Ani pse kohë pandemie, “The Van” i Erenik Beqirit ka vazhduar rrugëtimin nëpër festivale. Mbrëmjen e së martës u dha premiera online. U shfaq në “YouTube”, në kuadër të edicionit të parë të festivalit online “We Are One”. Historia e Benit (Phénix Brossard), që i duhet të ndeshet me njerëz brenda një furgoni në mënyrë që të ketë një mundësi për t’u larguar nga Shqipëria, e plotëson mozaikun e më shumë se 100 filmave që janë bërë pjesë e këtij edicioni që u organizua, pasi që festivale të shumta të filmit u shtynë ose u anuluan për shkak të pandemisë. Sipas regjisorit dhe skenaristit të filmit Erenik Beqiri, festivali dhjetëditësh, që nisi më 29 maj, është i veçantë për faktin se ka bërë bashkë festivalet më të mëdha në botë. Festivali global i filmit “We Are One” që zgjat deri më 7 qershor, për këtë edicion u bë dritare e 21 festivaleve më të mëdha, në mesin e të cilëve ai i Berlinit, Cannes, Sundance, Toronto, Tribeca dhe i Venecias. Sipas Beqirit, shfaqja e filmave online mundëson që të njëjtët të shihen nga një audiencë me e madhe.
“Në fund të ditës filmat realizohen që të ndahen me të tjerët dhe jo për t’u mbajtur të mbyllur”, ka thënë Beqiri për ‘Kohën’
“The Van”, i cili në maj të vitit të kaluar u bë filmi i parë shqiptar në garë për “Palmën e Artë” në Cannes, u shfaq në orën 20:30 në kanalin e Festivalit në (YouTube.com/WeAreOne) dhe pas shfaqjes është larguar prej aty. Kështu po veprohet me të gjithë filmat e bisedat që po shfaqen. Edicioni i parë ka sjellë 13 premiera botërore e 31 premiera online, përfshirë edhe atë të “The Van”. Është një diversitet temash, regjisorësh e stilesh, pasi që programi është kuruar në bashkëpunim me festivalet pjesëmarrëse. Filmi i Beqirit është në mesin e filmave të dërguar nga Festivali i Filmit në Cannes, ku edhe pati premierën botërore.
Regjisori Erenik Beqiri nëpërmjet “The Van” (Furgoni) sjell Shqipërinë e viteve ’90, kur të gjithë ia mësyjnë të ikin. Me aktorin francez Phénix Brossard dhe aktorët nga Kosova, Arben Bajraktaraj e Afrim Muçaj, në rolet kryesore, shpalos rrëfimin e një djali rreth të 20-ve i cili ka si qëllim të emigrojë jashtë vendit.
“Furgoni ndalet, dyert hapen dhe Beni del jashtë i gjallë. Edhe disa gara në rrahje dhe ai do të mund të largohet nga Shqipëria. Ende e mban shpresa që babai i tij do të largohet me të”, është përshkrimi i filmit 15-minutësh. “The Van” është një prodhim shqiptaro-francez, i realizuar me fonde franceze.
Regjisori Beqiri, i cili ka diplomuar për regji në Akademinë e Arteve në Tiranë, ka thënë se ndihet i nderuar që filmi i tij është në mesin e filmave të dërguar nga Festivali i Filmit në Cannes, për “We Are One”.
“Deri më tani festivali ka tërhequr goxha vëmendjen e shikuesve. Ky festival thyen barrierat e zakonshme të festivaleve, duke e shfaqur filmin falas për gjithë botën. Për mua është e rëndësishme që filmi të jetë i arritshëm edhe për ata që nuk kanë pasur mundësinë ta shikojnë”, ka thënë ai. Sipas Beqirit, pandemia dhe situata e krijuar për shkak të saj kanë kapur njerëzit të papërgatitur dhe kanë treguar limitet dhe fuqitë e tyre.