Teatri i Ferizajt merr tetë aktorë, nisin akuzat për kritere e ndikim

Tetë aktorë janë të parët e ansamblit rezident të Teatrit të qytetit të Ferizajt, “Adriana Abdullahu”. Por një kusht i vënë nga Komuna e Ferizajt për t’iu dhënë përparësi kandidatëve të angazhuar paraprakisht në Teatrin e qytetit ka lënë jashtë disa aktorë të njohur.

Të enjten pasdite, Komuna e Ferizajt ka bërë publik vendimin e marrë një ditë më herët për përzgjedhjen e aktorëve të teatrit “Adriana” në bazë të pikëve të fituara. Mevlan Saraçi (97 pikë), Blin Sylejmani (92 pikë), Edona Berisha-Bekteshi (91 pikë), Jajush Ramadani (90 pikë), Milot Salihu (88 pikë), Sherif Bega (88 pikë), Dardane Mehmeti (87 pikë) dhe Gresë Gashi (83 pikë) janë aktorët e përzgjedhur në konkursin e hapur më 23 korrik nga Komuna e Ferizajt.

Plot 13 aktorë kishin mësyrë të mërkurën sallën e Teatrit për audicionet për pranim. Vjosa Abazi – Kastrati, Shpëtim Selmani, Leonora Hasani, Vjosë Tasholli dhe Durim Neziri kanë qenë aktorët që për komisionin përzgjedhës nuk i kanë përmbushur kriteret për pranim.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i komunitetit artistik për rezultatet e konkursit.

Kështu, piktorja Lebibe Topalli, njëherësh drejtoreshë e festivalit të muraleve, “MuralFest” përmes një shkrimi në “Facebook” ka thënë se nuk i kupton kriteret me të cilat u anashkalua Shpëtim Selmani, transmeton ‘koha.net’.

“Por vetëm një gjë jam e sigurt, se qytetit tim i duhen artistë si Shpëtim Selmani”, ka shkruar ajo. Duke reaguar ndaj vendimit të komisionit përzgjedhës, aktori Shkumbin Istrefi ka thënë se mospranimi i Selmanit është “fat” për Teatrin Kombëtar, meqë ai aty e ka vendin.

“Sipas meje, Shpëtimi është në mesin e aktorëve më të talentuar dhe të ngritur që kemi. Kjo mund të jetë fat për Teatrin Kombëtar. Shpëtimi e ka vendin në Teatrin Kombëtar”, ka shkruar Istrefi në orët e vona të së enjtes për aktorin dhe poetin, i cili në maj të këtij viti u shpall laureat i çmimit të Bashkimit Evropian për Letërsi me “Libërthin e dashurisë”.