Nga gërmimet në Urla, Turqia perëndimore, arkeoloogët kanë zbuluar një tempull të shekullit të gjashtë para erës sonë kushtuar hyjneshës Afroditë (Afërdita).
“Afrodita ishte një kult shumë i njohur asokohe” – ka thënë për “Hürriyet Daily News”, udhëheqësja e ekipit Elif Koparal, arkeologe në Universitetin e Arteve të Bukura “Mimar Sinan”.
Ekipi ka zbuluar pjesë të statujës së një gruaje dhe një skulpturën e një koke gruaje, sikundër edhe një mbishkrim që thotë “Ky është një vend i shenjtë”.
“Nga gjetjet, kuptojmë se këtu duhet të ketë qenë një truall kulti për rajonin” – shpjegon, Koparal.
Afrodita ishte hyjnesha e lashtë greke e bukurisë, dashurisë dhe lindjes. Ndonjëherë, ajo asocionte edhe me lundrimin dhe luftën.
Sipas Enciklopedisë Britannica, skulptura të hershme e paraqesin atë të veshur e mjaft të ngjashme me hyjneshat e tjera, por rreth shekullit të pestë para erës sonë, artistët nisën ta portretonin atë të zhveshur apo kryesisht, nudo.
Shumë tempuj e faltore iu kushtuan kultit të saj, me vende të veçanta, si në Qipro dhe në ishullin e Kitherës, në brigjet jugore të Greqisë.
Qyteti i lashtë i Aphrodisias, një vend në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, që ndodhet në juglindje të Urla-Çeşmes në Turqinë e sotme, ishte emërtuar sipas hyjneshës. Besimtarët ngritën aty tempullin të Afroditës në shekullin e tretë para erës sonë, duke e pasuar me ndërtimin e pjesës tjetër të qytetit, përfshirë teatrin dhe komplekset e banjave.
Siç raportojnë mediet shtetërore turke, Koparal dhe kolegët e saj, kanë zbuluar shenjat e para të tempullit më 2016, kur po dokumentonin mbetjet e vendbanimeve të hasura në këtë trevë gjatë mijëvjeçarëve.
“Gjatë incizimit të sipërfaqes, ne pikasëm tempullin e Afroditës, nga shekulli i gjashtë para Krishtit” – ka thënë Koparal. “… Është një zbulim befasues”.
Që prej 2006-ës, kërkuesit kanë zbuluar një total prej 35 vendbanimesh parahistorike, me një hapësirë arkeologjike prej 17.220 katrorësh. Gjashtëmbëdhjetë prej tyre i takojnë periudhës së vonë të neolitit – fundi i epokës së gurit.
Vendi ndodhet afër qytetit të Izmirit.
I njohur dikur si Smyrna, metropoli ishte një prej qyteteve më të vjetra në rajonin e Mesdheut. Izmiri ka qenë një vend i rëndësishëm për njerëzit e këtyre hapësirave, për të paktën 5 mijë vjet; mbetjet prej qeramike tregojnë se forcat greke u vendosën aty, rreth viteve 1 000 para Krishtit.
Sipas “Hurriyetit”, kërkimi dokumenton lidhjet ekonomike dhe shoqërore mes njerëzve që jetonin në këtë rajon, qysh 6 mijë vjet para lindjes së Krishtit. Gjetjet përfshijnë suka varrimi dhe guva që përdoreshin si vende të shenjta. Koparal thotë se ekipi po punonte me banorët vendas për t’i ruajtur gjetjet, që mund të përballen me kërcënime nga plaçkitësit dhe zhvillimi urban.
Afrodita, nuk ishte e vetmja hyjneshë klasike që adhurohej në ato anë: vjeshtën e kaluar, siç njoftuan mediet turke, arkeologët që po gërmonin akropolisin e qytetit të Daskyleionit, zbuluan një maskë 2400-vjeçare, ku paraqitej Dionisi, zoti greko-romak i verës dhe ekstazisë. Adhuruesit e lashtë, me gjasë përdornin maskën e terrakotës gjatë ritualeve të lidhura me prodhimin e verës./konica.al