“Tenet” – shenjë e mirë për kinematë

“Tenet” me regji të Christopher Nolan, ka grumbulluar më shumë se 50 milionë dollarë që në javën e parë të shfaqjes, ku adhuruesit e filmave nuk i kanë kushtuar shumë vëmendje pandemisë, ani pse kanë vënë maskat dhe u janë rikthyer ekraneve të mëdha.

Adhuruesit e filmave në Britani e hapën rrugën duke i sjellë filmit “Tenet” të ardhura prej 7.1 milionë dollarësh në arkat britanike. Filmi është lansimi i parë i Hollywoodit që nga mbyllja e kinemave në mars për shkak të pandemisë. Ka grumbulluar më së shumti të ardhura në Britani për këta shtatë muajt e fundit që nga filmi “1917” i Sam Mendes në janar.

“Tenet” është parë si një test tërheqës për të parë nëse ndjekësit e kinemave janë gati për t’u rikthyer gjersa industria e filmit përpiqet që të shpëtojë diçka nga viti i destinuar për të qenë me i keqi në këto tri dekada. Aktori Tom Cruise, i entuziazmuar dhe duke mbajtur maskë, ishte në mesin e atyre që e shikuan filmin në Londër.

“Ne jemi në një fillim global të mrekullueshëm dhe nuk ka se si të shkonte më mirë”, ka thënë Toby Emmerich, drejtues i “Warner Bros”. “Duke marrë parasysh rrethanat e paparashikueshme të këtij lansimi, ne e dimë se jemi në një maratonë dhe nuk është një vrap i lehtë, prandaj presim një shfaqje më të gjatë të filmin globalisht edhe për shumë javë të tjera”.

“Warner Bros”, pasi që kishte shtyrë lansimin e filmit “Tenet” disa herë për shkak të pandemisë që ishte e pafrenueshme në SHBA, mori hapin e paparashikueshëm, lansimin e filmit fillimisht në tregun ndërkombëtar.

Duke marrë parasysh reagimin që ka marrë filmi, fitimin ndërkombëtar prej 53 milionë dollarë dhe mposhtjen e pritshmërive të analistëve, shpresat janë të larta që do ta përsërisë këtë performancë kur të lansohet në tregje me të mëdha përfshirë SHBA-në dhe Kinën gjatë vikendit./Koha.net