Bashkia e Vjenës ka nderuar me titullin “Ambasadorë të Paqes” një sërë personalitetesh nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia e Veriut.
Njëri nga personalitetet e nderuar me këtë titull është famullitari nga Shkodra Don Vlash Palaj për kontributin e tij si një nga përfaqësuesit më të lartë të klerit në Shkodër, për punën e tij në famulli dhe mesazhet që përcjell në shërbim të shoqërisë.
Edhe ish-kryetarja e qarkut të Shkodrës Greta Bardeli, pedagoge dhe politikane është nderuar me këtë titull për kontributin e saj në jetën politike dhe sociale.
Titullin ambasadore e paqes e ka marrë edhe Arjeta Kokalari, nga Bashkia e Vjenës, së bashku edhe me personalitetet e tjera si: Vlora Ademi, Xhenc Bezhi dhe Hazir Mehmeti nga Kosova, dhe Dijana Toska e Abidin Krasniqi, shqiptarë nga Maqedonia e Veriut.
Lajmi u bë i ditur nga poeti dhe veprimtari, Gjergj Jozef Kola, i cili u shpreh në profilin e tij në Facebook se ndjehet i lumtur të pres në Vjenë, miqtë e nderuar nga fusha të ndryshme të jetës shqiptare për t’i nderuar me titullin e lartë e mjaft motivues, “Ambasador të Paqes”.
“Kurrë mos pushoni për të sakrifikuar për paqen dhe prosperitetin, për të bërë gjëra të vogla me dashuri të madhe, siç thotë Nënë Tereza”, shprehet Kola./ ObserverKult