Tërmeti, artisti kthen ‘dramën’ në art

Në Pavijonin e Artit në Ministri të Kulturës të Shqipërisë, artisti Oltsen Gripshi ka çelur ekspozitën  “Stinën e jetës”. Për këtë Himn për jetën, artisti na rrëfen se është frymëzuar nga tërmeti i 26 nëntorit në vitin 2019.

“Vepra ka të bëjë me njeriun, me qenien njerëzore. Shkak për këtë ekspozitë është tërmeti i nëntorit të shkuar. Unë vij nga Durrësi, një nga qytetet më të goditura, ku kam ndërtuar jetën time. Nuk kam dashur që të udhëtojë me ndjesitë negative, por ta kthejë këtë në një vepër arti”, thotë Gripshi.

Përpos pasojave të rënda që la pas ky tërmet, artisti u jep vlera muzeale, atyre gjërave që la pas tërmeti, duke përshtatur këtë rrugëtim të qenies njerëzore në katër stinë të vitit

Jeta është e mbushur me ngjyra, drama të tilla njeriut i ndodhin gjatë rrugëtimit jetësor. Jo më kot e nis ekspozitën me një vepër, siç është një jorgan i sime meje, që ka shpëtuar në rrënojat e shtëpisë që tashmë nuk është më. Për ta zhvesh nga konteksti i shtëpisë, edhe për t’i dhënë një vlerë muzeale. Më pas rrugëton drejt stinës së pranverës, me simbolika të ngrohta dhe dallëndyshet. Stina e verës është mëshiruar përmes simbolikës së gjarprit, që shpesh ka konotacion negativ, por është simbol i pjellorisë. Edhe mbyllet me një instalacion për vjeshtën, që fton publikun ta ndiejë gjithçka përmes gjetheve”, rrëfen ai.

Pasi fton publikun që të bëhet pjesë e kësaj ekspozite, artisti na rrëfen dhe atë çka mbetet pas

“Është një rrugëtim rreth qenies. Pika kulmore është veza nga lind gjithçka apo embrioni i jetës. Kjo është qasja ime, perceptimi im ndaj jetës dhe individit, ndaj qenies njerëzore”, përfundon artisti.

Ekspozita do të qëndrojë hapur në pavijonin e artit në Ministrinë e Kulturës deri në datë 28 shkurt./shqiptarja.com