Telegram ngushëllimi i ministrit Çeku me rastin e vdekjes së aktorit Luran Ahmeti

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka ngushëlluar familjen e aktorit të njohur, Luran Ahmetit, i cili ka humbur jetën nga Covid-19.

Telegrami i plotë ngushëllues i ministrit Çeku:

E nderuar familja Ahmeti,

I tronditur dhe me pikëllim mora lajmin për ndarjen nga jeta e të dashurit tuaj, aktorit tonë të madh shqiptar, Luran Ahmeti.

Ikja e tij e hershme nga kjo botë është dhimbje e madhe dhe humbje e pazëvendësueshme për familjen, miqtë dhe kolegët e Luranit dhe lë një zbrazëti të madhe në artin dhe kulturën tonë shqiptare.

Skenës artistike teatrale e kinematografike do t’i mungojë talenti dhe profesionalizmi i Luranit, i cili me dashurinë, përkushtimin dhe angazhimin e tij për lojën skenike, arriti të depërtojë edhe në skenën ndërkombëtare. Lurani nuk e përfaqësoi vetëm veten e tij, por prezantoi edhe vlerat e artin shqiptar brenda hapësirave kombëtare dhe jashtë tyre.

I lehtë i qoftë dheu.

Pranoni ngushëllimet më të përzemërta e të sinqerta, ju e nderuar familje, miq, kolegë e ju dashamirë të Luranit.

Sinqerisht,
Hajrulla Çeku
Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit
Republika e Kosovës

LEXO EDHE: Albin Kurti përkujton Luran Ahmetin, rrëfen se si e njohu atë