Të premten fillon edicioni i dytë i Festivalit të prozës “Fiction Fest”

Festivali i Prozës Artistike “FICTION FEST” me datat 08, 09 dhe 10 nëntor, 2019, e zhvillon edicionin e tij të dytë.
Organizator kryesor i këtij festivali është Qendra për Kulturë dhe Edukim “SHESHI”, ndërsa organizator ndihmës është “EUROPE HOUSE.”

Dashamirësit e prozës artistike do të kenë rastin të takohen me këta shkrimtarë, që do të na nderojnë me pjesëmarrjen e tyre, e që janë: Roland Bartezko (Gjermani), Agron Tufa (Shqipëri), Roland Orçik (Hungari), Jurij Hudolin (Slloveni), Agron Y. Gashi (Kosovë), Rrahman Paçarizi (Kosovë), Erenestina Halili (Shqipëri), Ilire Zajmi (Kosovë), Jasna Dimitrijevic (Serbi), Albin Mehmeti (Kosovë), Shefqet Bylykbashi (Kosovë) dhe Elida Rrusta (Shqipëri). Shkrimtarët e mësipërm do të lexojnë pjesë të zgjedhura nga proza e tyre artistike, si dhe do të bashkëbisedojnë me të pranishmit lidhur me artin e tyre krijues dhe projektet e tyre të ardhshme në fushën e prozës.

Mbrëmja e parë dhe hapja e “FICTION FEST”- edicioni i dytë do të mbahet me datën 08 nëntor, 2019, ora 19:00, në ambientet e “EUROPE HOUSE”, rr. UÇK, nr. 90, te Qafa, përballë Komunës së Prishtinës (ish-objekti i ProCredit Bankës). Në mbrëmjen e parë do të kemi rastin dhe kënaqësinë t’i takojmë dhe t’i dëgjojmë këta shkrimtarë: Roland Orscik, Rrahman Paçarizi, Erenestina Halili, Ilire Zajmi, Albin Mehmeti dhe Shefqet Bylykbashi.
Mbrëmja e dytë mbahet me datën 09 nëntor, 2019, ora 19:00, në ambientet e “EUROPE HOUSE” dhe do të kemi rastin dhe kënaqësinë t’i dëgjojmë dhe t’i takojmë këta shkrimtarë: Roland Bartezko, Agron Tufa, Agron Y. Gashi, Ilire Zajmi, Jasna Dimitrijevic dhe Elida Rrusta.

Ndërkaq, në ditën e tretë (10.11. 2019) shkrimtarët do ta vizitojnë Janjevën, fshat-simbol të traditës dhe multikultaralizmit, ku në ora 12:00 në shtëpinë-muze të Shtjefën Gjeçovit do të kemi lexime të prozës artistike nga shkrimtarët pjesëmarrës në “FICTION FEST”

Edicioni i dytë i festivalit të prozës artistike “FICTION FEST” u mbështet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Drejtoria për Kulturë e Komunës së Prishtinës, programi “Kultura për ndryshim”, i menaxhuar nga Zyra e BE-së në Kosovë dhe i implementuar nga Qendra Multimedia dhe Goethe Institut.
Sponsorë medialë të edicionit të “FICTION FEST” janë gazeta online “Insajderi”, portali për kulturë, letërsi e art “Observerkult” dhe revista për kulturë dhe media “Akademia”./ ObserverKult