Të vërtetat e pakandshme që kfjellin!

Nji ese për librin kujtesë “Faji i ëndrrës” nga Pal Shtufi. Botoi “Artini”, Prishtinë 2025. Faqe 322.

Nga Halil Matoshi

Pal Shtufi shkruen saktë e me disciplinë, tue kërku thelbin e gjânave, tue ia nënshtru debatit, postulatet autentike të tina.

1.
Libri “Faji i ëndrrës” i Pal Shtufit âsht nji udhëtim në malin e mosmarrveshjeve, tue u ballafaqu me ndërgjegjen vetanake dhe etosin e nji shoqnie të mbyllun e t’pa liri, siç ishte shoqnia kosovare në vjetët ’80a e ’90a.
Shtufi nxjerr nga përvoja e tina aksiomat ma t’fella për nji mësim themeltar kartezian: dysho në çdo gjâ!

2.
Kujtimet si vepër jo-fiktive, ndryshe nga autobiografia, përqendrohen në një periudhë specifike në jetën së nji personi në ballafaqim me tjerët, shoqnoren, fetaren, ideologjiken…
Pal Shtufi âsht nji karakter i vështirë sepse nuk âsht opurtun dhe guxon me e thânë të vërtetën e tina edhe kur ajo shpërfaqë anët ma t’errësueme të historisë personale, shokëve të tina dhe shoqnisë ku ai leu e u eduku.
Kujtimet e Palit prekin tragjikën po edhe përballimin e saj, pikëllimin dhe shpresën, deri në vetakuzë. Ndonëse përjetoi burgun politik (1980) ai nuk e luen viktimën e dokeve e traditave shqiptare, por heroin e lânun në baltë dhe daljen përtej! Ai ngadhnjeu ndaj iluzioneve dhe besimit e të majtes shqiptare, tue rigjetë kodin libertarian.
Shkrimi i Palit âsht edhe akt kujtese edhe mendim i risemantizuet, që ndiçon honet ma të hijezueme të nji epoke, “socializmit që erdhi nga të ftohtit.” (Sartre)

3.
Shkrimi i Palit ‘rindërton kujtesen’ e fragmentueme nga t’papritunat e jetës, nga myku i kohës, për me i tejçue përvojat njerëzore nga nji brez tek tjetri, nga nji epokë te tjetra, si kundërpeshë harrese, “mos më dekë nga e vërteta”;

4.
Në shkrimin e tina, hetohet kjartë Kartezianizmi si mënyrë jotipike e t’menduemit shqiptar, sepse Pali pranon dualizmat – konceptet opozitare si mendja/trupi, e mira/e keqja dhe natyra/kultura – në nji vend ku mungon fort kritika dhe pranimi i saj, si mundësi për me e gjetë të vërteten.

5.
Pali nuk bjen në konformizëm për me i shty të vërtetat e tina për ma vonë, ngase ‘nuk âsht ende koha’!?
Pali e ka bâ profilin e nji idealisti të ri, që historinë e vrojton me eufori por tue e qortue atë, në nji shoqni që e kërkon veten e mohueme dhe kodet etike, ia del me shkru historinë ma t’vërtetë!

6.
Tue qenë aktiv në lëvizjen e Rezistencës (1990), Pali âsht dëshmitar i saj, porse rezonon ftoft dhe jo me pasion e emocion. Ai si nji libertarian, në shkrimin e tina, i rilidhë fijet e padokshme të nji humanizmi european modernist, me logosin dhe mendësinë në thelb perëndimore të ksaj lëvizje.

ObserverKult


Lexo edhe:

PSE MARA E VRAU BURRIN E SAJ?