bore” përdoren imazhet e vjeshtës dhe dimrit si metafora për të shfaqur një moment të papritur apo një situatë të vështirë që përjetohet.

Vjeshta si stinë e “humbjes” dhe dimri si një periudhë e ftohtë janë simbole që sjellin një ndjenjë melankolie dhe pritjeje për diçka të dëshiruar apo të papritur. Poezia ka dhe përcjell njën trishtim vjeshte, një vjeshtërim do ta quaja unë, pavarësisht se fjala “vjeshtë” përdoret vetëm dy herë në gjithë poezinë me trishtimin e zakonshëm të stinës. Dhënien e këtij peisazhi kaqë të gjallë në poezi e ka ndihmuar dhe fakti se vjeshta e trishtimit është stina frymëzuese e poetëve, jo ndonjë stinë tjetër.

Po ashtu dhe vargjet “Si dielli kur bjen n’ujna të thella/me u shukë/edhe unë shpesh e kam marrë malin/m’e fshehë mallin/derisa më diktunë/e më përzunë/lisat” janë të ngarkuara me simbolika dhe metafora, ku imazhi i diellit që bie në ujërat e thella shfaq një humbje të fshehur apo ndjenjat që ndikojnë në mënyrë të padukshme. “Marrja e malit” (vrapimi në mal) dhe “përzënia e lisave” janë metafora që shfaqin përpjekjen për të fshehur ndjenjat në shpërthim si dhe momentin kur ato dalin në dritë në mënyrë të papritur, por njëkohësisht japin dhe një imazh.

Në këtë mënyrë shohim se te kjo poezi struktura artistike shprehet me figura artistike shumëplanëshe, dukuri jo e shpeshtë në poezinë shqipe, të cilën e analizojmë më qartësisht te vargu:”Pllambën e dorës e kam ngjy/ me dy gishta vjeshtë” ku: kjo metaforë nuk është përshkrim i drejtpërdrejtë i dorës së heroinës , por është një reflektim i veçantë që shfaq ndryshime apo përvojat e jetës së saj. Përdorimi i “dy gishta vjeshtë” si elementë që ngjyrojnë pëllëmbën e dorës ka një konotacion të thellë simbolik të përvojave vajzërore apo transformimeve të mëpasme. Pëllëmba e dorës e ngyrosur me “dy gishta vjeshtë” shfaq gjithashtu një imazh të thellë dhe ka mundësi të përshkruajë një kohë të ndryshuar, maturi ose një kthesë në jetën e heroinës.
Emërtimi i ngjyrës së gishtave (vjeshtë) paraqet një imazh të pasur dhe të ndjeshëm, që mund të lidhet me një kohë, kuptim të brendshëm apo emocional të heroines. Gishtat e ngjyrosur me ngjyrën e vjeshtës mund të paraqesin një ndryshim në mënyrën e të menduarit apo të jetuarit, ku vjeshta si stinë e vitit paraqet një kohë të ndryshimeve apo të përfundimit të një cikli (vajzërisë), ndaj edhe përdorimi i saj si simbol mund të lidhet me kuptim të proceseve të rëndësishme në jetën e heroinës

Këto vargje dhe imazhe shërbejnë për të përformuar një pamje të thellë dhe simbolike të emocioneve e përvojave të autorit dhe përdorimi i simboleve e metaforave bën që poezia të ketë një dimension më të gjerë, duke e bërë të hapur për interpretim të ndryshëm sipas përvojave dhe perceptimeve të lexuesit.

III– Duhet të theksojmë se në poezinë “Mozot e m’ke harru” imazhet përdoren për të forcuar tiparet metaforike dhe simbolike të poezisë. Kështu në vargje si “Mozot /e s’rrudhet vjeshta/mbi shuplakë dorë/e vjen ti para bore” dhe “Si dielli kur bjen n’ujna të thella/me u shukë/edhe unë shpesh e kam marrë malin/m’e fshehë mallin/derisa më diktunë/e më përzunë/lisat“, imazhet e vjeshtës, diellit, ujrave të thella dhe marrja e malit (vrapimi nëpër mal) janë përdorur si simbole dhe metafora për të përshkruar ndjenjat dhe përvojat e fshehura.

Vjeshta duke qenë e asociuar si një periudhë ndryshimesh, është përdorur edhe kjo si një imazh që përforcon humbjen dhe mungesën, ndërsa dielli që bie në ujërat e thella është një imazh që simbolizon një humbje të padukshme, një largim të fshehtë apo një ndarje të papritur.
Përdorimi i këtyre imazheve dhe simboleve ka për qëllim të thellojë emocionet dhe përjetimet që përshkruhen në poezi dhe të shprehë tiparin metaforik dhe simbolik të poezisë, duke ndihmuar lexuesin të lidhet me një dimension më të thellë emocional dhe simbolik të përjetuar nga autori në mënyrë më efektive, duke krijon njëkohësisht dhe një përvojë më të thellë leximi dhe interpretimi.

IV
-Tipar i kësaj poezie është moderniteti poetik, në një sfond poetik tradicioinal, por vlen të theksojmë se ky modernitet shfaqet jo vetëm me sfond tradicional por edhe me shndërrimin e elementeve tradicionalë në pjesë të modernitetit poetik. Kështu dialekti gegnisht, shfaq një kulturë gjuhësore lokale dhe një stad kohor të kaluar, duke rënduar identitetin kulturor të poezisë.
Përdorimi i ngjyrës së verdhë për të shfaqur vjeshtën është element tradicional që lidhet me perceptimin e vjeshtës si stinë e verdhë dhe melankolike dhe dihet që përdorimi i ngjyrave për të përshkruar stinët është një element poetik i hershëm. Referencat ndaj traditave zakonore si “vade e ndame” e “ngjyerja e pellembëve” me këna janë detaje që paraqesin një traditë të caktuar kulturore.
Pavarësisht këtij fakti duhet të theksojmë se te poezia “Mozot e m’ke harru” elementet tradicionale kontribuojnë në thellësinë e përvojës poetike dhe në sfondin kulturor të poezisë. Kështu, përdorimi i dialektit gegnisht, referencat ndaj zakoneve dhe imazhet që përfaqësojnë një kontekst kulturor tradicional, në rastin tonë i japin thellësi dhe autenticitet poezisë. Këto elemente kontribuojnë në modernitetin poetik duke e vendosur poezinë në dialog midis traditës dhe modernes, duke e bërë atë tërheqëse për lexuesit e të dy kohërave. Ndërkohë, përdorimi i këtyre elementeve tradicionale në një mënyrë që i përshtatet kontekstit modern poetik, e bën poezinë aktuale dhe e përshtatshme për një audienca të gjerë.

Poezia vërtet përdor elemente të traditës dhe zakoneve kulturore, por i integron ato në një kontekst modern poetik. Përdorimi i dialektit dhe referencat ndaj zakoneve të caktuara tregojnë për një rrënjë tradicionale të thellë. Këto elemente në vend që të kufizojnë poezinë në një kohë të caktuar, janë përdorur në mënyrë që të krijohet një sfond që forcon modernitetin poetik të saj. Kështu melodiciteti i gegnishtes shndërrohet në një muzikë për poezinë, e verdha e vjeshtës shndërrohet në ngjyrë zotëruese e ambientit poetik dhe i përcjell lexuesit ndjesitë e saj, kodet zakonore shndrohen në ambient ku ekspozohen piktura dhe luhet muzikë etj.

Në këtë poezi cilësisht dhe në gjithë krijimtarinë poetike të poetes Pemza përdorimi i dialektit dhe referencat ndaj zakoneve tregojnë për një ndërthurje të kulturës dhe traditës me botën e sotme. Poezia ruan thellësinë e identitetit kulturor, por në të njëjtën kohë e prezanton atë në një mënyrë të pranueshme për kohën moderne dhe ky bashkëveprim midis elementeve tradicionale dhe kontekstit modern krijon një frymë të re dhe aktualizon poezinë për audiencën e sotme. Dialogu midis traditës dhe modernes në poezi ndihmon në krijimin e një harmonie midis vlerave të trashëgimisë kulturore dhe nevojës për një ekspresion aktual. Kështu, poezia përmban në vetvete një sfidëpoetike që përfaqëson rrugën e bashkëjetesës së traditës dhe modernes në një kontekst artistik.

Në këtë kontekst, moderniteti poetik shfaqet në mënyrën si poezia përdor gjuhën dhe imazhet për të reflektuar përvojën njerëzore në një mënyrë që është relevante për kontekstin aktual. Psh. përdorimi i dialektit gegnisht mund të shihet si një përpjekje për të ruajtur autenticitetin e kulturës dhe identitetit, ndërsa poezia modernizon këtë aspekt duke i sjellë atij një vlerë të përshtatshme për audienca të ndryshme. Përdorimi i elementeve të traditës në një kontekst poetik modern ndihmon në përhapjen e kuptimit të trashëgimisë kulturore në një formë që është më aksesibile për audiencën e ditës së sotme.

Lidhja mes elementeve të traditës dhe përvojave moderne, siç janë reflektimi mbi humbjen, malli, dhe ndjenjat e thella, paraqiten në mënyrë që përfaqësojnë sfidat dhe emocionet e kohës së sotme. Ky harmonizim midis elementeve tradicionale dhe modernes krijon një dimension të veçantë dhe të thellë për poezinë.
Psh. përdorimi i ngjyrës së vjeshtës si simbol i ndryshimeve, përballjes me humbjen dhe kërkimit të identitetit të humbur, paraqet një interpretim modern të një teme tradicionale. Kombinimi i elementeve të traditës me interpretimin e tyre modern dhe aktual krijon një shkëlqim poetik që reflekton një kuptim të pasur dhe të gjerë të përvojave njerëzore.

Poezia nuk ndjek një strukturë të rregullt apo tradicionale në lidhje me rimën, mënyrën e organizimit të vargjeve apo strukturën e strofave, ajo ka liri të madhe në mënyrën se si përdor gjuhën, ndërtimin e strofave dhe organizimin e mendimeve, madje dhe aspektin tradicional e përdor si një sfond (të bukur) poetik. Duhet të themi se pikërisht sfondi tradicional poetik i kësaj poeteje dhe modernizimi i tyre është një risi më vete në poezinë moderne shqipe, tepër e nevojëshme për tu studiuar më vete.

Ndjesia e thellë e një harrese, bashkë me kujtesën melankolike për të kaluarën, shprehin tiparin modern të poezisë, e cila merret me botën e brendëshme shpirtërore të individit. Këto ndjenja transmetohen nëpërmjet dhimbjeve dhe kujtimeve të shprehura në mënyrë të ndjeshme. Poezia moderne reflekton realitetin e jetës moderne, duke përshkruar sfidat, çështjet dhe kontradiktat e kohës sonë, ajo ka tendencën të shprehë reflektimin e kushteve shoqërore, politike dhe kulturore të kohës së saj.

Poetja përdor figura letrare si metafora, simbolika dhe imazhe për të shfaqur botën e saj shpirtërore: kujtimet, ndjenjat dhe kërkesat e saj. Këto figura i japin poezisë një thellësi të jashtëzakonshme dhe e bëjnë atë të shprehë modernisht emocione të thella dhe komplekse dhe përdoren për të qartësuar mesazhin poetik dhe ndjenjën që transmetohet.
Heroina shfaq një dëshirë të fortë për të ruajtur kujtimet e bukura, kërkesë e cila ka një peshë të veçantë në poezi dhe që shfaq botën e saj të brendshme. Ajo përdor detajet e vogla të kujtimeve, si ngjyrat, objektet apo imazhet, për të shfaqur një kohë të humbur, një emocion të veçantë, detaje që rrisin thellësinë dhe intimitetin e poezisë, tipar i modernitetit poetik.

Në këtë poezi, natyra përdoret si një mjet për të paraqitur përvojat njerëzore dhe për të reflektuar mbi jetën dhe humbjen në mënyrë simbolike dhe metaforike, duke treguar një lloj moderniteti ku lidhja mes njeriut dhe natyrës shpaloset në një nivel më thelbësor.
Këto elemente moderniteti në poezi e bëjnë atë të përshtatshme për të shprehur emocione, ndjenja dhe përvoja në një mënyrë abstrakte dhe komplekse, duke e bërë tërheqëse për lexuesit që kërkojnë një përvojë poetike të thellë dhe të reflektuar. Theksojmë se jo vetëm te kjo poezi, por elementët e modernitetit poetik në sfond tradicional autorja i ka nerva në krijimet poetike të librit “Kuqmi flokët e thimë”.

Ndërsa ka shumë detaje të fshehura në këtë poezi, që përbëjnë dukurinë e misterit poetik, ajo ngjan të reflektojë përjetimet personale të heroinës, duke përdorur natyrën si mjet për të shprehur ndjenjat, botën e saj shpirtërore. Çdo imazh e detaj dhe çdo metaforë mund të interpretohet në mënyra të ndryshme, duke i lënë lexuesit hapësirë për të gjetur kuptime të ndryshme në tekst. Si përfundim, theksojmë se modernitetin e poezisë e shton dhe e përforcon edhe mënyra se si është shfrytëzuar dhe përdorur elementi tradicional i sfondit poetik.

V– Në poezinë “Mozo e m’ke harru” të Pemzës, zbërthimi i metaforave nuk të jep aspektin linear të një historie, një kohe apo një vendi, kjo për arsye se në disa pasazhe poetike të saj shfaqet dukuria e misterit poetik apo fshehja e ngjarjes. Poezia ka pasazhe që shfaqin misterin poetik duke përdorur imazhe të fshehta dhe metafora që nxisin reflektim dhe interpretim të thellë psh:”mozot e m’ke harru / lehtë â me m’gjetë / pllambën e dorës / e kâm ngjy / me dy gishta vjeshtë” ku përdorimi i imazheve të ngjyrave dhe stinëve për të përshkruar kujtimet dhe emocionet e fshehura krijon një atmosferë misteri poetik. Po ashtu vargu “të kujtohet / si dikur çikat ndër vade të dame / të shejume me pika kane” shfaq një përdorim të metaforës për të përshkruar një moment të caktuar të jetës së vajzave, duke përdorur imazhin e lyerjes së gishtave me bojë “këna”, ku metafora sjell një atmosferë ndryshe, duke paraqitur një moment të veçantë, por duke ruajtur misterin e thellë të kuptimit të fshehtë. Mund të citojmë dhe pasazhet “mozot / e s’rrudhet vjeshta / mbi shuplakë dore / e vjen ti para bore” që paraqet një vjeshtë të padukshme që vjen përpara bores, duke shfaqur një periudhë të papritur apo një kthesë të fshehtë në jetë dhe krijon një atmosferë enigmatike të ngjarjeve etj.

Këto pasazhe përdorin metafora dhe imazhe të natyrës për të shfaqur ndjenjat e fshehta, humbjen, dhe kthesat e papritura në jetë, duke krijuar një atmosferë të misterit poetik që inkurajon lexuesin të interpretojë dhe të reflektojë mbi thellësinë e kuptimeve të fshehura në poezi. Në shumë raste, poetët përdorin misterin poetik për të shtuar thellësi mendimi në poezi, për të shfaqur emocione , ndjenja, apo ide në një mënyrë të pazakontë. Pem’za Peso, në poezinë “Mozo e m’ke harru”, mund të ketë përdorur këtë mister poetik për të:
-Stimuluar imagjinatën e lexuesit, pasi ka lënë shteg të hapur për interpretim. Ajo mund të ketë pasur synimin që lexuesi të shkojë përtej fjalëve të shkruara dhe të shpërthejë me interpretime të ndryshme dhe të personifikuara.
-Krijuar emocione të thella, pse duke e lënë diçka të pazbuluar ose të fshehtë, poetja mund të ketë synuar të krijojë një atmosferë të ngarkuar emocionalisht që të rrezatojë ndjenja të forta tek lexuesi.
-Futur në vepër një dimension të pazakontë, pse përdorimi i misterit poetik mund të ndihmojë në ndërthurjen e realitetit me sfera të tjera, duke futur një dimension më të thellë apo më simbolik në poezi, duke dhënë një kuptim më të gjerë apo më simbolik të temës që trajtohet.
-Shpërndarë mendime të thella mbi jetën, emocionet dhe eksperiencat njerëzore që mund të jenë të vështira për t’u shprehur me fjalë të thjeshta.

Dukuria e misterit poetik është një element i rëndësishëm në poezi dhe ka një lidhje të fortë me modernitetin poetik. Në poezi, moderniteti ka sjellë ndryshime në mënyrën se si përdoren gjuha, imazhet, dhe temat për të shprehur emocionet dhe mendimet. Misteri poetik është një element që shpesh përfaqësohet në poezitë moderne, që përdorin metafora, simbole dhe imazhe të ngarkuara me kuptime të fshehta për të sjellë një lloj thellësie dhe për të inkurajuar lexuesin të reflektojë mbi kuptime të ndryshme dhe të ndërlikuara. Përdorimi i strukturave të pazakonta, gjuhës së pasur dhe mënyrës së shfaqies së temave të ndryshme bëjnë që misteri poetik të jetë një element i rëndësishëm dhe të përbashkët në poezinë moderne.

Në kontekstin e modernitetit poetik, përdorimi i misterit shpesh ka qëllimin të përforcojë ndjenja, të nxjerrë në pah konflikte emocionale, dhe të sjellë një perspektivë të re mbi temat e trajtuara. Kjo dukuri shpesh lë hapësirë për reflektim të thellë mbi jetën, shoqërinë dhe përvojat njerëzore në mënyra që ndoshta nuk janë të qarta dhe të drejtpërdrejta. Kështu, në kontekstin modern, misteri poetik ka lidhje të thella me qëllimin për të shprehur emocione dhe mendime në një mënyrë të përzier dhe të reflektuar.
Efektet e këtij misteri i ndjen kur në përfundim të poezisë (dhe librit poetik “Kuqmi flokët e thime”) qëndron i hutuar dhe pyet veten se: ku ke qënë në atë lexim, në ç’vend, në ç’planet, në ç’kohë që të paska “zënë” poezia dhe pyet veten se: çfarë ka hedhur kjo vajzë në poezi që na trullos e mrekullon njëkohësisht?

Sarandë, nëntor 2023

ObserverKult

Lexo edhe:

BUQETË POETIKE NGA PEM’ZA PESO: I DASHTUNI JEM PREJ LETRE…