Festë poetike në Gjakovë/ Mbahet Mitingu i Poezisë, ja cilët janë fituesit!

libri

Në Gjakovë, me organizim të Klubit Letrar “Gjon Nikollë Kazazi”, është përmbyllur edicioni i 59 – të, i Mitingut të Poezisë, manifestim letrar ky më i madhi dhe më i njohuri në hapësirën mbarëkombëtare.
Dikur – para luftës së fundit në Kosovë, ky festival i poezisë kishte edhe karakter ndërkombëtar, me pjesëmarrjen e poetëve të shumtë nga mbarë bota!

Shkruan: Blerim Valla

Ngjarja kryesore e këtij edicioni ishte prezantimi i “Antologjisë shqip – greqisht i poetëve të Gjakovës” përgatitur nga shkrimtari e përkthyesi Iljaz Bobaj, e ku janë prezantuar 23 poetë bashkëkohorë gjakovarë. Disa nga poezitë e kësaj antologjie përpara publikut i deklamuan aktoret e Teatrit “Hadi Shehu” të Gjakovës – Vlera Pylla dhe Yllka Lota.

Ndërsa në orën e madhe të mitingut, poezitë e tyre i lexuan 15 poetë/ poetesha nga të gjitha trevat shqiptare. Kurse i ftuari special ishte poeti i njohur Agim Gjakova.
Në fund të këtij festivali poetik juria e klubit letrar “Gj. N. Kazazi” ndau këto çmime:
Çmimin “Din Mehmeti” për librin më të mirë të këtij mitingu, iu nda poetit të njohur Halil Matoshi për librin “The Lil’s Poem”, botuar nga Shtëpia Botuese Littera.
Çmimi “Ali Podrimja” për poezinë më të mirë të lexuar në këtë edicion të 59 të, i takoi poetit Bekim Kelmendi për poezinë “Ëndërrime”.
Çmimi “Yllka Domi” për poeteshën më të mirë debutante, i takoi poeteshës së re shumë të talentuar, Fjolla Muhahaxhiri- Agusholli.
Dhe Çmimi Ndërkombëtar “Nëna Terezë” që i ndahet poetit më të mirë të huaj që merr pjesë në mitingun e poezisë në Gjakovë, iu ndau poetit amerikan Bill Wollak.
Ndërkaq krejt në fund kryetari i Klubit Letrar “Gjon Nikollë Kazazi” të Gjakovës, Muharrem Kurti, një mirënjohje, iu është akorduar nga Shoqata e Shqiptarëve të Patras ” Emigranti” dhe Shkolla Shqipe ” Naim Frashëri” Patra në Greqi.
Mirënjohja iu nda nga kryetarja Kristiana Veliu dhe Iliaz Bobaj drejtor i shkollës shqipe në Patra të Greqisë.

ObserverKult