“Teatri ka ekzistuar para nesh dhe do të ekzistojë përjetësisht”, është shprehja që i ka bërë bashkë disa teatro dhe kompani të pavarura teatrore të Kosovës për një repertor të përbashkët. “Rri n’shpi, shiko teatër”, është thirrja e tyre.
Kësisoj, çdo mbrëmje në orën 20:00 prej 8 deri më 30 prill ata do të sjellin nga një shfaqje online. Do të mund të shihen përmes linkut që do të publikohet në “Facebook” në faqen e secilit prej teatrove përkatëse, ditën që është planifikuar shfaqja sipas repertorit të përbashkët të publikuar të hënën.
Shfaqjet janë produksione të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Teatrit të Qytetit të Gjilanit, teatrit “Bekim Fehmiu” në Prizren, teatrit “Adriana” në Ferizaj, teatrit “Hadi Shehu” në Gjakovë, teatrit “ODA”, qendrës “Multimedia” dhe kompanisë se pavarur teatrale “Teatri Urban” në Prishtinë.
“Eshtrat që vijnë vonë”, me tekst të Teki Dervishit, nën regji të Martin Koçovskit, “Lufta në kohën e dashurisë”, me tekst të Jeton Nezirajt, nën regji të Blerta Nezirajt, “Doruntina” nga Lirak Çelaj dhe Matt Opatrnu, nën regji të Jessica Blurr dhe Florent Mehmetit, “Vdekja dhe vasha” nga Ariel Dorfman, nën regji të Fatos Berishës, janë disa prej shfaqjeve që janë pjesë e repertorit të këtij muaji.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të TKK-së, aktori Adrian Morina, ka thënë se situata e krijuar si pasojë e virusit COVID-19 i ka shtyrë që të mendojnë për mënyra kreative për të qenë afër publikut. Deri vonë s’e kishin në plan, me shpresë që edhe një “projekt” i tillë t’u dështojë e t’i kthehen normalitetit sa më parë.
“Natyrisht, asgjë nuk krahasohet me shfaqjet të cilat jepen live në teatër. Asgjë nuk krahasohet me teatrin e vërtetë, por situata e krijuar na ka shtyrë që të mendojmë për gjëra kreative për të cilat nuk kemi menduar me herët. Madje, po ta shohim me syrin pozitiv, besoj se të gjithë ata të cilët për një arsye ose tjetër nuk kanë pasur mundësi t’i përcjellin teatrin dhe shfaqjet tona në TKK, besoj se përmes këtij komunikimi i kemi tërhequr që të vijnë dhe ta përjetojnë nga afër magjinë e teatrit”, ka thënë ai./koha