Thoma Thomai, skulptori  i  “Skënderbeut” të  Shkupit

        

Nga libri-album i studiuesit të fotografisë Qerim Vrioni “Miq në 50 foto”, ku imazhet janë shoqëruar me përshkrimet e çasteve të fotografimit dhe jetëshkrimit të personazheve të përzgjedhura nga bota e artit dhe kulturës, kemi zgjedhur për ju, prezentimin që z. Vrioni ia ka bërë skulptorit Thoma Thomai.

Ju ftojmë ta lexoni historinë e fotografisë:

Po, do vij-më tha në telefon atë ditë maji 2005 skulptori Thoma (Dhamo) Thomai (Kolonjë, 1936), kur e ftova në përurimin e librit tim të parë “Fotografia një grusht diell”-ia vlen se është libri i parë te ne mbi fotografinë. Ashtu edhe bëri, erdhi.

Nga Qerim Vrioni

Ai ka kryer Liceun Artistik në vitin 1954 për skulpturë me mësues figura të tilla të kulturës shqiptare si Odise Paskali dhe Janaq Paço. Më vonë filloi studimet në Pragë (Çekosllovaki) për skulpturë të zbatuar, të cilën e mbaroi me sukses në 1961. Me t’u kthyer në atdhe drejtoi prodhimet artistike prej qeramike, për vend dhe eksport. Ndërkohë krijoi edhe në fushën e skulpturës duke marrë pjesë me punime të tij në ekspozita kombëtare dhe ndërkombëtare si Bienalen e Mesdheut në Aleksandri (Egjipt), Arti Bashkëkohor Shqiptar në Francë, Arti Shqiptar në Romë, Bienale Euroaziatike në Ankara etj.

Pas viteve ’90, Thoma Thomai ndihmoi ndjeshëm në hapjen e Univrsitetit Polis, ku u emërua edhe si rektori i parë dhe ndikoi në artet pamore dhe bashkëkohore. Ndër veprat më të njohura të Thomait përmendim: “Fan Noli” (Tiranë), “Skënderbeu” në Shkup, “Memoriali i Martirëve” në Kërçovë, “Nënë Tereza” në Aeroportin e Rinasit, bazoreliefi “Familja e re” (me bashkautor Kristaq Ramën, 1998), ky i fundit, ndoshta i pari me figura nudo në vend publik pas L2B  në Shqipëri. Shenojme gjithashtu një Shtatore të “Nënë Terezës” (2016) në parkun e Katedrales Sa Sebastian në Rio de Janeiro (Brazil).

Ai vazhdon e sot e gjithë ditës të punojë në studio me baltë dhe allçi për qejf të vet dhe me porosi të ndryshme (kryesisht shtetërore) për vepra publike. Gjithsesi ai edhe e ndërpret punën kur e thërrasin miqtë për kafe, të cilën e konsumojnë afër studios për të mos u shkëputur shumë nga atmosfera e krijimtarisë.

Kështu ndodhi edhe atë ditë, një ndërpreje e shkurtër e bisedës e futi në mendime e shikimi i tij u tretë largë, ndoshta ai imagjinoi diçka që duhej ndryshuar në punimin që kishte nër duar…

Bash në një nga ato çaste e fotografova.

Ishte korrik 2015. 

ObserverKult

==============

Lexo edhe:

QERIM VRIONI: KUR PIKTURON SKËNDER KAMBERI