Teatri i ri i Kukullave do të ndërtohet në territorin e Gardës së Shqipërisë

“Teatri i ri i Kukullave do të ndërtohet në territorin e Gardës së Shqipërisë”, kështu bëri të ditur ministria, Elva Margariti

Nga tetori nis rikonstruksioni i Teatrit të Kukullave, por me që ajo ndërtesë nuk ka vend mjaftueshëm për fëmijët. Ministria e Kulturës e Shqipërisë dhe Bashkia e Tiranës do të ndërtojnë një Qendër të re për Fëmijët.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, njofton se kjo qendër do të ndërtohet në territorin e “Gardës së Shqipërisë”.

Teatri i Kukullave nuk arrin të përmbushë nevojat…

“Godina aktuale e Teatrit të Kukullave nuk arrin të përmbushë nevojat për zhvillimin e aktiviteteve edukuese e kreative për fëmijët. Në të vërtetë, Qendra Kombëtare Kulturore për Fëmijë ka funksionuar në të tjera ambiente. Veçmas me ato të Teatrit të Kukullave, që aktualisht është në zonën e ish-Kinostudios”.

“Nisur nga mungesa e hapësirave, në përputhje me prioritetet e qeverisë, lidhur me edukimin e brezit të ri. Është menduar ngritja e një qendre të re për fëmijët. Madje jo një qendër, por një pol kulturor, ku të bëhen bashkë në të njëjtat hapësira disa institucione kulturore.

Qendra Kombëtare të Kulturës për Fëmijë do të shtrihet në një hapësirë prej 4800 m2. Dhe do të ketë salla ekspozimi, teatër kukullash, hapësira mësimi dhe rekreacioni, mjedise publike në funksion të aktiviteteve kulturore etj.

Një vit më parë u hartua masterplani, që do të përfshijë Bibliotekën Kombëtare dhe Qendrën Kombëtare të Kulturës, duke ofruar një zgjidhje afatgjatë për to.

Plani identifikoi transformimin e hapësirës territoriale të “Gardës së Shqipërisë” nga një hapësirë ekskluzivisht institucionale, në një hapësirë përfshirëse për publikun”, njoftohet përmes Ministrisë së Kulturës.

Restaurimi i objektit Teatri i Kukullave

Në javën e tretë të muajit tetor, nis restaurimi i godinës së Teatrit të Kukullave. I cili do të jetë gati në vitin 2023, sipas parashikimeve. Edhe këtu do të jetë tabela “Europa është këtu”, pasi ndihma financiare vjen nga EU4CULTURE.

Qëllimi kryesor është ruajtja e trashëgimisë, minimizimi i problemeve. Dhe ofrimi i kushteve optimale për vizitorët dhe stafin artistik e administrativ të këtij institucioni.

Teatri i ri i Kukullave do të ndërtohet në territorin e Gardës së Shqipërisë (Në foto: objekti i vjetër)

LEXO EDHE: Teatri i Kukullave dhe Qendra Kombëtare për Fëmijë “shkrihen” në një godinë