Thaçi ia mori objektin, Ministria e Kulturës tash do të paguajë 41 mijë euro në muaj për qira

Presidenca, nga objekti ku ndodhet aktualisht, do të zhvendoset në ndërtesën e ish- Komitetit, ku janë Ministria e Kulturës dhe ajo e Bujqësisë.

Ministria e Kulturës do të zhvendoset në një objekt privat, ku do të paguajë 41 mijë euro qira në muaj, raporton KTV.

“Ne, në bashkëpunim dhe me sugjerim të Ministrisë së Administratës Publike, me anë të një komisioni të kryesuar po nga MAP-ja, kemi arritur marrëveshje për vendosje në një objekt afarist në pronësi private, dhe lokacioni i të cilit gjendet në Prishtinë, te ndërtesa ish-Ramiz Sadiku, ndërsa kosto mujore do të jetë 41,000.00 Euro. MKRS-ja do të bartet atje me anë të një operatori të kontraktuar nga MAP-ja për rialokim apo ri-vendosje”, ka thënë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Por ndryshe deklarojnë në Ministrinë e Administratës Publike, duke theksuar se meqë nuk ka objekte shtetërore, ministrive u takon vetë të bëjnë zgjidhje për akomodim.

Kundër zhvendosjes në një objekt tjetër, janë deklaruar punëtorët e Ministrisë së Kulturës, të cilët kanë protestuar këtë të martë.

Ata kanë thënë se vendimi për zhvendosje do ta dëmtojë buxhetin e shtetit dhe për këtë kanë paralajmëruar protesta tjera ditëve në vazhdim.