Përpjekjet shumëvjeçare të komunitetit artistik teatror në Prizren për gjetjen e një zgjidhjeje institucionale për statusin e tyre janë kurorëzuar të enjten, pasi që aktorët e ansamblit rezident të teatrit “Bekim Fehmiu” kanë nënshkruar kontratat dyvjeçare.
Njëri prej tyre, që ka qëndruar me vite të tëra në këtë betejë me besimin se kjo kërkesë do të përmbushet, këtë ditë e ka cilësuar si festë të komunitetit artistik teatror. Ndërsa drejtuesit e këtij teatri e kanë cilësuar si hap të rëndësishëm për këtë institucion kulturor, derisa menaxhmenti i Komunës ka vlerësuar se këta aktorë për herë të parë do të kenë paga të dinjitetshme.
Aktori prizrenas, Xhevdet Doda, pas aktit simbolik të nënshkrimit të kontratës ka vlerësuar se kjo ditë është festë e vërtetë për komunitetin artistik teatror të Prizrenit.
“Është përmbyllje e një kapitulli shumë të rëndësishëm për kulturën, jo vetëm në Prizren”, ka thënë Doda, teksa ka shtuar se ka ëndërruar gjatë për këtë ditë.
Sipas tij, arritja deri në këtë pikë ka kërkuar shumë mund e sakrificë, veçanërisht në raport me politikën.
“Rrugëtimi ynë deri në këtë ditë nuk ka qenë i lehtë, si pjesë e papërgjegjësisë së politikës, që nuk ka dashtë me u marrë me teatrin, si dhe me kulturën në përgjithësi”, ka deklaruar Doda.
Për dy dekada vjet aktorët janë angazhuar nëpërmjet projekteve dhe kontratave afatshkurtra. E teatri ka funksionuar me projekte që janë përkrahur nga Komuna e Ministria e Kulturës.
Deri te pavarësimi buxhetor është arritur pasi Komisioni i Granteve në kuadër të Ministrisë së Financave në prill të vitit të kaluar ka aprovuar financimin komunal për teatrot sa u përket viteve 2020-2022. Me miratimin e buxhetit për këtë vit, në mars, tetë teatrove të qyteteve u është hapur rruga që të shpallin konkurse për staf rezident, transmeton ‘koha.net’.
Teatri i qytetit “Bekim Fehmiu” përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se të enjten “pas një pritjeje të gjatë, së bashku me kryetarin e Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, aktorët rezidentë të teatrit të Prizrenit ‘Bekim Fehmiu’ nënshkruan kontratat dyvjeçare me mundësi vazhdimi”.
“Nënshkrimi i kontratave erdhi pas një konkursi publik, i cili u hap menjëherë pas miratimit të Ligjit për teatrot, duke i dhënë kështu fund problemit shumëvjeçar të financimit”, thuhet në njoftim. Aty theksohet se drejtori i këtij teatri, Fetah Paçarizi, ka deklaruar se ky është një hap shumë i rëndësishëm për teatrin e qytetit dhe se “do të kontribuojë që aktorët të kenë më shumë vullnet gjatë punës së tyre dhe të sjellin çmime nga festivale të ndryshme tek qyteti ynë”.