Tenori i njohur në Teatrin e Operas dhe Baletit, Armaldo Kollogjeri, ishte i ftuar në emisionin “Shqipëria Live” për të folur rreth skandalit që ka përfshirë TOB me logon e re.
Kompania që mori përsipër punimin e saj mendohet se e ka marrë në platformën e lirë Freepik.com. Logoja ka kushtuar rreth 10 euro, ndërsa Teatri i Operas dhe Baleti e blenë për 18 milionë lekë të vjetra. Kjo ka irrituar jashtë mase artistët dhe personat e fushës.
Tenori i njohur u shpreh se kur e ka marrë vesh lajmin se logoja e TOB është plagjiaturë, është shokuar. Madje sipas tij, në faqen zyrtare të Teatrit të Operas dhe Baletit, janë bërë disa ndryshime datash në lidhje me publikimin e disa informacioneve.
Ky i fundit bëri edhe deklarata të forta, ku u shpreh se artistët e kanë të vështirë që të ngrenë zërin për problemet që kanë.
“Jam nga ata që kam patur frikë dhe kam ende. Kam një kontratë pa të drejtë rinovimi. Ka humbur zëri i artistit, janë frikësuar nga kontratat e reja. Po jetojmë në një vend ku nuk lejohet zëri i lirë. Ne si artistë duhet të kemi të drejtën e pjesëmarrjes në këto gjëra të tilla, të japim mendimin tonë për logon e re. Pse drejtoresha nuk i bëri pjesë artistët që të jepnin mendimin e tyre, pse nuk doli në media për të folur për këtë logo”, tha tenori.