Në morinë e statuseve te platformave sociale ku gëlon shoqëria shqiptare u ndesha pa dashje me shqetësimin e arkeologes Etleva Nallbani mbi lënien në mëshirën e fatit të asaj që ne e quajmë trashëgimi kulturore.
Nga Artur Rusi
Vetë arkeologia na tregon me fakte (foto) dhe dëshminë e saj në vend ”harresën e madhe” kur dergjen sot varrezat e Komanes, në Shkodër.
”Si sot një javë, po kthehesha nga Mali i Zi për në Shkodër…., para se të futem në Shkodër, në të djathtë, më tërhoqi vëmendjen zona goxha e shtrirë e varreve, e rrethuar me gardh. Gardh i thënçin, se hekurat e portës së shqyer ishin lidhur me një shirit plastik…
E kisha vënë re dhe herë të tjera, e dija që ishte varreza e vjetër, por s’kisha hyrë kurrë brenda. Kësaj here u ndala. Pika mua thashë, një varrezë e tërë monument kulture, dhe s’e kam vizituar! Varrezë dy-shekullore, një trashëgimi e rëndësishme për njohjen e popullsive, riteve mortore, arkitekturës mortore… Sidomos më tërhoqën ata gurët e lartë të varreve, që ngrenë kryet në gjithë atë hapësirë të gjerë, por që kësaj radhe m’u duk si pemishte…
Sigurisht u mahnita dhe llahtarisa njëkohësisht. Varre fantastike, me arkitekturë unike, emra familjesh të nderuara shkodrane, parcela familjare, varre të ribëra… Por hajde t’i gjeje në atë pyll me bimësi dhe plehra, plehra pa fund, pa fund…
E pra bëhet fjalë për të ashtuquajturën “Varreza e Komanes”, më e madhja e familjeve myslimane të Shkodrës, përdorur gjatë gjithë shek. XIX deri në 1967, vit kur komunizmi mbylli kisha e xhami dhe sigurisht ndërtoi varrezën e përbashkët për të gjithë qytetarët e Shkodrës, atë të Stom Golemit.
Është e vetmja varrezë, nga gjithë ato të shpërndara në lagjet myslimane të Shkodrës, që i ka mbijetuar shkatërrimit. Pas pyetjesh të shumta, doli që kisha MENDUAR GABIM. “Varreza e Komanes”, ku varret apo grupimet i varreve familjare janë e vetmja dëshmi e arkitekturës funerale të dy shekujve të fundit, e vetmja e trashëguar në Shkodër, NUK GEZOKA STATUSIN E MONUMENTIT TE MBROJTUR. Më thanë që e paska në menaxhim Myftinija e Shkodrës. Po ai vetëm “menaxhim” që nuk mund të quhet… Pyll bimësie dhe togje plehrash, mbulonin varret e harruar. Ajo që pashë është vetëm BRAKTISJE, braktisje e rrethuar….
Për të vizituar varret, të vjetër apo të ribërë, ju siguroj se duhet të pajisesh me kosë, helm kundër gjarpërinjve dhe një qese të madhe për të mbledhur plehrat… Në fakt familjarët e kishin të pamundur të shkonin më në varreza. Pa mundur ta eksploroj, por vetëm me një sy hedhur mbi varret që ishin në ballë, qëndronte modestisht krenar dhe anonim mes plehrash, varri i një prej personazheve më të rëndësishëm për historinë e qytetit, kryekomandantit të forcave turko-shqiptare që mbrojti Shkodrën në 1913 nga forcat malazeze, Hasan Riza Pashës…
Më kapi po i njëjti trishtim dhe ankth, si ai që më kap shpesh kur bëhet fjalë për momente të errëta në trashëgiminë kulturore. Një çerek shekulli e s’u kujtuan për këtë pasuri unike në llojin e vet, as organizmat shtetërorë të mbrojtjes së monumenteve, as komuniteti fetar, e as familjet shkodrane apo të dashuruarit me trashëgiminë kulturore e historike…
Çfarë presim që t’u rikthejmë banorëve e historisë së qytetit, pjesë kaq të rëndësishme të trashëgimisë, të memories së tyre familjare e kolektive?!
Shpresoj shumë që varreza e vetme historike e mbijetuar e familjeve myslimane të Shkodrës të shpallet MONUMENT KULTURE, të RESTAUROHET e të HAPË DYERT denjësisht si për banorët por dhe për vizitorët e studiuesit, para se të jetë zhdukur nga memoria apo tjetërsuar… Një çerek shekulli nuk është pak, madje është i pafalshëm…”
Statusi dhe fotot: Etleva Nallbani
………
Teksa lexoj mbi denigrimin qe iu është bere varreve te vjetra te Komanes, nga mospasja në vëmendje e strukturave përgjegjëse te Shtetit, si dhe sjelljes se vëmendjes nga arkeologia për turpin e plehrave qe mbulon trashëgiminë tonë të ritualit sa të shenjtë aq edhe kulturor që përfaqësojnë këto varreza, me cinizëm ndoshta në fjalët e mia por plot dhimbje ngre zërin përbrenda një ndjesi tashmë e harrueme.
Ajo ndjesi brenda meje quhet ndërgjegje. Individuale apo kolektive përsëri quhet NDËRGJEGJE.
Dhe pyes me vete…
A ka në zonat aty pranë djem të rinj që munden ndonjë ditë të vitit me e korrë barin dhe ferrat që gllabërojnë të vdekunit…?
Pyes me vete, a ka ndonjë aty rrotull, apo qoftë ndonjë kalimtar i rastit qe i vjen pak turp kur hedh qesen me plehra në varreza?
A ka ndonjë besimtar që shkon në kishë apo xhami dhe harron të pyesë komunitet përkatëse mbi gjendjen e atyre varreve dhe administrimin e tyre?
Pyes ndonjëherë për ato organizata e shoqata mjedisore që kanë syze me skelet Versaçe por që nuk mund t’i shohin ato monumentale 200- vjeçare që ngrenë kryet përpjetë në luftën shekullore mes ferrave dhe harresës?
Pyes për ndërgjegjen kolektive që si ka mundësi që s’ka rini të guximshme me dalë dhe me protestu para Bashkisë, Institutit të Monumenteve apo institucioneve përgjegjëse per ruajtjen dhe kërkimin me forcë për t’i dhënë statusin e Monumentit të Kulturës dhe Mbrojtësit nga Shteti Shqiptar?
Pyes ndonjëherë për shumë e shumë varreza anembanë Shqipërisë, për shumë objekte fetare-kulturore, rrënoja arkeologjike që ne dikur, dhe fëmijët e sotëm i mësojnë nëpër libra shkollorë por nuk i prekim kurrë me dorë?
Mësojmë artificialisht histori (ndonjëherë të gënjeshtërta) e asnjëherë nuk e lexojmë me sytë tanë, nuk e mirëmbajmë me dorën tonë, nuk e administrojmë dhe e reklamojmë me mendjen tonë…?
Asht bukur me u ndie krenar me batutën ‘O sa mirë me ken shqiptar’ por e themi vetëm përmendësh pa ia ditur kuptimin, se nuk kemi ku e bazojmë kur harresat dhe pisllëku na e mbulon krenarinë shqiptare.
Kam përshtypjen që brenda vetes ndihemi të vegjël dhe fajet tona ja kalojmë një strukture me emrin shtet, kur e dimë se shteti si nocion nuk është individ por vetë ne apo të afërmit tanë që formojmë shtetin.
E gjithë kjo bahet me ia heq fajin vetes dhe me e hedh ku të mundemi. Por edhe pse denigrohemi kështu…, prapë ngre kryet pyetja ime e madhe…
A ka mbet ndopak ndërgjegje brenda nesh, me respektu’ veten, dhe trashëgimitë tona?
Me e ‘kap për leckash’ të ashtuquajturin Shtet e shumë përgjegjës të tjerë, me ia vu në tavolinë peticionin e firmosur nga shoqëria civile e ndërgjegjshme për t’i vënë Vulën e Mbrojtjes objekteve tona kulturore, pasurive tona shpirtërore.
Tonat, që na përkasin, që na zgjojnë vetëdijen, që na bëjnë krenar në trashëgimitë tona kulturore.
Tonat edhe kur janë plot gabime.. Për t’ua tregue brezave që dikur këna jetu edhe ne, kena ba edhe gabime dhe duke i mësuar që brezat e ardhshëm të mos i ripërsërisin.
Ndonëse mora shkak nga shqetësimi i një mikeje për varrezat e Komanes në Shkodër që janë rreth 200 vjeçare, apeli im ndërgjegjësor shkon për çdo varrezë të çdo kulti fetar, të çdo përfaqësimi kulturor, të çdo linje që gëlon në trojet e lashta ilire e sot ne e kemi beku me emrin Shqipëri.
Gjatë përsiatjes së këtij shkrimi një mik pranë meje, duke skërmitur dhëmbët me shpotitje duke më bërë një pyetje… :
-”A mendon se ata që nuk janë të ndërgjegjshëm në mënyrën se sa shëmtuar e jetojnë jetën në ditët e sotme… Do mund të ndërgjegjësohen për të mirëmbajtur të kaluarën e tyre?
Hmmmmm…! ”
Zëri brenda meje trishtohet nga të gjitha këto fjalë…. Por brenda ndien një dhimbje të madhe…. Në mes trishtimit dhe dhimbjes së madhe… Unë besoj!
Besoj se ende ka mbet ndopak zë tek gjithsecili prej jush që mund të ringrihet e të mbrojë dinjitetin tonë! Sa do të doja që ta ushqenim tek të tjerët, ta shpërndanim si lajm të mirë ‘ZËRIN E NDËRGJEGJES’
Unë besoj në atë zë të brendshëm!/Konica