“Të plakesh bukur”, tregim nga Irena Dragoti

Nga Irena Dragoti

Isha vetëm 10 vjeç, kur vura re që nëna ime, një grua e bukur flokëzezë e me kaçurrela, me një fytyrë që i bardhëlonte nga paqtimi, nuk vendoste më të kuq buzësh, i vetmi makeup përgjatë gjithë jetës së saj modeste. Përnjëmend gjykova ndonjë rast vdekjeje. Përgjigjen e mora ditën që nëna ma dhuroi përfundimisht të vetmin aksesor estetik.
– Do blesh të ri e pyes?
-Jo, jo, por nuk do të vendos më tani që u martua im bir. Atë kohë nuk e kuptova dot shpjegimin e saj, por as nëna nuk e zgjati gjë që nënkuptonte se nuk ishte opsion, por vendim i prerë. Ditëve që vijuan fillova të vëzhgoj me shumë vëmendje të gjitha gratë e lagjes që kishin martuar djemtë. Çuditërisht as ato nuk e përdornin më. Një rregull i pashkruar ky për kufirin e një stadi jete ku nuk duhej konkuruar nusja e re e familjes në bukuri. Pra përfundimisht nëna ime kishte vendosur të mos kujdesej më për bukurinë fizike dmth të plakej. 
Kjo u shoqërua edhe me ndryshimin e ngjyrës se veshjeve, në atë të ftohtat si bezhë e gri. Edhe pse nuk më pëlqeu kjo gjë e pranova si fazën tjetër të sime mëje pasi isha më e vogla e fëmijëve por edhe nëse nuk do të isha ia njihja vendimet e pakthyeshme. Thinjat filluan t’i shtohen po aq sa rrudhat por asnjë krem apo kuti boje nuk shihja kund për lëkurën dhe flokët e saj. Ishte pranvera e vitit 1989 kur nëna ime doli në pension të parakohshëm në moshën 50 vjeç si nënë me shumë fëmijë, pikërisht sa mosha ime sot.

Ndihej e lumtur pasi vitet e punës, vështirësitë e jetës dhe shqetësimet e shëndetit e kishin lodhur së tepërmi. Aty u certifikua procesi i plakjes. Pra bashkë me pensionimin ime më mori statusin e gruas së moshuar si shumë bashkëmoshatare të saj duke iu dedikuar shtëpisë, gatimit, nipërve e mbesave të para që sapo kishin ardhur në jetë. Iu dorëzua një lloj rutine fikse e paqeje të brendshme që e mbronte nga e shkuara. Dukej sikur me zor e kishte pritur këtë ditë. Për asnjë moment nuk pashë dëshpërim në sytë e saj, për këtë fazë të re apo të dëgjoja atë shprehjen” a të isha edhe njëherë e re…

Vishej hijshëm, flokët i mbante po njëjtë të prera drejt deri në supe, me një fjongo bezhë që e bënte akoma më fisnike pamjen e saj. Ndante kohë me miket e veta pensioniste në verandat e njëra-tjetrës për kafe a për të ndarë shqetësime jete. Lumturohesha kur e shihja të dilte me babain për ndonjë “qokë” fisi apo tek ndonjë mike dhe ditën që merrej pensioni pasi ditët e tjera kalonin më shumë në shtëpi pa ndonjë trazim apo lëkundje të qetësisë së dikurshme që tashmë ishte bërë si një shqisë më shumë në fytyrë. Gjithë kohën e kishte të zënë a thua sikur shpikte punë për t’u ndier gjallë. Ajo plakej me vetëdije duke luajtur natyrshëm “rolet” që e ndoqën, kalonte me tepër kohë në televizor e bënte art me shtiza e mua më dukej çdo ditë e më e bukur. Madje ka qenë periudha që jam ngopur më shumë me të fizikisht.
Nuk kam parë deri më sot plakje më të ndërgjegjshme e të pranuar se ajo e sime mëje. Ndoshta dhe e gjithë brezit të saj. Kishte njëmijë shqetësime fëmijësh e familjeve të tyre por dukej sikur ia dinte fundin pozitiv e ia kishte gjithmonë zgjidhjet. Pra nuk alarmohej deri në humbje logjike. 

Kjo plakje, si një rrjedhë e bukur lumi fushor nuk ishte një lojë me pasqyrën, as një garë me rrudhat, apo vitet që rrëshqisnin heshtur por një mënyrë të jetuari, një gjendje e brendshme e shpirtit, një akt vetëdijeje dhe paqeje me kohën. Ishte arti i pranimit, i përzgjedhjes së qetësisë dhe fjalës së urtë.

Unë shpesh e paragjykoja plakjen e nënës sime si dorëzim, si një tërheqje por në të vërtetë, ajo ndiente kohën si një mikeshë e vjetër me të cilën raportet thellohen gjithnjë e më shumë. Sot besoj se plakjen, pavarësisht sistemit kur e jeton e mungesave, që çdo kohë bart krahasuar me atë pasardhësen gjithkush mund ta organizojë të tillë që ti japë fytyrën më të ëmbël e të butë të mundshme..
Në ditët e sotme sa herë sjell në kujtesë plakjen e nënës rebelohem e keqardhem pasi në qasjen time e bëri të humbë atë dekadën më të bukur të jetës midis moshës mature dhe moshës së plakjes reale. Ndjej se përshtati si masën e vet të qenies pa u ankuar, atë “uniformën” që mbante veshur shoqëria e asaj kohe. Të jesh njëjtë me rrymën ishte stil jete e paqeje në ato vite. Pra përveç kohës së shpejtë të plakjes gjithcka kaq pranim e paqtim tek jeta e saj e re. 

Askush nuk i shpëton dot plakjes, bindem çdo ditë e më shumë, megjithë avancimin e estetikës apo mjekësisë, pasi jo pak herë ajo fillon nga brenda ndaj njeriu së pari duhet të “shpëtojë” shpirtin duke e zgjedhur kohën e plakjes së tij.
Dhe pse me një ndryshim kohor 35 vite nga nëna ime pyes veten a mund të plakem dot bukur si Ajo e jo për nga shpejtësia e plakjes por nga përjetimi i saj, jo nga mungesat por nga aftësia për të mos e dënuar moshën e fundme me palumturi. Kur them bukur, nuk e kam fjalën për bukurinë fizike por për atë shpirtërore pa e parë atë si fundin e botës, por si ngjitje në një kodër të lartë ku pamja bëhet më e gjerë, ku gjërat shihen më qartë, ku njeriu nuk mëton të zotërojë, por të kuptojë. 
Mendoj se plakja e kujtdo duhet të vijë si një filozofi e mirësjelljes, një elegancë shpirtërore që ushqehet nga falja, nga pranimi i vetes dhe të tjerëve, nga humori i urtë, nga të kuptuarit se çdo etapë e jetës është e vlefshme gjëra që sot që i mendoj nuk i munguan asnjë moment nënës sime. Prezantimi i vetes, pa maska, e role të lodhshme, pa frikë nga gjykimet duke kthyer përvojën në dritë për pasardhësit përbën një plakje të bukur. 

Plakja duhet të jetë një lloj poeti i heshtur i jetës së gjithkujt me rrudha që kërkojnë t’i tregojnë asaj gjurmët e historisë. Të plakesh bukur është art më vete, dhe si çdo art, kërkon vetëdije, durim dhe ndjeshmëri.
Sa shumë art paska gëluar në jetën e nënave tona dhe pse kohë të vështira ato që jetuan. 
Në romanin “Plaku dhe Deti” të Hemingway-t, Santiago është një burrë që nuk i dorëzohet plakjes fizike, duke përballur detin me dinjitet, edhe kur e lënë fuqitë. Ai udhëhiqet nga kuptimi i përballjes dhe plaket duke ushqyer hobin e tij peshkimin. 
Në jetën e përditshme, i sheh shpesh këta njerëz. Ata flasin pak e me peshë, pa të këshilluar nga lart, pa qenë të zënë me vërtetimin se kush janë, pa u udhëhequr nga egoja. 

Në një intervistë të fundit, Jane Goodall, tashmë në të nëntëdhjetat, flet për botën me po aq pasion sa kur ishte një vajzë që studionte shimpanzetë. Ajo ecën ngadalë, por mendon thellë. Trupi i saj është plakur, por drita në sytë e saj është e njëjtë. Kjo është ajo që mbetet: një shpirt i gjallë që nuk ka frikë nga koha.
Të plakesh bukur është të mos e shohësh jetën si një kështjellë që rrënohet, por si një pemë që hedh gjethet si mburojë për tokën, pa dëmtuar trungun.

Filozofë dhe shkrimtarë të mëdhenj e kanë parë plakjen si një maturim të thellë të qenies:
• “Ne nuk pushojmë së lozuari sepse plaket trupi. Ne plakemi sepse pushojmë së lozuari.” – tha George Bernard Shaw.
• “Të jetosh gjatë është një fat; të plakesh mirë është një art.” – tha Ernest Renan.
Të plakesh do të thotë të përzgjedhësh, si qasje personale, shpesh filozofike apo estetike. 
Ne jemi brez që pyet: 
Si dua të jem kur të plakem? 
Si dua të ndihem, të mendoj, të jap? 
Ne nuk kemi formulë fikse.

Kërkojmë kuptim, liri, një formë të thellë të hijeshisë së brendshme. Kemi luksin e introspeksionit dhe të fjalës së lirë.
Të plakeshe para viteve 90 ishte si një lloj udhe e vetme nga shkelnin të gjithë pa opsione e pa një reflektim të lirë. Ishte një betejë për mbijetesë e dinjitet mes kufizimeve dhe racionimeve duke u plakur në radhë, në heshtje, në mungesë, jo në kërkim të një vetjeje të re.
Nuk ishte luksi të pyesje asokohe: 
-Çfarë dua unë nga ky stacion i jetës? Pasi përgjigjja ishte gjithmonë retorike:-” Çfarë do shoqëria e mentaliteti prej meje?”
Dikur flitej për sakrificë duke e parë plakjen si një fund të dobishmërisë apo si një histori për t’u kuptuar nga pranimi i papërsosmërisë. Por a u plakën bukur njerëzit e asaj kohe?
Duke e konturuar plakjen si proces nga brenda- jashtë mendoj se kjo është një lloj faljeje për veten. Është të shohësh pas pa gjykuar, pa pishmane që kafshojnë, pa iluzione që verbojnë egon. 

Është të thuash: “Kjo jam unë. Me gjithçka që kam qenë dhe gjithçka që nuk u bë.”
Nuk ka më bukur se një njeri që e njeh hijen e vet dhe nuk i trembet më asaj. Njerëz të tillë nuk flasin për të na bindur, por për t’na afruar, as për të qenë të duhurit, por si të vërtetët model paqeje. 
Simone de Beauvoir shkruante: “Plakja nuk është kalbëzim, por ndryshim”
Është ta përfytyrosh veten si një skulpturë që gdhendet nga koha, që vazhdon e kultivon pasionet me lirinë e të mos vërtetuarit asgjë.

Është të mos ngecësh në idenë se kush ishit, se kush duhet të bëheni, apo se çfarë njerëzit e tjerë presin që ju të jeni”. Është momenti kur i thoni egos tuaj që të zmbrapset dhe t’ju lejojë që të shijoni ato që akoma keni.
Njeriu rritet me modele, ndaj ndoshta dhe për plakjen na duhet si start një e tillë. Unë do doja të plakem si Nëna ime. 
Doja gjithashtu ta mbyll këtë shkrim për këdo që e lexon me fjalët:
“Uroj të plakesh bukur!”

ObserverKult


Lexo edhe:

IRENA KUKA DRAGOTI: BOTË E NËMUR