“Ti ishe aq e bukur”, poezinë e Petrit Rukës e lexon Leka Sefla (Video)

Poezi nga Petrit Ruka

Isha vonuar, e dashur dhe të gjeta në gjumë,
Buzët për një puthje më digjnin
Po si të të zgjoja,
Ti ishe aq e bukur,
Sa nuk mund të ta prishja bukurinë.

Desha të të puthja ngadalë,
(Si mund të puthësh ngadalë?!)
Të të puthja një herë,
(Si vetëm një herë?!)
U ula buzë shtratit si pranë një foshnjeje,
Që porsa ka lerë.

Kishe pafajsinë e ca qiejve që akoma s’i kam parë,
Ishe krejt e pambrojtur nga dinakëritë,
Atëhere kam besuar
Që çdo grua në gjumë
Është një Afërditë.

Doja e s’guxoja,
Kisha frikë të të shihja.
Kisha frikë të të prekja.
Nëna në vogëli më thosh mos e shih të fjeturin,
Se i afrohet vdekja.

E tmerrshme ta përmendësh këtë emër,
U thafsh, moj gjuha ime që the; Vdekja.
Atëhere unë po ngulem këtu, e dashur,
Nuk luaj,
Nuk luaj sa të më zbardhet mjekra.

Dhe prita e prita një shekull
Që të zgjoheshe,
Në grua me mish të shndrroheshe…
Që pastaj të të prekja,
Pastaj le të më vinte
Vdekja.

ObserverKult


Lexo edhe:

“EDHE KUR KUJTESA…” POEZINË E KADARESË E LEXON LEKA SEFLA (VIDEO)