Të premten promovohet libri “The Lil’s Poem” i Halil Matoshit

the lil's poem

Shtëpia Botuese Littera ju fton në promovimin e  librit “The Lil’s Poem” të Halil Matoshit.

Për librin do të flasin poetet dhe studiueset e letërsisë: Nerimane Kamberi, Blerina Rogova Gaxha dhe Donika Dabishevci.

Gjatë këtij eventi  do të ketë edhe lexim poetik dhe diskutime me autorin
Promovimi do të mbahet më 17 nëntor, duke filluar nga ora 19:00  në Teatrin Oda.

Ju mirëpresim!

halil the Lil's Poem


Për librin

Visar Zhiti:  Kush e njeh dhe di për jetën e Halil Matoshit, poet, eseist, tregimtar, gazetar, etj., që merret edhe me pikturë, që ka qenë katër herë i arrestuar nga pushtuesi serb, ndërsa gjatë luftës (1999) e morën peng dhe e dërguan në kampet e tyre të përqëndrimit, etj., shikon se kështu është dhe poezia e tij, një lëvizje dramatike, akte shpirtërore, dashuri dhe nderim…
Halil Matoshi jeton siç shkruan dhe shkruan siç jeton, pa një kufi mes tyre.
Libri i tij më i ri, “Poema e Lilit”, është prurje tjetër në poezinë shqipe, vazhdues i vlerave të përbashkëta poetike dhe pasurues i tyre. Ky libër sublimon kohë dhe vend, pra nga jeta e tij dhe trualli i tij, nga shpirti shqiptar, nga fati dhe trazavajet, nga përvoja më e mirë e poezisë shqipe, veçanërisht nga ajo që është arritur në Kosovë, e derdhur natyrshëm në një formë sa kombëtare, po aq dhe europiane, e gjitha e tij, ngazëllim dhe gjëmë, britmë dhe dinjitet, fashitje dhe vështrim brenda vetes.

Ballsor Hoxha: Kjo përmbledhje në fjalë hapet dhe hyn në botën e poezisë me dashurinë, duke e parë atë nga buzëqeshja fëmijërore , nga subjektivja infantile, në dashurinë e jetës, dhe në fund të nënës, si dyzim kujtimi, dhe shpirtëroreje. Më tutje ajo vazhdon me përjetimet në kalvaret e luftës dhe me vetë luftën çlirimtare të Kosovës, gjithmonë me idealin e paqes dhe të skepticizmit në njeriun e bartur nga ligësia (e një zoti si konstruksion mizor). Përmbledhja, për të kaluar tutje, vazhdon në një temë tjetër, atë të rebelimit, dhe të revoltës, dhe të ëndërrimit, si kompleks i humbjes dhe mungesës së artistëve të mëdhenj kosovar, tanimë të vdekur, si Bekim Lumi, Xhevdet Bajraj, e të tjerë. Dhe në fund të kësaj përmbledhje të poezive, Matoshi i kthehet poezisë në formë të nokturneve,  duke e elaboruar atë në tema mitologjike të një zoti “që na ka mbetë si konstruksion” dhe aq më shumë mizor në këtë konstruksion, apo edhe të temës së maratonomakut të parë në dërmimin nga e sotshmja.

The Lil’s Poem

Poezia për vrasjen potenciale
nuk munet me pasë nji titull t’mirë
Po e quej thjesht Poema e Lilit

Më 21 maj 1999 nji dyzinë serbë
me uniforma blu
e menime të zeza
rrethuen sh’pinë téme

hapën dyer me shkelma kundakë
e shamje
siç nis çdogjâ në Ballkan

Bastisje e brimë
përmbysje orendish
dhe të secilës ide për njeriun
si qenie humane

Ishim të shpërqendruet
baba 84-vjeç i shihte në sy milicët
i patrazuem sikur tallej me kohët
që i ringjâlleshin

Nâna e shtangun
m’i kish ngulë sytë nemitun
si me pa dekën e djalit

Fëmijtë shikojshin armët e tyne
unë i shihja të gjithë
pak çaste para se me i masakru
me dilemën morale
që s’mujta me bâ asgjâ për ta

Grueja ajo mbante fëmijtë përdore
e herë tanë neve
si në nji valle të çmendun
në nji gropë

unë s’kisha kohë për vete
po e pajsha nji dramë
pa epilog

Mund të ishte Shakespeare-ane
ata mund të ktheheshin mrena!?

Mos e bâ Zo’

u mbyll dera e oborrit
më qitën jashtë

Nji revole me fyshekë napalmi
ma vùni mas kreje
mâ i riu p’ej tyne

“Jel si spreman” * m’tha serbisht

unë u bâna gati
Ai e shkrepi
e ndjeva po diqysh nuk bijsha
e unë e dijsha
që ato armë ishin të mbushuna
për ne plot nji shekull

“Krenemo” ** urdhnoi
at’herë e kuptova
se nuk i kish vù fyshekë

Mas meje metën njerëzit
e mi hala të gjallë
dhe tym i dendun me erë mishi
që dilte nga mbamendja
————

  • “A je gati”
    “Nisemi

𝐁𝐢𝐨𝐠𝐫𝐚𝐟𝐢𝐚

Halil Matoshi (1961) asht poet, eseist, tregimtar, gazetar dhe publicist. Merret edhe me pikturë dhe studime filozofike e letrare. Ka diplomu në Fakultetin Filozofik, Departamenti i Filozofisë dhe Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës. Ka një master në gazetari.

Ka punu gazetar, redaktor dhe kryeredaktor i revistave dhe gazetave “Bota e re”, “Zëri i rinisë”, “Zëri”, “Syri i tretë”, “Republika”, “Sheshi”, “Lajm”, “Gazeta Express”, “Focus”, “Koha Ditore”.
Asht në një mënyrë gazetbâmës.
Tri herë i shpallun gazetari ma i mirë në Kosovë, 1988, 2000 dhe 2004;
Katër herë i arrestuem nga regjimi serbian, gjatë Lëvizjës antifashiste (1990-1999);
Matoshi ishte i marrë peng gjatë luftës për Kosovën (1999) dhe asht mbajtun për një vit në kampet serbe të përqendrimit në Lipjan (Kosovë) dhe Požarevac (Serbi).

Asht autor i librave: “Udhëtim nëpër ëndërr të keqe” (1994), “Lajmësi memec” (1996), “Udhëtim nëpër zgjëndërr të keqe”, (2000), “Hija e Krishtit” (2004), “Katedrale prej letre” (2012), “N’zanafillë” (2013) dhe “Gdhendje drite”, (2021);

Poezi të tij janë përkthy në gjermanisht, spanjisht, sllovenisht, serbisht e kroatisht, turqisht, rumanisht, greqisht, anglisht.

Botimin e librit e përkrahu Ministria e Kulturës, Rinisë e Sporteve e Republikës së Kosovës.

Libri “The Lil’s Poem” i Halil Matoshit, botuar nga Shtëpia Botuese “Littera”, është vlerësuar si libri më i mirë në Mitingun e Poezisë në Gjakovë.

ObserverKult