Tërmeti i 1979-s në dokumentet e kohës

Shkaktoi 35 të vdekur dhe 176 të plagosur në Shkodër e Lezhë. U shkatërruan 1730 shtëpi banimi

Më 15.4.1979 ora 07.19 një tërmet shumë i fortë me magnitudë 7.25 sipas shkallës Rihter ndodhi 130 km në veriperëndim të Tiranës, me epiqendër në detin Adriatik. Intensiteti i tërmetit në epiqendër ka qenë mbi 9 ballë sipas shkallës MSK-1964. Është ndër tërmetet më të fortë të regjistruar në këtë shekull në territorin e Ballkanit.

Në territorin e vendit tonë, në bregun e lumit Buna intensiteti i tërmetit ka qenë rreth 8 ballë. Tërmeti shkaktoi 35 të vdekur dhe 176 të plagosur në rrethet e Shkodrës dhe të Lezhës. Në këto dy rrethe u shkatërruan 1730 shtëpi banimi dhe u dëmtuan 5115 shtëpi banimi, objekte ekonomike dhe social kulturore. Dëme u shkaktuan edhe në rrethet Krujë, Pukë, Dibër, Tropojë, Mat dhe Mirditë. Lëkundjet e këtij tërmeti u ndjenë në të gjithë territorin e vendit tonë, si dhe në gjithë Jugosllavinë, Greqinë Veriore, në Bullgari, në Itali, në Austri dhe në Gjermaninë jugore. Tërmeti shoqërohet me shumë pas goditje. Deri në orën 21.00 stacioni qendror i Tiranës ka regjistruar 206 pasgoditje, disa nga të cilat kanë patur magnitudë mbi 4.0. Më e forta nga to ndodhi në orën 15.43 me magnitudë rreth 6, sipas shkallës Rihter; lëkundjet e kësaj goditjeje janë ndjerë edhe në Tiranë, transmeton ‘shekulli’.

Nga njoftimet e Degëve të Punëve të Brendshme rezulton se në Shkodër veç të vrarëve e të pla..gosurve janë dëmtuar 80 % e shtëpive të zonës së Velipojës, Bushatit, Barbullushit, në zonën e Dajçit dhe në fshatin Pentarë janë rrënuar krejtësisht 80% e shtëpive. Janë dëmtuar rëndë banesat e pikave kufitare Reç, Pulaj, Rushkull e Pentarë, kurse në efektiv nuk ka asnjë dëm. Në Lezhë ka dalë jashtë përdorimit furra e bukës të qytetit, është dëmtuar depoja e vjetër e ujit të pijshëm të qytetit, rrjeti elektrik dhe ai i ujit, ndërsa në fabrikën e letrës kanë ndërprerë prodhimin dy reparte.