Të vdesësh nën diell, tregim nga Ervin Nezha

te vdesësh, ervin nezha


Tregim nga Ervin Nezha

Burri mbajti frymën dhe u krodh në ujin e cemtë të përroit. U freskua dhe u ndie me fuqi të ripërtërira. Ata që e ndiqnin, duhej të kishin mbetur prapa, shumë prapa, atje ku dukej ajo reja e vogël, por ai nuk donte t’ia dinte për ta. Ndoshta ata nuk do ta arrinin kurrë këtë përrua dhe do t’i digjte i nxehti përvëlues i rrafshinës. Me siguri kështu do të ndodhte. Të gjitha këto mendime i erdhën kur po qëndronte me kokën e zhytur në ujë. Asnjë hije peme nuk kishte në atë luginë. Tokë djerrë. Djerrishte ku vapa të përcëllonte si në saç. Kur ngriti kokën lart, vuri re diellin. Ishte i kuq dhe i madh, por të nxehtin nuk e ndiente më, sepse trupin e kishte të lagur. U mbush me ajër dhe hodhi vështrimin rreth. Anash brinjës së malit shtrihej një bokërimë e mbjellë me grurë. Mbi të fluturonin një tufë zogjsh të zinj. Qenë larg dhe nga aty nuk i dallonte dot se çfarë ishin. Duhet të qenë korba ose sorra, sepse zog tjetër nuk rritej këtyre anëve. Gjysma e sipërme e trupit iu përtha dhe u zhyt sërish. Sa mirë që kishte gjetur atë përrua! Tani ata bijtë e k… le të piqeshin atje në pishën e diellit ku nuk lëvizte fija e barit nga era. T’u thahej lëkura nga i nxehti, t’u bëhej thera-thera si lëkurë e thatë mushke. Atje të jepnin shpirt, shtrirë në tokën e shkretë, ku hiqeshin zvarrë vetëm ato hardhucat me putra gjigante dhe ndonjë çakall i vetmuar.

Të gjitha mendimet ia preu në mes pickimi i thellë e një mize të madhe. Goditi supin me pëllëmbën e dorës. Miza ra në tokë dhe nisi të përpëlitej. E mori me kujdes si për t’i kërkuar llogari dhe e vendosi mbi një gur të nxehtë me sipërfaqe të lëmuar. Krahët e insektit, me nuanca jeshile, erdhën duke u tkurrur, sikur t’i digjte flaka e një llambe dhe u firuan. Miza u përpëlit, gjersa nuk lëvizi më dhe u shndërrua në diçka pa formë. Vendi i pickimit u përskuq dhe mori formën e një ishulli të vogël të kuq në hapësirën oqeanike të trupit të bardhë. Mori një grusht baltë të qullët dhe e vendosi sipër. Dhimbja sikur iu largua, por ai nuk u ndie mirë. Nuk mund të qëndronte aty tërë kohën i ngulmët, por tani nuk mund të bënte dot as përpara. Shikimi zuri t’i mjegullohej. Mendonte se kjo i vinte nga të pangrënët. Kishte dy ditë pa ngrënë, qëkurse mundi t’u shpëtonte atyre kopukëve që deshën ta vrisnin. Ia hodhi paq nga ata horra të ndyrë.

Ara me grurë,brinjazi, tregonte se fshati më i afërt nuk qe larg, por nuk e dinte nëse do të mbërrinte gjer atje. Gjunjët iu prenë. Goja iu mbush me një lëng të verdhë të ithët. Deshi të pijë sërish ujë, por qe larguar disa hapa nga buza e përroit. Gjuha zuri t’i trashej. Nuk mbushej dot me frymë. Pickimi i insektit kishte qenë i fortë. E pastroi supin nga balta dhe vuri re që e mavijosura i qe fryrë fort. Dalloi edhe njolla të tjera të kuqe në trup. Krahu iu bllokua dhe paraliza po i përhapej me shpejtësi në të gjithë trupin. Deshi të mbërrinte te përroi që kishte afër, të kridhej sërish në ujë, por nuk mundi. U rrëzua mbi ca guralecë të nxehtë dhe nisi të hiqej zvarrë si insekt i gjymtuar. Nuk u ngrit më. Gjymtyrët i ngrinë. Ngriti vetëm sytë nga qielli. Dielli qe afruar shumë. E kishte humbur ngjyrën e kuqe. Ngjante i bardhë, por digjte më tepër. Një re lëshoi nja dy pika shi, të cilat nuk mbërritën, ngase avulluan që lart. Pastaj reja bëri tutje, eci ngadalë për nga horizonti dhe njeriu u bind përfundimisht se shiu qe larg. Ajo re që po largohej, ndoshta do e derdhte shiun e jetës mbi kokat e atyre maskarenjve që i qenë vënë pas këmba-këmbës. As i nxehti nuk po ndihej më. Njeriu po rrëshqiste në një gjumë që iu duk më i këndshmi i jetës. Trupi iu ngurtësua, zuri t’i ftohej dhe një ndjesi i thoshte se nuk i përkiste më atij. Lëvizjet e tij të dobëta erdhën duke u shuar. Imazhi i insektit që përpëlitej mbi gurin e nxehtë nuk i shqitej nga mendja, por nuk i erdhi keq, sepse kishte mënyra të tjera shumë më të këqija për të vdekur.

*Shkëputur nga libri me tregime “Të vdesësh në diell” botuar nga Shtëpia Botuese Albas

ObserverKult

Lexo edhe:

Elona Caslli: Duart e ujshme të nënës sime