Teatri Kombëtar i Kosovës ka hyrë në radhën e institucioneve qendrore të kulturës të cilave u është ndërruar përbërja e këshillave drejtues. Ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, ka vendosur që Teatri të jetë institucioni i gjashtë me radhë ku anëtarëve të këshillit drejtues u ndërpritet mandati.
Përbërja e kaluar e Këshillit Drejtues të TKK-së ishte emëruar në dhjetor të vitit 2017. Këshilli Drejtues i TKK-së ka mandat katërvjeçar. Një gjë e tillë përcaktohet me Ligjin për teatro, të miratuar më 2012. Po i njëjti ligj e vë në kompetencë të ministrit të Kulturës shkarkimin dhe emërimin e anëtarëve të këshillit. E, duke u thirrur në këtë nen, ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, ua ka shkurtuar mandatin gjashtë prej shtatë ish-anëtarëve të këtij organi.
Agron Shala, Ramadan Musliu, Feim Maliqaj, Besim Rexhaj, Mustafë Halili, Samka Ferri e Ismet Azemi janë emëruar anëtarë të Këshillit në ditën e dhjetë të këtij muaji. Aktori Ismet Azemi ka qenë edhe në përbërjen e këshillit paraprak. Kurse poeti e kritiku letrar Ramadan Musliu ka vdekur javën e kaluar. Kësisoj, ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, duhet ta zëvendësojë atë me një anëtar të ri në përbërjen e Këshillit.
Aktori Fisnik Ademi ka qenë kryetar i Këshillit në përbërjen paraprake. Ish-përbërja kishte ngelur me gjashtë anëtarë, pasi shkrimtari e studiuesi i letërsisë, Adil Olluri, kishte dhënë dorëheqje në shkurt të këtij viti. Kësisoj, prej asaj kohe, ky organ kishte në përbërje Valon Kashtanjevën, Jahja Shehun, Shkëlqim Millakun, Fikrim Emrën dhe Ismet Azemin, transmeton ‘koha.net’.
Sipas aktorit Fisnik Ademi, gjatë mandatit të ish-përbërjes së Këshillit Drejtues të TKK-së, janë shënuar disa suksese.