
Regjisorit të skenës kosovare Bekim Lumi
Nga Namik Selmani
Ti s’duhet të ikje kaq shpejt Bekim Lumi!!
Po si s’na pyete
për agimin që duket si një skenë kur ngrihet perdja
Po si s’i pyete
letrat e pashkruara si hijet në muzgjet e pragnetëve?
S’na pyete për betejat e pambaruara me kuçedra
S’e mbajte
bestën e dhëntë para dritës nxjerrë nga sepetet e pengjeve.
S’duhet
të na lije kaq koktëvarur Bekim Lumi
Fjalës
i humbi pesha i humbi pak urtia e me ujtë është mbushur
Ani pse nuk kishe mustakë në fytyrë e tespihe në duar.
Se me ty
plumbi na dukej si pëllumb a si një flutur.
Se pa ty
udha na ka mbetur me gurë e fort e ferruar.
Ti s’duhet të ikje kaq larg, miku ynë!
Ku letrat
i vënë në sqepa dallandyshet pa asnjë strehë.
Ku qyqet
qyqojnë e çajnë dhe palcën e gurit.
Ku dhimba
bëhet Sharr, Drin, Bunë, tufan i rreptë.
Ku
Ujëvara e Mirushes ndalet nga loti i fshehur i burrit.
Ti
nuk duhet të na ikje si pelegrini pa det Bekim.
Të na lije
në këmbë sherranët e tribunave e të ekraneve.
Të na lije
në lesën e kullave me gjëmbimin e Odës.
Përseeeeeee?
Ehoja
na kall më fort se gjokset e lodhura të druvarëve
Kafshata e bukës
myket më shpejt pa u vënë në dërrasën e sofrës.
Ku
po ligjëron monologun e pambaruar Bekim Fjalëarti?
Ti
s’duhet që të na ikje kaq shpejt, o Bekim Burri
Të na lije
pa dhëntë bekimin e udhëve ende të baltosura
Të na lije
një varg të trishtë ku rri kokëulur flamuri
Të na lije
pas me grushtet e mbledhura e të gjakosura.
ObserverKult






