Nga: Esmeralda Shpata
Më doli gjumi pak para orës katër. U ngrita nga shtrati dhe të kërkova nëpër shtëpi, nuk lash vend pa të kërkuar. Jam pak e çuditshme, kërkova dhe poshtë krevatit, cepave, pas perdeve, madje hapa dhe valixhen, atë të shakasë sonë.
Ka diçka që nuk shkon tek unë, më duhet ta detyroj veten të përqendrohem.
Kam fjetur gjithë natën pranë teje, jam mrekulluar duke të ndier aromën dhe prekur trupin. Kam menduar se ti skuqesh dhe i mbyll sytë. Hapi!
Më shiko si jam. Mendimi, se nuk jam mirë, më jep një frikë mbytëse, por thjesht duhet të mësohem me këtë.
-Ku je?!
Është e sikletshme, më duhet të mbaj një ritëm të ngadaltë, më duhet të gjej me patjetër.
Mbrëmë m’u shfaqe, me të gjitha, më nëpërdukeshe, sot humbe pa lënë asnjë gjurmë.
Përfytyrimi im shumë i njëanshëm tund kokën dhe psherëtin. Ti ke ikur në jetën tënde, madje as mbrëmë nuk ke qenë me mua. Ke ikur, nuk dukesh gjëkundi.
-Çfarë mendon?!
Pohove pakëz me kokë: “Nuk kam ikur.”
Ti thua se më duhet të kërkoj çdo herë që më del gjumi. Të sigurohem se më duhet të pres, se do gjendem ballë për ballë me ty.
Më mbërthen një ndjesi e çuditshme, dhoma mbushet me aromën tënde. Po mendoj për ty, ndiej jetën time nën pëllëmbë. Është një ndjesi e rrallë, e ke dhe nuk e ke njëherësh. Erdhe!
Ndërsa më mban të përqafuar, dikujt, që nuk na njeh, mund t’i shkëlqejë fytyra nga lumturia.
Sa bukur! Një dëshirë e bardhë qëndron pezull, teksa dielli vjen në dritaren time.
Më duhet të pres me patjetër. Ti je, nuk mund t’i fsheh gjurmët e tua.
*Titulli i origjinalit: “Ngulmueshëm”
Lexo edhe:
ESMERALDA SHPATA: KAM GJITHË JETËN QË DUA TË TË TAKOJ…
ObserverKult