Testamenti i një poeti

Frederik Rreshpja, portret nga Aleksandër Vreko

Analize semiotike e poezisë “Testament” i Frederik Rreshpjes

Nga Riza Braholli Mborja

Në poezinë: Testament,

Që fëmijë e kam kuptuar se kisha lindur
I mallkuar me art.
Gjërat i shihja ndryshe:
Nëpër shirat e vdekur
Peshqit fluturonin drejt çerdheve, te yjet.
Në vend të borës binin zogj në çdo dru.
Era si ketër brente degët.
Qante mbi mua nëna, shënmëria ime. Ave nëna ime!
Mos e pastë njeri këtë fat!

Kam dashur një Afërditë në Olimpin
e trëndafilave.
Pastaj erdhe ti tërë ikje.
Më vonë vije vetëm nëpër ëndrra, si perënditë ilire.
Kështu iku dhe rinia, filigrami i djalërisë,
i mallkuar me art.
Mos e pastë njeri këtë fat!

Tani që po vdes ëndërroj vetëm një kryq te koka,
Dhe të harrohem, se nuk dua që edhe pas vdekjes
Të më ndjekë mallkimi i artit.
Mos e pastë njeri këtë fat!

Po kur të vdes, portreti im ka për t’u shfaqur nëpër gjethe,
Se unë kam patur miqësi me çdo dru.

Në stinën kur bien gjethet
Do të bien edhe sytë e mi.

Tani e tutje shirat do të jenë lotët e mi.
Mos e pastë njeri këtë fat!

Poeti zbraz dëshiroren e tij: mos e pastë njeri këtë fat! Fati atë e ka mallkuar me art dhe ashtu si edhe te poezia tjetër “Epitaf”, ai është i mallkuar me pavdekësi, pra, i mallkuar me art. Pra, që në krye na shfaqet kjo simbiozë e pandreqshme fat-krijim artistik dhe del edhe koncepti i tij për talentin, por megjithëse kjo tezë do një vështrim më vete; këtu ne na intereson eksplorimi i vetëdijes dhe pavetëdijes së tij edhe për një nga kategoritë më të larta të veprimit njerëzor siç është krijimi.

Koncepti i Rreshpjes për talentin në thelb është ai, gati i pranuar nga shumica e njerëzve, se talenti është dhuratë; ajo që e dallon konceptin e tij është në vlerësimin e dhuratës si mallkim. Vargjet Që fëmijë e kisha kuptuar se kisha lindur i mallkuar me art, përveç thelbit të letraritetit, të të parit të gjërave ndryshe, nëpërmjet tjetërsimit dhe figurativitetit të gjuhës, poezia është më tepër se kaq; ajo është edhe mallkim, sepse është gëzim dhe dhimbje njëherësh; këtë e thotë nënteksti i vargut: qante mbi mua nëna, shënmëria ime… Pse qante kjo nënë? Padyshim një nënë qan prej dhimbjes, për pjellën e saj; vetëm ajo di të lexojë birin e vet edhe pa folur nëpërmjet valencave ritmike të gjakut.

Poezia, arti, në vetvete, është edhe mallkim, por për një njeri që i vuan dhimbjet e artit e të fjalës, jo vetëm shpirtërisht, por edhe fizikisht, kjo është më tepër se një dramë tragjike, është mallkim, ndaj ai shfren: Mos e pastë njeri këtë fat! Duke e ndërlidhur fatin me krijimin, nuk mund të linte jashtë kësaj simbioze edhe konceptin mbi artin, poezinë, pra, ajo është dhimbje, vuajtje, në kërkim të së vërtetës. Shohim këtu një lodhje e dërmim shpirtëror të poetit.

Nuk duhet të harrojmë se Rreshpja këtë mallkim e vuajti dyfish dhe ne, megjithë respektin dhe logjikën teorike të “vdekjes së autorit” të Roland Bartit, nuk mund ta ndajmë unin e tij nga uni poetik. Këtu do të thërrasim në ndihmë arsyetimin logjik të H. Bloom-it: (…) … në fakt, kemi një rast të mirë për të paralajmëruar lexuesin të ketë kujdes nga dogma e padobishme letrare sipas të cilave, “unë” veta e parë njëjës në poezi është gjithmonë një maskë, ose një tjetër person, por jo një njeri.

“Unë” – te sonetet shekspiriane është aktori dhe dramaturgu Uilliam Shekspir, krijuesi i Falstafit, Hamletit, Rosalindës, Jagos dhe Kleopatrës. … Shekspiri e mjegullon dhe e përthyen vetveten në nuanca, por sido që të jetë, ai s’mund të krijojë një vetvete krejt tjetër. Por arti nuk është një fat i ndarë metafizik, ai është eterik, po aq sa fizik, sepse vjen i sendërtuar me ëndrra, bukuri, dashuri, rini, dhimbje, ikje, ardhje, pritje, plagë, jetë, vdekje; dhe mallkimi e shoqëron gjithë jetën.

Ka një parandjenjë të hidhur në strofën e tretë, por që më shumë se parandjenjë, është një e vërtetë universale, sepse përveç që ai është i vetëdijshëm, që ky mallkim do ta ndjekë tërë jetën, kjo do t’i ndodhë edhe pas vdekjes dhe në këtë rast edhe në qofsh studiuesi më gjakftohtë nuk ka si mund të mos të dridhet pena, kur ndjen se bëhesh pjesë e këtij mallkimi të poetit, dhe aq më tepër tanimë që ai ka vdekur.

Ai është i ndërgjegjshëm për marrëdhënien me kritikën dhe hyn te ata poetë që kanë bërë art, jo se donte të bënte art, por se e kishte prej mallkimit, por edhe të nevojshme dhe vetë jeta e tij është provë e gjallë e gjithë kësaj; një njeri që e nxirrte poezinë prej vetes dhe pastaj e linte udhëve. Ja një dokumentim i këtij pohimi nga shkrimtari Shpëtim Kelmendi, i cili është dëshmitar i gjallë i kohëve të fundit të jetës së tij: (…) Kur e pyes nëse ka shkruar ndonjë gjë të re, më përgjigjet se ka shkruar vazhdimisht, por meqë është përherë në lëvizje, mjaft prej poezive i humbasin. Këtë e thotë pa dhimbje. Për të e rëndësishme është që i ka shkruar, pra ia ka shlyer borxhin vetes, të tjerat nuk kanë rëndësi. Por, thotë ai, kur të vdes ëndërroj të harrohem, se nuk dua që edhe pas vdekjes/të më ndjekë mallkimi i artit.

Siç e shohim, ai s’e ndan poezinë nga konturet e autorit; ajo kthehet në një qenie poetike në sajë të marrëdhënieve dhe bashkëveprimit, të objektivimit të subjektives. Ka një identifikim të poetit me natyrën; poezia për të është pjesë e natyrës, si dhe e kundërta, ajo është në simbiozë me jetën. Sipas N. Frait (…) Në nivelin e pikërishëm kryetipor, ku poezia është një mjeshtëri e civilizimit njerëzor, natyra është përmbajtëse e njeriut. Në nivelin analogjik, njeriu është përmbajtës i natyrës dhe qytetet dhe kopshtet e tij nuk janë më boshllëqe në sipërfaqen e tokës, por forma të gjithësisë njerëzore.

Ideja, sipas nesh, është që poezia do të jetojë te ata që duan jetën, poezinë, natyrën; dhe nëpërmjet këtyre shndërrimeve apo subjektivimeve të ndërsjellta ai shfaqet si një biofil i pastër, me një lloj panteizmi; E theksojmë se ai vë një shenjë barazimi midis poezisë, artit dhe unit poetik, që shndërrohet në një qenie poetike dhe kjo qenie poetike nuk vdes; ajo jeton në lëvizjen e jetës, të natyrës, sepse ky është fati i tij, dhuratë prej zotash. Tani e tutje shirat do të jenë lotët e mi./Mos e pastë njeri këtë fat! Po në këtë hulli procedimi e konkludimi poetik arrin edhe në poezinë Sidoqoftë.

Ka një aludim në të për fatin e shkruar, jo vetëm të tijin, por për fatin e qenies njerëzore në përgjithësi. Vargu, me të cilin nis poezia: Sidoqoftë ky mëngjes do të më vdesë në duar, është interesant, në mënyrën se si mendimi poetik ngrihet mbi ndajfoljen Sidoqoftë. Koncepti është ndërtuar mbi një alogjikë arsyetimi: njerëzit do të shpikin një mëngjes, është nën një këndvështrim filozofik idealist të qenies, ndërsa në vargun tjetër, këndvështrimi i përmbysur është metafizik dhe i drejtohet transhedentales.

Kështu, së fundi, besojmë se ne, sa po i cekim shtresat e pasura, vlerat artistike të kësaj vepre poetike që udhëtoi së bashku me fatin e tij të “keq”, “të mallkuar me art”, por me fatin tonë të madh që kemi pasur një poet të tillë në letrat shqipe. Jemi të bindur, se të tjerë do të vijnë e do të bëjnë shumë e më shumë në këtë hulli që ne mendojmë se po hapim me këtë punim …

ObserverKult

Riza Braholli
Riza Braholli Mborja

Lexo edhe:

NË 84 VJETORIN E LINDJES JU SJELLIM NJË BUQETË POEZISH NGA FREDERIK RRESHPJA: KISHA LINDUR I MALLKUAR ME ART!