Ekspozita “Thyer” është çelur këto ditë në galerinë e Fakultetit të Arteve Pamore të Tiranës. Ideatorja Taulanta Jupi përmes fotografive bardhezi sjell dhimbjen e grave, që çdo ditë bien viktima të dhunës në familje
“Jeta e tyre u thye, shpirti i tyre u thye, ëndrrat e tyre u thyen”, nën këtë mbishkrim regjisorja Taulanta Jupi me studentët e arteve; Egli Tako, Elios Shuli; Sindi Mila; Erina Lazi; Xhoana Karaj dhe Orestia Stefani kanë çelur si një rekuiem për humbjen e grave, nënave edhe vajzave gjatë këtij viti, ekspozitën “Thyer”. E çelur në galerinë e Fakultetit të Arteve Pamore, e kuruar nga Petraq Papa edhe e ilustruar me fotografi në bardhezi nga Ergys Zhabjaku ekspozita sjell dhimbjen dhe frikën e qindra grave që jetojnë çdo ditë nën dhunë.
“Viti 2020 ka qenë i mbrapshtë për jetët e viktimave gra në familje. Patëm gjashtë jetë të humbura në dy muajt e parë të vitit, ndërsa për më pas nuk kemi më statistika çka ndodh. Ëndrrat e tyre janë thyer, sepse ishin gra edhe vajza që sot nuk jetojnë më. Prandaj kjo ekspozitë është për të thyer heshtjen që rrethon dhunën në familje, por edhe për t’u dhënë një mesazh grave që të mos heshtin”, tregon Jupi.
Jupi mendon se ka ardhur koha, që të gjithë së bashku të bëjmë ndryshime konkrete sot, që fëmijët të mos vuajnë pasojat e kësaj dhune nesër
“Mendoj se arti është i pari që mund të bëjë një lloj ndryshmi. Por, duke qenë nënë vet e kuptoj përjetimin e një fëmije që i është vrarë nëna. Një anë është që të mendojmë se si të mbrojmë gratë, por ana tjetër është të mendojmë edhe për fëmijët që ato lënë pas. Nëse kemi prekur nënën, kemi prekur të gjithë familjen”, përfundon Jupi.
Ekspozita “Thyer” vazhdon që të qëndrojë çelur deri në datë 7 dhjetor në galerinë e Fakultetit të Arteve Pamore.