Thimi Mitko, ai që shkroi për Skënderbeun dhe kundër tezave për prejardhjen e tij sllave

U përkujtua në 134-vjetorin e vdekjes, Efthimi Mitko, i njohur më së shumti si Thimi Mitko.

Thimo Mitko ka lindur në vitin 1820  ndërsa ka ndërruar jetë më 22 mars të vitit 1890, nga tumori në laring. Mitko ka qenë veprimtar i çështjes kombëtare, folklorist e publicist shqiptar.

Mitko ishte fëmija i parë nga shtatë sa kishte Kostë Mitko. Mësimet e para i mori në shkollën greke të qytetit të lindjes. Xhaxhai i tij, Peti Mitko kishte qenë një ndër krerët e kryengritjes së vitit 1847 kundër Tanzimatit.

Të dy e lanë atdheun në vitin 1850, duke vajtur së pari në Athinë, më pas në Plovdiv, dhe së fundi në Vjenë, ku Thimi ushtroi zanatin e tij të terziut (rrobaqepësit).

Në Vjenë nisën edhe sprovat e tij të para për mbledhjen e folklorit si dhe nisi korrespodencë me De Radën, Kamardën, etj. Në vitin 1865 u vendos në Egjipt, ku iu përkushtua lëvizjes kombëtare dhe ngritjes së një biznesi të suksesshëm tregtie pambuku.

Ai ndihmoi financiarisht botimet në gjuhën shqipe si dhe ishte themelues i shoqërisë së parë shqiptare në Egjipt, të quajtur “Vëllazëria e shqiptarëve”.

Qëndrimet e tij mësohen nga ç’ka mbetur prej letërkëmbimeve me Anastas Bykun, Thimi Thoma Krejin, De Radën, Dora d’Istrian, Kristoforidhin, Abdyl Frashërin, Orhan Pojanin, Visar Dodanin, Nikolla Naçon, Thimi Markon, Panajot Kupitorin, Kamardën dhe Françesko Krispin, etj.

Kishte letërkëmbim po ashtu me gjuhëtarët Gustav Meyer dhe Urban Jarnik. Po ashtu bashkëpunoi me Anastas Kulluriotin në botimin e gazetës ‘I foni tis albanias’  (“Zëri i Shqipërisë”), Athinë 1879-1880; si dhe me Flamurin e Arbërit të De Radës.

Në vitin 1878 botoi përmbledhjen Alvaniki Melissa dhe ka lënë në dorëshkrim tre fjalorë, greqisht-shqip, shqip-greqisht dhe italisht-greqisht-shqip.

Shkroi për Skënderbeun kundër tezave për prejardhjen e tij sllave, përktheu i pari fabulat e Ezopit në shqip dhe ka lënë përshkrime për Korçën, jetën shoqërore, zanatet , bujqësinë, blegtorinë dhe për emrat e mbiemrat shqiptarë.

ObserverKult


martin camaj deshta
Martin Camaj

Lexo edhe:

MARTIN CAMAJ: KAM SHIKIMIN TAND NË SHPIRT

Kam shikimin tand në shpirt
dhe melodinë e pavdekshme
të gjakut në pasion.
Freskia mëngjesore
dhe bari i lagun fryjnë
zemrën time të zgjueme
nga prania jote në të.

Kam shikimin tand në shpirt.

Filli i zanit tand
depërton gjymtyrët e mija
dhe trajtat tua rrijnë
të pashlyeme
në bebzat e syve të mij,

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult