Të kam dashur, të kam dashur
zemra ime zog i brishtë
nëpër erëra të kërkon.
Fishkëllen motiv’n e hershëm
një përgjigje merr të trishtë
heshtje varri që heshton.
Të kam dashur, të kam dashur
m’u lodh zemra në kërkim
krahëkëputur ra mbi breg.
Peshkatari që e gjeti
vetë u mbyt në një trishtim
gjakspërkatur si një shegë.
Të kam dashur, të kam dashur
me aromë të ndoqi zemra
nëpër erëra e murlane.
Era fryu jug-veri,
nga të shkoj, klithi e shkreta
unë pa zemër jam kësaj ane
Të kam dashur, të kam dashur
i vetmuar zemrën pres
mal trishtimi në këtë glob
Era fryn, aroma bie
zemra ime nuk po vjen
oh, ka ngrirë në një pol.
Të kam dashur, të kam dashur
mirë, mos eja, nëse s’do
veç një diell ngri në skaj.
Të çlirohet zemra ime
lidhur akujsh nëpër lot,
zemra ime e pafaj…
1996
ObserverKult
—————————-
Lexo edhe:
TEODOR KEKO: ASNJË ARSYE S’MUND TA PENGONTE ATË TË VINTE…
Ndihesha shkëlqyeshëm fizikisht e shpirtërisht, aq sa nëna m’i ngulte sytë me dyshim. Mos kisha luajtur teatër me ta kur u sëmura e u thashë më pas se mjeku mendonte se shërim ishte për mua dasma? Vrapoja te rrobaqepësja e të Silva për bizhuteritë, shfletoja katalogë e nuk rreshtja së bëri inventarin e imët të dyqaneve. Kështu deri në ditën e dasmës.
Pastaj u gdhi një mëngjes i mrekullueshëm me fustanin e bardhë, me lule gjithfarë ngjyrash, me blice fotoreporterësh, me njerëz, urime e të qeshura pa fund. Vetëm Ana nuk po dukej në atë mori uruesish. Më në fund, kur ne po prisnim nga minuta në minutë ardhjen e taksisë që do të çonte në lokalin ku do bëja dasmën, ajo u shfaq me një tortë të madhe. Qeshte, por unë nuk mbaja mend ta kisha parë ndonjëherë të trishtuar. Më puthi me kujdes, që mos më prishte makiazhin, pastaj zuri vend ngjitur me mua.
-Ke dalë nuse fantastike, -më tha. –Ky fustani të rrika mrekulli, sikur është qepur për trupin tënd!…
-Dukesh e mërzitur, -i thashë.
-Jo! Jam pak e lodhur!
Po mua nuk ma hidhte dot.
-Ç’thonë vizitat te kardiologu?
-Keq!-tha, pas një heshtjeje të shkurtër.
-Si keq?
-Baltë fare! Duhej të dilte sot te treni…Nuk doli… As të shtunën tjetër nuk u duk. Thotë nëpër ca telefona se ka shumë punë aktualisht…
Zëri i saj ishte i thatë.
-Kushedi sa e kanë fryrë, të shkretin!-shtoi, pastaj bëri një lëvizje harkuese me dorë, prapa diellit vaftë!…
U përpoq ta retushonte mërzinë me një buzëqeshje, por s’e njihte atë zanat. I shpërtheu një e qarë e rëndë, e papërmbajtshme, dhe më pushtoi fort. M’u lag fustani nga lotët e saj. S’përmbahesha dot për vete. Ajo e qarë ishte e lebetshme. As të vdekurit shpesh nuk qahen ashtu.
Njerëzit shtangën. Nëna ime më bënte ca shenja të ruaja makjazhin, mirëpo ajo s’e ruajti dot për vete tualetin e saj, se u përlot e u zhgërrye nga lotët.
-Janë si motra, – u tha njerëzve duke ndjellë hundët, –
Duhen shumë!… Ajo çupa është e pamartuar…
Ana e dëgjoi. Fshiu lotët dhe po aq e papritur u kthjellua.
Por nuk pushoja dot unë. Atëherë ajo filloi të më puthte e të më lutej të pushoja, pa pyetur më për ruajtjen e tualetit tim nusëror. Ai u dreqos nga lotët. Duhej bërë nga e para.
-Mos u mërzit, -më tha, -ai duhet të ketë pasur vërtet punë, po mua këto kohë mendja vetëm për keq më shkon…
Ti e kupton vetë…Unë pyeta…Do vijë, me siguri! Do të të lajmëroj vetë…
Dhe iku.
Nuk erdhi në darkë, por ky ishte një ngushëllim i madh për mua. Asnjë arsye s’mund ta pengonte atë të vinte në dasmën time, veç ndonjë takimi me kardiologun. Vetëm për një takim të tillë unë nuk do t’i mbaja mëri dhe ajo e dinte këtë gjë.
*Shkëputur nga libri i Teodor Kekos: “Shënimet e një gruaje”
Përgatiti: ObserverKult
—————