“The Spark” (Shkëndija) është filmi i parë shqiptaro-amerikan që hap dyert e kinemasë në Salem, Massachusetts në datat 11, 12, 13 janar 2022. Filmi i hap dyert jo vetëm për artdashësit shqiptarë të filmit, por edhe për audiencën amerikane.
Ky film me regji të Erand Sojlit, i cili është gjithashtu bashkëskenarist me Aldo Todën, sjell në ekran një temë të guximshme dhe plot kurajo. Një film për heroin, për njeriun idealist. Për shoqërinë globale materialiste e larg vlerave, për të mirën dhe të keqen, për shpresën tek drejtësia.
“The Spark” (Shkëndija) tingëllon njësoj si S.P.A.K (Struktura e Posaçme Antikorrupsion). E cila u promovua si një shkëndijë shprese për drejtësinë shqiptare të nëpërkëmbur dhe të prerë në besë nga të zgjedhurit e popullit, politikanët.
Filmi tregon çka ka ndodhur në Shqipërinë e 10 viteve të fundit. Është e përcjellë me stil të veçantë, saqë i ngjan dokumentarit: Histori babalesh, koncensionesh, pengjesh, që drejtohen nga politikanë, të cilët edhe pse nuk i shohim në film, e ndiejmë se ata janë aty gjatë gjithë kohës. Histori paralele të thëna në një gjuhë mjeshtërore nëpërmjet detajeve që trondisin. Të thëna thjeshtë, falë një skenari të arrirë, që sidoqoftë mbetet një fiksion i autorëve.
Një ide e veçantë si të gjitha idetë e Erand Sojlit, i cili bën bashkë aktorët shqiptarë të Shteteve të Bashkuara dhe aktorë amerikanë. Përveç idesë artistike, ai ka meritën e ‘zgjimit’ të aktorëve shqiptarë të diasporës në SHBA. Me emra si Astrit Çerma, Jul Nënshati, aktorë që lanë gjurmë në kinematografinë shqiptare para viteve ’90. Ata bashkohen edhe më të rinjtë e pasviteve ’90, Rina Narazani Sojli, aktore e veçantë e teatrit shqiptar, plot 20 role të suksesshme në karrierë, Erjeta Cufaj, Ervis Dhima, etj. Pastaj aktorët e mirënjohur amerikanë Jason Reulet, Paskuale de Gregorio. Kompozitor i filmit është Kostika Çerma. Ndërsa janë angazhuar në këtë film edhe aktorët joprofesionistë në role dytësore, qëmtuar me kujdes nga Sojli si: Keti Jani, Adelajda Bena, Holger Ademi, Greta Sojli, etj.
“The Spark”, ky film dhe kjo ‘shkëndijë’ e heroit kryesor të filmit do të shfaqet në kinematë amerikane, për shqiptaro-amerikanët të cilët pritet ta duartrokasin. Jo aq për ngjarjet që shtjellohen në film, por për modelin e heroit që regjisori dhe producenti Erand Solji ka krijuar. Në asnjë nga filmat shqiptarë të këtyre 30 viteve nuk gjejmë një hero që fiton mbi të keqen. Besoj se ky model heroi e ka një shtysë frymëzimi për autorët. Kjo është ndikuar ndoshta nga mentaliteti heroik amerikan, si dhe mënyra evropiane e të përcjellit në publik.
Mesazhi që përcjell filmi është i jashtëzakonshëm dhe shpresëdhënës. Fatet e të fortëve varen nga njerëz të thjeshtë, por idealistë që nuk frikësohen përballë parasë./ATSH
ObserverKult
_ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _
Lexo edhe:
RRËFIMI I REGJISORES FRANCESCA OLIVIERI E CILA BËRI FILMIN E PARË SHQIP PËR “NETFLIX”