“Ti grua e huaj…që të njihja çdo milimetër dikur”, buqetë me poezi nga Amarildo Pregapuca

amarildo pregapuca

Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur me poezi nga Amarildo Pregapuca.

A E KENI TAKUAR ATË GRUA?

E keni takuar ate grua?
Ju ka rastisur?
Atë që asgjë nga ju s’kërkoi,
As nga vinit, as ku do të shkonit
dhe as vello të bardhë!
E keni takuar atë grua?

E keni takuar atë grua?
Që gjë si premtuat kurrë?
Atë që gojën ju mbyllte me një puthje…
Sa herë menduar donit t’i thonit një fjalë?
E keni takuar atë grua?

E keni takuar atë grua?
Atë që plane nuk thurrët bashkë?
As u betuat, a përbetuat,
As “Të dua” a “Përgjithmone” thatë.
Por thjesht e jetuat.
E keni takuar atë grua..?

E keni takuar atë grua…
të çuditçme, të frikshme…
Atë që mbi zotin, të vuri ty?
Atë me të cilën u futët nëpër labirinte…
Që s’di t’i shprehesh dhe s’ke se si?
A e keni takuar atë grua?

A e keni takuar atë grua?
Atë qe qeshte si fëmi?
Atë të turpshmen dhe të paturpshmen grua,
Atë grua perendi.
A e keni takuar atë grua?

E keni takuar atë grua?
Atë që shpirtin la tek ti!
Atë që aq e vështirë është për të të shkruash,
Dhe aq e thjesht ta ndjesh, siç ndjen një melodi!
E keni takuar atë grua?
Është aty diku…e maskuar, si një e zakonshme grua!

ISHE E BUKUR, SI DIKUR…

Sot të pashë…
Ishe ashtu e bukur, si dikur…
Ose ashtu si dikur e bukur, m’u duke mua…
S’të fola…
Ashtu si dikur…të ikje, të lashë..

Dhe ashtu, si dikur, me sy ndoqa…
Flokët, supet, hapat…dhe siluetën tek zhdukej…

U ndjeva i lodhur…ashtu si dikur…
E di…?
E çuditçme…nuk ndjeva mall…
As ti besoj!
Ndoshta ngaqë s’lamë asgjë më parë…
Asgjë që vlente…për të marrë…

Dhe të urova fat…ashtu si dikur…
Por fat pa emër…
Dhe për çdo femër…
S’e di pse si etalon, u bëre ti..

Sot të pashë…
Tek hapat hidhje mbi trotuar…
Ishe ashtu e bukur si dikur…
Ti grua e huaj…që të njihja çdo milimetër…
Po…çdo milimetër të ndieja dikur…

TË HUAJ…

Qytet i huaj,
Më kot përpiqem të gjej diçka nga vetja te ti.
Asgjë…
Përveç një ftohtësie të pranueshme
Për dy të huaj që nuk bashkohen dot askund, asnjëherë,
në asnjë jetë.
Ose ndoshta takohen,
Por si dy njerëz,
Që i kanë dhënë njëri-tjetrit distancën e nevojshme,
Për të mos ndjerë kurrë mall.
Një lloj dashurie konceptuale kjo
Mes qenieve racionale
Për të lënë të paktën respektin.

DO TË TELEFONOJ…

Do ta gjej numrin e telefonit tënd,
Nesër…
Dhe nga dreka, apo ndoshta, darka
Do të telefonoj.
E kam vendosur, që dje…

Duhet,
Është e nevojshme, mendoj…

Njeriu në heshtje,
Krijon figura të çuditshme,
Ekzagjeron çaste, momente…
Më kupton?
Po thoja që i zbukuron ato,
Aq sa nganjëherë i marrin frymën!

Ndaj nesër,
Nga dreka apo darka,
Do të telefonoj, me patjetër…

E kam të ndërtuar edhe bisedën,
Të thjeshtë, natyrisht.
Pra, të zakonshmet:
“Si je, si ke kaluar, të gjithë mirë ? Ndonjë të re?”
Biles dhe përgjigjet, të thjeshta edhe ato:
“Mirë, mirë të gjithë faleminderit…ti ?”
Në atë zërin shoqëror, të akulltë,
Që flasin dy njerëz, qe janë njohur dikur aq mirë!

Kështu dramat bien
Dhe s’ka më vend për poezi patetike.

Pra…
Do ta gjej
numrin e telefonit tënd.
Nesër…
Po, po nesër.
Nesër, se di se kur, nesër…
Se ndoshta,
Ndoshta nuk je mirë.
Dhe kjo do të çonte në dreq qëllimin,
Për te cilin vendosa dje, nuk e di se kur…
Dje…

Për nesër,
Një nesër, dikur…

 JU SE NJIHNI ATË…

Ju se njihni atë dhe s’keni se si
Dhe unë vet, rastësisht e njoha
Quhet…
As emri i saj, nuk kish rëndësi
Kish një mace, trazovaçe
Që lulet më prishte në oborr
E për mua, kjo ishte e gjithë sa ishte
Për dikë tjetër, ndoshta ishte diçka tjetër
Një nënë?!
Një ish-grua apo ish e dashur?! -Ndoshta
Ndoshta dhe një poezi e së kaluarës.
Apo nje melodi e fërshëllyer me frymë shpirti.
S’e di
Por për mua.
Ishte thjesht zonja e vjetër e maces trazovaçe.
Mu kujtua sot, tani…
Teksa cigaren po pija në dritare.
Po ecën ngadalë, shumë ngadalë
E vetme tërësisht e vetme…
Nën pikat e shiut dhe mbi gjethet e rëna të vjeshtës
Hmm… dhe macen, paskam kohë që se kam parë më
Vallë si quhet kjo grua?!

UNË VIJ NGA NJË VEND I VOGËL, ZONJË…

Unë vij nga një vend i vogël, zonjë
me njerëz të thjeshtë si unë,
ku dimrit çel mimoza,
dhe emër vajze, ka një lumë.

Unë vij nga një vend i vogël, zonjë
më tradita të thjeshta njeriu,
mëngjesit më shokë ulesh për një kafe
e të dehur, nga rakia a kënga, të pret muzgu.

Unë vij nga një vend i vogël, zonjë
ku dhe bisedën më të thjeshtë, ndez pasioni,
ooo, e vajzat dinë të qeshin aq bukur
e labçe ia merr Joni.

Unë vij nga një vend i vogël, zonjë
ku ndryshe flet perëndia,
flet, më sytë dhe zërin e një nënë, zonjë
fjalë dashurie.

Unë vi nga një vend i vogël, zonjë
më njerëz të thjeshtë si unë,
që urrejnë më pasionin e një të çmenduri
dhe më pasionin e një të çmenduri, duan.

Ndaj më duhet patjetër të vete
dhe të shërohem nga e komplikuara,
unë jam një njeri i thjeshtë, zonjë.

S’E DI SI MË KE DASHUR…

S’e di si ke jetuar me mua.
Si më ke dashur.
Kur në momente dhe vetja-veten
E ka parë me përçmim?!
Por fundja-fundit, jam veç një mashkull
Dhe s’di se si funksionon një grua.

Kur jemi zënë
Me mendje, të kam vrarë 1 mijë herë,
100 pjata kam thyer si rrjedhojë.
Mjafton diçka të të dhembë
Dhe ndjehem, aq keq,
S’e di ç’ndodh me mua…
Por fundja-fundit, jam vec nje mashkull
Dhe s’di se si funksionon një grua.

Pra nuk e kuptoj, këtë transformim në vete.
Këtë pushtet tëndin, se kuptoj,
Inat marr veten kur bëhet çfarë ti thua
Dhe me tërë botën jam gati të luftoj, ta bëj.

Nuk e kuptoj këtë magjinë tënde, po thoja,
Se si një ndërtesë e kthen në një shtëpi,
Por fundja-fundit, jam veç nje mashkull
Dhe s’di se si funksionon një grua.

Po ka gjëra që në jetë, që ndoshta s’duhen kuptuar.

SA DESHA ME T’U LUTË ME M’FALË

Sa desha me t’u lutë me m’falë
Por ktheva mendje
Mbasi ashtu, veç egoja jeme,
kish me gjet disi rehat
E me ja lanë, ndërgjegjes tande
Peshën e randë
Peshën e randë, të dilemës.

Po vërtet
Ne ishim veç dy fëmijë
Ti e çiltër, e bukur, e pastër plot jetë
Si drita n’ditët e prillit
E unë?
Çfarë dreqin isha unë?! S’e di
Veç di, se ty t’lashë zhgënjimin
Dhe me vetë mora t’fotografum momentin
Ata sy me lotë
Atë buzë të kafshumë
Sikurse gojën me detyru, me u mshelë
Që asnjë fjalë ma, mos me l’shu
Për mu.

Dhe ika
Ika diku, ku t’ishte
Në askund
N’atë rrugë ku dy ishim shumë
E nji asgja
E asgjas, asgja s’ka ç’i ban, ma
Ti…mbete aty si hije
E koshiencës teme.

E tash me t’thanë t’kam dashtë
Asht’ si me u tallë
Me ironizu deri n’sarkazëm
Tanë poemat, poetët, librat, shkrimtarët
Tanë tingujt, tanë kangët
Tanë andrrat…

Unë t’vrava…
T’vrava pafajësinë
Kështu, ndoshta ti do mundshe me jetu
Falje, kurrë s’kam me t’kërku!

LE TË MOS FLASIM SOT PËR DASHURINË…

Sot le të mos flasim për dashuri…
Kamarieri i menduar po sjell kafet,
Në tv po jepen lajmet,
Një lyps diçka kërkon,
Dhe jashtë bie shi.

E shikon atë vajzë që kikirika shet…?
Atë që moshën ka…të luaj, të mësoj…
Shiko, flokët i ka krejt të lagur
Por me sy të butë të sheh dhe ëmbël të flet:
“Tre kausha, të lutem, vetëm një mijë lek”.
Ndërsa ai që çirret për të drejta në ekran,
Jetën e saj ka dhënë me koncension.

Le të mos flasim sot për dashuri…
Mes këtyre tymrash cigareje e avuj kafesh
Ka miliona molekula dhimbje në to,
Ka miliona halle që shpirti i di.
Ndërsa ai që çirret për të drejta në ekran,
Jetën e tyre ka dhënë me koncension.

Për hirë të dashurisë…
Le të mos flasim sot për dashurinë…
Ta ruajmë në heshtje, që të mos bëhet pis.

 PRA, TANGO FILLO…

Nuk dua miq në këtë natë,
as miq të rinj dhe as miq të vjetër.
Sonte s’të dua as ty o gotë,
në një tjetër botë të humbas dua.

Dua – djallin ta sfidoj
si një burrë, një ushtar a mëkatar
dhe edhe veten si di unë ta godas
aty ku dhemb me shumë,
këtë dua.

Pra tango fillo…
M’i ndiz dëshirat, epshet, pasionet
Dhe ti e panjohur ashtu më vështro,
Më prek, më tundo, më çmend,
dhe hesht e vallëzo!

Se dua emrin tënd
as nga vjen a ku shkon,
ç’të pëlqen, ç’urren a çfarë jo.
Veç hapat e tua dua
nën të pamëshirshmen muzikë
dhe ritmin…ritmin mos harro!

Nën aromën tënde të dehem,
të magjepsem me trupin tënd,
sinkronizimi të luaj me ndjenjën,
adrenalina të pushtoj çdo vend,
pastaj- le te heshtin tingujt
dhe prekjet le të ndalojnë.

Ti rrugën merr për diku,
diku tjetër dhe unë do shkoj
dhe një pyetje le te ngelet në ditët që vijnë,
një pyetje pa përgjigje, pa shpjegim,
Në ishte mëkat e ndara ashtu,
Apo mëkati ish ai vallëzim?!

ObserverKult

Lexo edhe:

AMARILDO PREGAPUCA: MË ZGJUAN SOT PSHERËTIMAT…
AMARILDO PREGAPUCA: JO NUK JAM MË I RI…