Tinguj dhe rryma kontemporane me taban shqiptar nga artisti Plator Gashi tek “Festivali i Resë”

Në ambientet e veçanta të “Resë” përpara Galerisë së Arteve në Tiranë, ka vazhduar Festivali i Resë që në edicionin e tij të pestë ka përzgjedhur një numër të konsiderueshëm artistësh të të gjitha gjinive të artit të cilët performojnë çdo natë për publikun kryeqytetas duke dhuruar mbrëmje ndryshe dhe argëtim.

Këto performanca mund të ndiqen falas ndërsa publiku të vetmin detyrim ka ruajtjen e distancës dhe zbatimin e rregullave të protokollit kundër Covid-19.

Mbrëmjen e djeshme ka performuar artisti Plator Gashi. Titulli i kësaj performance që ka filluar në orën 20:00 ishte titulluar “Ana e Poshtme e Gjetheve” e shkëputur nga një poezi e shkruar nga babai i Platorit, Osman Gashi i cili ishte i pari qe e njohu me “Shingjergjat po sillen” dhe këngët e tjera rapsodike që më vonë kanë përcaktuar stilin e tij muzikor, transmeton ‘ATSH’.

Rryma muzikore e tij dhe tingujt burojnë prej folklorit tradicional deri te nënzhanret e ndryshme të xhazit. Në veçanti ai eksploron këngën shqipe, të cilën e shkrin me ritmet e vibracionet e rrymës muzikore “bossa novas braziliane”, si dhe me gjini të tjera të afërta muzikore me të.

Ai njihet për ripërpunimet e këngëve sikurse janë “Kryet e mirë për shami”, “Shingjergjat po sillen”, “Fërfëlloi fëllanza n’ujë” e të tjera. Së fundmi ka publikuar edhe këngën “Msheftas”. Krahas muzikës merret me shkrim, përkthim dhe letërsi.

LEXO EDHE: “Festivali i Resë” në edicionin e pestë sjell ritmin latin në Tiranë