Tenistja e parë kampione, 30 vjet e internuar në baltrat e Savrës

Nga Kolec Traboini

Handan Hoxha, bijë e një nënpunësi banke në Shqipëri ishte vetëm 15-vjeçare (datëlindja 1927) kur u regjistrua në një klub tenisi në Fushën e Shallvares në qendër të Tiranës, që tashmë është betonuar plotësisht nga oligarkët e rinj të babëzitur të ndërtimeve.
Trajneri i saj ishte Sali Nallbani,(Mjeshtër i madh), i cili i kthyer nga Italia ndërtoi fushën e parë të tenisit në Shqipëri në atë shesh në vitin 1940. Orhan Sakiqi kujton “Fushat e tenisit në Shallvare kanë qenë vatër qytetarie.Sali Nallbani prishi kopshtin e vet me fruta e ndërtoi dy fusha tenisi në vitin 1940.
Erdhi nga Italia me Julin, të shoqen. Me Asaf Hoxhen kam luajtur tenis, kam shkuar në shtëpinë e tij në rrugën e Dibrës ku kam njohur dhe motrat.
“E reja Handan Hoxha doli kampione nder femra në Kampionatin e parë të Tenisit 1942. Përveç saj në klubin e tenisit ishin të regjistruar edhe Ballkize Nallbani, motra e Sali Nallbanit dhe vajza të tjera si Safete Beshiri, Lule Bishqemi dhe Vjollca Greblleshi.
Me ardhjen e hordhive komuniste gjithçka u rrënua për të ndërtuar kinse një botë të re nga pluhuri i gërmadhave. Handan Hoxha me familjen e saj intelektuale e patriote, me babain Vehip Hoxha, nënën Ane, dy motrat e saj Suzan dhe Nermin, u internuan në Savër të Lushnjës për më shumë se 30 vjet.
Vëllai i saj Asaf Hoxha u arratis, më pas shkoi në Amerikë dhe 3 motrat Hoxha u takuan me vellain vetëm pas vitit 1990. Duke parë këtë vajzë në këtë fotografi, po të mos kesh njoftim shoqërues, të krijon përshtypjen se është bërë në Paris, Londër, Romë apo New York dhe nis e kupton çfarë vandalësh mizorë kanë kaluar mbi këtë tokë shqiptare duke shkatërruar edhe jetët njerëzore.
Dhe, o Zot i madh, pinjollët e tyre, 30 vjet pas shembjes së komunizmit të baballarëve të tyre (nëse është shembur ndonjëherë), na thonë se ata, djajt e kuq, paskanë qenë në anën e duhur të historisë. Kështu ndodh kur e bëjnë xhufkëkuqët historinë në Akademinë ende Komuniste të Shkencave.
Përpara dëshmish të kësaj natyre, ndjesi të thella përjeton njeriu, qoftë edhe përpara kësaj fotografie që duhet venë në Muze Kombëtar në vend të belxhikëve të panumërt, maliherëve e granatave me të cilat vramë njeri – tjetrin. E ky perjetim skajor ka të bejë, në një anë me dhimbjen e thellë për vajza shqiptare si Handan Hoxha e viktimat e tjera të persekutimit nga diktatura dhe nga ana tjetër neveri për baballarët komunistë dhe bijtë e tyre bastardhë që ende jetojnë me nostalgji për kohën vrastare.

Në foton familjare: babai Vehip Hoxha e shoqja Ane, djali Asaf, vajzat Mimoza, Handan dhe Nermini./kujto.al