Teodor Keko: Unë të kam dashur gjithmonë…

teodor keko
Teodor Keko (1958–2002)

Nga Teodor Keko

Tani e kishte zënë. Iu lëngëzuan sytë përsëri. Uli kokën e ia puthi me afsh duart Elios, u mori erë, i futi në gjoks, ia mbajti atje dhe e pyeti gati duke u qaravitur:
– Kur do të vijsh prapë?… E di… Edhe unë të dua…
U mërzita pak, se njeriu edhe mërzitet kur kujton budallallëqe, por që kur më telefonove kam qenë e lumtur, – dënesi, – unë të kam dashur gjithmonë, gjithmonë të kam kujtuar, po kështu erdhën punët… Andej s’jetoja dot më, por keq andej e plehëra këtej!… Do vish prapë, më thuaj, t’i paguaj unë këtë herë të gjitha, biletat, shpenzimet… Do kënaqemi… Do vish në verë?…
Po kërkohej sërish fjala. Tani ishte ajo që kërkonte një premtim dhe balada zgjohej në Gjermani këtë herë. Ishte rrotulluar mbrapsht gjithçka dhe Elio nuk po i duronte dot lutket e saj shpirtkëputëse. Ndihej vërtet i rraskapitur.
– Pse nuk kthehesh? – iu lut Elio. – Ti ke njerëz atje, pastaj nuk është më vendi si e ke lënë…
– Ç’do bëj unë atje? – pyeti përhumbshëm ajo dhe s’merrej vesh kujt iu drejtua, shiut apo atij, që ia kishte ngulur sytë buzëve të saj të thara tashmë. – Tani duhen shtyrë ditët, – psherëtiu ajo, – ky paska qenë fati ynë…
Kishte shumë pikëllim në fjalët e saj. Ishte e kotë të merrje mundimin për ta bindur. Ai vend e kishte vrarë keq këtë njeri dhe ajo nuk do t’ia harronte kurrë plagët e hapura. Tekefundit, edhe ajo ishte pjellë e atij vendi, i binte logjikisht të quhej Doruntinë dhe të kishte fatin e saj.
Një orë më pas ndodheshin sërish të kërleshur në dhomën pa jetë të hotelit, ku ngjiteshin deri lart trokitjet e patkonjve të kuajve dhe yhurma e pajtoneve plot turistë, që vizitonin qytetin e vjetër. Atë e pushtoi përsëri magjia e asja femre të bardhë e të lëmuar, të punuar aq mjeshtërisht nga mëma natyrë, si për t’i bërë sfidë piktorucëve të botës, dhe Elio humbi sërish ndjesinë ndaj gjithçkaje. Notonte në një hapësirë të ngrohtë ujërash, pa menduar asgjë, i lumtur e i qetë. Në mbrëmje Ilda duhej të nisej. Ata u riputhën në sallën e madhe të stacionit të trenit dhe Ilda sërisht i thirri se do ta priste gjithmonë, ndërkohë që sirenat paralajmëruese të nisjes ngjanin me sirenat e alarmit në luftë. Ajo u zhduk po aq shpejt sa ishte shfaqur, gjë që do të thoshte se ai ishte përsëri i vetëm mes shiut të pafund. Fare vetëm, si kjo Ildë, për të cilën e mori malli atë çast. “Po unë, ku të zhdukem?” pyeti veten. 31 vjeç. Vetëm. I humbur, apo i vdekur? I humbur, se zemra i rrihte ende monotonisht. I vdekur, sepse Ilda s’ishte më… “Po Ildës përse nuk i thashë se e dua tamam”, pyeti befasisht veten tek kthehej nëpër shi, përse nuk ia shpreha rrokje për rrokje se ajo më bën të lumtur, se bashkë mund të gëzoheshim e mund t’i shtynim jo keq këto ditë që na kanë mbetur… Po sikur ajo të bindej për t’u kthyer në Shqipëri?… Ai u drodh. Nuk i përgjigjej dot poyitivisht kësaj pyetje dhe kaq mjafton që t’ia shprehte hapur konsideratat vetvetes me një “dhjeraman i qelbur, i vdekur me gjithë lecka e lidhëse këpucësh, që do të jetosh e s’ta mban bytha, se ke frikë nga fjalët e atyre pa asnjë vlerë për ty…”

*Shkëputur nga tregimi “Dy shqiptarë në Duseldorf” që u botua në kuadër të librit “CURRICULUM VITAE”, Botimet Toena, Tiranë 2008

Përgatiti: ObserverKult

Lexoo edhe:

KRIST MALOKI: SHKA DO ME THANË “POET”…