Rudi Sata i indinjuar
Pagat e artistëve dhe të punonjësve të Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor u rritën, por për artistët kaluan vite që të kujtoheshin për ata.
Ministrja e Kulturës Elva Margariti më parë u shpreh se me vendim të Këshillit të Ministrave përfitojnë 191 artistë e punonjës të TKOBAP, mes të cilëve 190 në masën 47-59 për qind dhe drejtori i përgjithshëm në masën 15 për qind.
Por tenori i TKOB Rudi Sata shprehet me kritika. Ai thotë se ka qenë një kërkesë e bërë prej vitesh, ndërsa shtron disa pyetje për Ministrinë e Kulturës.
“Mbas 9 vitesh “thatësirë” më në fund qeverisë i ra ndërmend edhe për artistët, që të kenë rritje të pagës. Por duke ju referuar aktualitetit unë me të drejtë ngre pyetjet:
1)Kjo është rritje page apo indeksim?
Sepse po t’i referohemi INSTAT-it, specialistët flasin për një krizë, e cila ndikon ke xhepat e qytetarëve diku te rreth 7.4 për qind!
2) Në qoftë se do flasim për atë kategori artistësh, të cilët do përfitojnë një rritje page te 59 për qind, atëherë pyetja ime është: Në cilën fashë tatimi hyn kjo kategori? Sa është përqindja e taksës? Po kështu të njëjtat pyetje kam edhe për atë kategori, që përfiton një rritje prej 47 për qind?”, thotë tenori.
Sata vijon më tej se për këtë rritje page nuk është folur për një studim më parë apo dhe një grup pune, që të jetë marrë. Sipas tij edhe nëse ka pasur, kjo nuk është bërë me dije te komuniteti i artistëve.
Tenori Rudi Sata thotë se nga Ministria e Kulturës nuk mund të përjashtohen grupet e interesit. “Mbi cilat kritere u ndanë këto kategori? Ishin kritere artistike? Apo thjeshtë sipas qejfit ?
Pra: A pati një studim profesional? A ka pasur ndonjë grup pune, të cilët kanë nxjerrë këtë formulë që kemi sot? Në qoftë se ka pasur atëherë pse nuk janë bërë të ditur për komunitetin e artistëve? Kush ishin këta emra artistësh?
Nëse nuk ka pasur akoma dhe më keq për Ministrinë e Kulturës, e cila përjashton grupet e interesit dhe vendos ajo në mënyrë të njëanshme për çdo gjë.
A ka pasur përfaqësues nga sindikata? Sepse në dijeninë time artistët nuk dinë absolutisht nëse ka pasur apo jo një grup pune për të trajtuar rritjen e pagave”, vijon më tej tenori i TKOB.
ObserverKult
Lexo edhe:
‘LE FIGARO’ SHKRUAN PËR HAJDUTËT DHE TRAFIKANTËT E SHQIPËRISË