Ti duhet të festosh si të tjerët, pa çka se nuk ke arsye…

Nga këndi i Vardit

Shkruan: Fatmir Sulejmani

Iku dhe ky vit. Po e then qafën me litarët nëpër këmbë, duke lënë pas shijen e mortit dhe udhëkryqet e pikëpyetjeve tua të vjetra.
Ai po ik dhe ti duhet të festosh si të tjerët, pa çka se nuk ke arsye, nuk ke me kë, nuk ke me se.
Lëre mëdyshjen, pashë Atë që lëviz mjegullat! Bën sikur dhe festo.
Të shkuara dhembjet, frika, makthet…! Ëndërro ditë të bardha. Merre sikur dhe shpreso.
Shpreso dhe mos kërko shkas me tamam për t’u ndjerë i lumtur në botën e padrejtë, ana më e katrantë e së cilës është fati yt.
E kuptoj: nuk e ke kollaj, ama e di gjithashtu se askush nuk do ta ngryste jetën më bindshëm se ti dhe askë nuk do ta shpërfityronte ajo më dhembshëm se ty.
A i dëgjon krismat, rafalet, detonimet? A i sheh xixat farfuritëse si stolisin qiellin? Është mesnatë, prandaj. Erdhi viti i ri. Haj, gëzuar!
Bota bën qejf, Varfi! Fyti, lukthi, zorra e trashë… Lum si ata që i kanë punët për të gëzuar dhe sofrat plot!
Duro! Vetëm edhe pak, sa të harxhohen fishekzjarret, sa të qetësohet shkallëshkallshëm dynjaja, sa të lindë dielli. Ndoshta edhe për ty.
Ti e di se ata do të lodhen feste dhe ditën e parë të vitit do ta bëjnë gjum. Do ta bëje dhe ti njësoj, po ta kishe atë fat. Pranoje! Prandaj mos u hidhëro që kontejnerët do të jenë të shprazur deri vonë pasdite, kur të zgjohet fisnikëria fisnore për t’u bërë gati për natën e dytë të festës.
Durim, pra! Mbaje veten burrë se nuk kris kijameti nëse rri pa ngrënë vetëm edhe disa orë. Ja, sa të pastrohen shtëpitë prej qeseve të zeza me bukën tënde të përditshme, me fatin tënd të zi përbrenda.
Tani unë po shkoj, Varfi. Jam i lodhur gërdishë, beso. Dhe, si të thashë: hiq mos ta nijë! Dita e re, nafaka e re! Veç kujdes kur të kalosh udhët e kur t’u turresh kontejnerëve. Kadillakët e hajdutëve të katudit të madh shkojnë hëzli dhe, mos e dhashtë Zoti!, e prishin me fund festën tënde.
Haj, gëzuar!
FS

ObserverKult