Test gjuhe për punësimin, gjuhëtarët: Shqipja të bëhet me detyrim në administratë

Punonjësit e administratës duhet të dinë mirë të shkruajnë gjuhën shqipe, çka duket se e bën të nevojshëm testimin e tyre në momentin e rekrutimit. Gjuhëtarët thonë se problematikat aktuale në përdorimin e gjuhës shqipe në dokumentet zyrtare e bëjnë të nevojshëm zgjerimin e programit mësimor të gjuhës shqipe jo vetëm në arsimin bazë, por edhe në shkollën e mesme.

Rreziku i deformimit të gjuhës shqipe duket se ka bërë të nevojshëm testimin e punëkërkuesve për njohuritë në këtë fushë.

Një nga dokumentet me më shumë probleme në drejtshkrim është ai i dorëheqjes së ish-drejtorit të policisë së shtetit Ardi Veliu. Veç fjalëve të pa shkruara mirë, në të është përdorur shkronja e në vend të ë.

Gjuhëtari Xhevat Lloshi thotë se shqipëria duhet të ruajë standardin e punonjësve, duke i testuar nëse arrijnë të shkruajnë siç duhet një kërkesë të thjeshtë.

“Përpara se të të pranojnë për intervistë, të kërkojnë që ti të paraqesësh në një fletë kërkesat e tua. Aty merret dhe shqyrtohet. Nëse ky njeri s’di të bëjë një kërkesë për të hyrë në punë, çfarë do të bëjë ai për kërkesat më të vështira që do të ketë më pas,” tha ai.

Probleme hasen edhe në dokumentet tip në institucione, për të cilat, Lloshi thotë se duhet të redaktohen fillimisht nga ekspertë gjuhësie./oranews


Lexo edhe:

TUPJA: GJUHA SHQIPE PO SHKËRMOQET, PO ZHDUKEN FJALËT, SHENJAT E PIKËSIMIT, DËSHIRORJA DHE HABITORJA…

Në “Ora e Betit” në RTV Ora, nga Beti Njuma, profesori Edmond Tupja u shpreh se gjuha shqipe po vritet dhe po shkërmoqet. 

Ai theksoi se shumë fjalë përdoren në gjuhë të huaj, ndërsa po zhduken fjalët shqipe në vend të tyre. 

Tekstin e plotë e gjeni KËTU