Tregim nga Albri Brahusha: Tezgjahu

tezgjahu tregim nga albri brahusha

Tezgjahu, tregim nga Albri Brahusha


Uliksi nji natë pa Penelopën në andërr. Ajo po endte në tezgjah nji potret. Ishte fytyra e babës së tij. Befas tezgjahu u shndërrue në kalë dhe bashkë me të jatin nisi me ritëm të largohej nga shpia. Nji kalë druni që rendte me ritmin e tezgjahut.

I tha: “Bir fute këtë kalë druni në Trojë dhe kthehu në shpi se miqtë po të tradhëtojnë.”

Uliksit i doli gjumi. I trembun në djersë s’dinte çka me mendue ma parë. A mos vdekjen e të jatit, tradhëtinë e miqve apo tezgjahun-kalë që duhej ta fuste në Trojë. Ai shpejt ua tregoi shokëve të luftës planin e nji kali druni si dhuratë për trojanët dhe dredhia u thur.

Uliksi e pa kalin tek hynte në portat e Trojës. Dhurata u pranue, trojanët e lanë në oborr, ndërsa vena derdhej lum. Pinë e festuen gjithë natën, e ata mbrenda kalit duhej me pritë, që ky qytet të festonte për herë të fundit siç i ka hije. Uliksi atë çast mendoi Penelopën. Dhjetë vjet nuk janë pak, ajo asht besnike, por koha asht si akulli, hyn në mes dhe të ngrin.

Shokët e tij e kishin mendjen te sulmi dhe në ankth merrnin frymë si gjarpni që pret nën shkamb. Dhjetë vjet luftë dhe duhej që fitoren këtyne burrave trima me ua vjedhë natën fshehun në barkun e nji kali prej druni. Por Penelopa prapë iu kujtue, ia ba se portreti i saj po vajtonte.

A thue mendon se unë jam vra në luftë? Pse qan grueja ime besnike? Nji mendim ia përshkoi mendjen. Mos ndoshta ashtu si ky kalë prej drunit këtu, edhe atje në votrën time dikush po hedh krypë në zjarr?


Ma në fund trojanët i dhanë fund festës. Uliksi nuk ndjeu asfarë gëzimi. Shokët nisën me marrë frymë lirshëm, ishte çasti me zbritë poshtë, e me i hapë dyert kasaphanës. Lëshuen litarin dhe zbritën nji nga nji. U nisën nga porta, dhe e hapën.

Ushtria akease hyni në qytet dhe nisi thertoren. Uliksi doli jashtë. Nuk mundej me i ndi gjamët e trojanëve që ende në gjumë e të dehun ulërinin burrat e virrshin gra e fëmijë, e gjitha kjo u dukej si nji andërr. Hyni në tendën e tij dhe vuni duer mbi veshë. Ndërkohë hija e Penelopës i doli para tuj endë në tezgjah. Ritmi i tezgjahut sall si trokëllima e kalit prej druni, end fatin e njeriut, jetën, dashninë, tradhëtinë, luftën dhe vdekjen.

Mija trojanë trima sonte u therën prej hijeve të shpatave, si fije shpirtnat e tyne u endën në tezgjahun e vdekjes. Penelopa i buzëqeshi në dritëhije, por ai s’mundej me ia kthye, epse e dinte se ai tezgjah sonte po endte fitoren e tyne, por nesër askush nuk e din çka ka me endë.

E lutën për plaçkë lufte por ai refuzoi, mendoi: pak se i rrejta, tash s’kam fytyrë edhe me i vjedhë! Doli jashtë dhe i hodhi nji sy detit. Dallgët plaseshin rreptë mbi breg. Prapë në veshë iu kthye ritmi i tezgjahut që dukej se po endte edhe detin.

Hija e Helenës iu shfaq mbi det dhe i tha: “Kthimin do ta paguesh me kohën e luftës, tezgjahu i detit ka me ta plakë fytyrën e askush nuk ka me të njoftë.”

I mbylli veshët me shtupa. Por kot, troku i tezgjahut nuk ndalej. Befas nji za nga qielli i tha: “Trim asht ai që e din fatin dhe i qëndron atij besnik.”

Atë çast troku i tezgjahut u shue, dhe dallgët e detit u zbutën. Nuk kishte ma kohë anija duhej ba gati për kthim.


Shkodër, mars 2022

ObserverKult

Lexo edhe:

ALBRI BRAHUSHA: ASKUJT TJETËR