“Të rimendohen objektivat që mund të ndihmojnë që shoqëritë e sotme të jenë pak më njerëzore”

Peticioni i artistëve, intelektualëve dhe shkencëtarëve (fitues çmimesh “Nobel“ për biologji e mjekësi) nga më eminentët evropianë e amerikanë, i publikuar së voni, sërish ngriti shqetësimet për “katastrofën ekologjike në rrjedhë e sipër që ka të bëjë me një ‘meta-krizë’”, e cilësuar me “zhdukjen masive të jetës në tokë”, që shpërfaqet nëpërmjet “një rrezikimi ekzistencial të drejtpërdrejtë”.

Ata kritikojnë apelet e qeveritarëve, në radhë të parë të vendeve të zhvilluara, që flasin për nevojën e “kthimit në gjendje normale”, duke injoruar qëllimisht jo vetëm rreziqet nga pandemia, e cila vazhdon të bëjë kërdi në shumë vende të botës, por edhe rreziqet ekologjike që cenojnë vetë themelet dhe mundësitë e ripërtritjes së jetës në tokën tonë.

Pabarazitë dhe “mohimi i vetë jetës”

Pandemia, me rrjedhojat e veta vdekjeprurëse, me përhapjen e frikës dhe anksiozitetit në jetën e përditshme, në shumë vende të botës, mund të jetë një shkas plotësues që të rimendohen modele të tjera të ekonomisë, si alternativë ndaj modelit i cili shpie doemos te dëmtimi i resurseve të natyrës, te thellimi i mosbarazive sociale dhe te “mohimi i vetë jetës”, me përmasa të mëdha të ndotjeve, me ngrohjen klimatike dhe shkatërrimin e hapësirave natyrore.

Qarqe të tilla intelektuale e shkencore kërkojnë me ngulm që të rimendohen thellësisht objektivat, vlerat dhe modelet ekonomike që mund të ndihmojnë që shoqëritë e sotme të jenë pak më njerëzore.

Këto vlerësime nuk janë fare “katastrofike”, ngase ato dalin nga kërkime të themelta shkencore. Kërkime dhe refleksione që janë shprehje e një ndërgjegjeje të përgjegjshme ndaj mundësive të jetës dhe rreziqeve që i cenojnë ato, sot më shumë se në të kaluarën, transmeton ‘koha.net’.

Forma të ndryshme të kësaj papërgjegjshmërie i shohim së voni – pas një kohe të ballafaqimit relativisht të suksesshëm me COVID-19 – edhe te ne me shpërfilljen e rreziqeve të përhapjes së tij.

Nietzsche mbi jetën në Tokë

Kjo mospërgjegjësi ndaj kushteve rudimentare të riprodhimit të jetës në planetin tonë është shprehje e verbërisë dhe shurdhësisë intelektuale e etike dhe supozimit naiv se jeta mbi tokë është e pakufishme dhe e pashtershme.